Për fillim me të rinj

Sport April 29, 2017 - 13:52

Mesfushori i famshëm anglez e mësoi për disa muaj detyrën e trajnerit, ndërsa këtë javë vlerësoi se kishte ardhur koha të ulet në bankinë dhe të drejtojë një skuadër. Për fillim ai do ta udhëheqë skuadrën U-18 të Liverpoolit, shkruan gazeta Zeri.

Steven Gerrard ka pasur një karrierë të bujshme si futbollist, ndërsa së fundmi ka filluar të merret me zejen e trajnerit. Trofeu i Ligës së Kampionëve si futbollist aktiv ishte suksesi më i madh, ndërsa edhe sot kur i ka dhënë fund karrierës mbetet ikona Liverpoolit.

Gerrard qysh tash i ka përcaktuar rregullat e punës dhe idetë e tij në detyrën e re. “Do të punoj shumë që futbollistët e mi të jenë të gatshëm në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, atëherë kur nuk është bash e thjeshtë të jesh në fushën e lojës”, ka thënë “Stivi Gji”.

Fillimi me U-18-shin

Mesfushori i famshëm anglez e mësoi për disa muaj detyrën e trajnerit, ndërsa këtë javë vlerësoi se kishte ardhur koha të ulet në bankinë dhe të drejtojë në skuadër. Për fillim ai do ta udhëheqë skuadrën U-18 të Liverpoolit.

“Kam biseduar me Jyrgenin (Kloppin) dhe jemi pajtuar që U-18 është zgjidhja e duhur për mua, pasi e nuk e tërheq shumë vëmendjen, ndërsa ofron mundësinë e përmirësimit të gabimeve, që në këtë fazë janë të panumërta.

Në këtë mënyrë e kam mundësinë të mësoj dhe të rritem si trajner. Të gjithë trajnerët me të cilët kam biseduar më kanë thënë se në fillim bëhen shumë gabime dhe është mirë që kjo të ndodhë më larg kamerave”, ka thënë Gerrard, i cili në vitin e kaluar e pati një ofertë për të drejtuar një skuadër të seniorëve, por të cilën e refuzoi.

“Po ta kisha pranuar, do të mësohesha vetëm me punën në mënyrën më të rëndë dhe mund të mos isha i gatshëm. Ndoshta edhe do të isha, por nuk kam dashur të rrezikoj, sidomos për faktin se nuk ia kam caktuar vetes një afat të caktuar për të arritur në një pikë të caktuar. Për këtë arsye, U-18-shi ishte zgjedhja logjike”, ka shtuar Gerrard. 

Çfarë nuk i pëlqen te futbollistët?

Gjatë muajve të kaluar Gerrard ka mësuar nga kolegët e tij më të vjetër. Gjatë asaj kohe ka pasur mundësi t’i shohë edhe disa gjëra që nuk i kanë pëlqyer te futbollistët e tij, siç është mungesa e forcës së mjaftueshme. “Si futbollist kam pasur shumë ndërhyrje të gabuara, disa herë e kam tepruar dhe më është dashur të kërkoj falje.

Te futbollistët e mi nuk dua ‘të mbjell’ ashpërsinë, por duhet të jesh i gatshëm për të luajtur në nivel të lartë dhe për të qenë i tillë duhet të jesh mirë në aspektin fizik. Unë dua t’i përgatis ata për çdo situatë edhe atëherë kur këmbët ‘nuk prekin në tokë’, kur zemra ‘vlon’ dhe kur nuk është e lehtë të jesh në fushë. Duhet të jesh i gatshëm edhe në aspektin mendor. Nuk më pëlqejnë futbollistët tek të cilët nuk e shoh forcën e duhur dhe dëshirën për fitore”, ka theksuar Gerrard.

Të gjithë duan të bëhen si Ronaldo

Në akademitë e futbollit i kushtohet rëndësi edhe driblimit dhe atraksioneve me top. “Të gjithë dëshirojmë të shohim teknikë dhe talent, por futbolli ka edhe tjera aspekte shumë të rëndësishme.

Duhet të përpiqem t’i përgatis ata për karrierën që i pret si futbollistë profesionistë. Nuk do të luajnë të gjithë për skuadrën e parë të Liverpoolit, por besoj se kjo mënyrë e punës do t’i ndihmojë ata. Ndoshta kjo dëshirë e tyre për të bërë akrobacione të ndryshme vjen nga lojërat në kompjuter, nuk e di. Ka shumë të rinj që janë shumë të mirë, por që përpiqen t’i imitojnë futbollistët e njohur.

Kjo mund të jetë edhe ngarkesë për aftësitë që i kanë. Ata synojnë të luajnë si Ronaldo dhe në këtë situatë detyrohesh të shikosh dhe të pyesësh veten: ‘Çfarë kam? Cilat janë virtytet e mia? Si mund t’i evitoj dobësitë dhe të bëhem futbollist në mënyrën time’? Duhet shumë punë, kjo është e qartë”, ka thënë Gerrard në fund./Zeri/.