Faza vendimtare

Sport April 01, 2017 - 10:10

Fundjava do të sjellë ndeshje shumë të rëndësishme në Superligën e Kosovës në futboll, në të cilën ka nisur faza e tretë garuese me ndeshjen e së premtes ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt.

Njëmbëdhjetë xhiro para përfundimit të kampionatit, Trepça ’89 prin në Superligë me gjashtë pikë më shumë sesa Feronikeli, i cili nuk e ka ndërmend të dorëzohet deri në fund në luftën për titull të kampionit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Skuadra e Afrim Tovërlanit të shtunën do të luajë kundër Drenicës, ndaj së cilës kërkon fitore të domosdoshmen për ta ruajtur kandidaturën serioze për vendin e parë.

“Pavarësisht kryesimit të Trepçës ’89, edhe ne kemi gjasa të mira. Orari ynë është më i miri kështu që me optimizëm do ta vazhdojmë luftën për titull”, ka thënë futbollisti i njohur i kampionit në fuqi, Fidan Gërbeshi.

Derisa Prishtina e Llapi kanë ngelur prapa, ndonëse matematikisht ende kanë gjasa, për Trepçën ’89 rreziku më i madh i kanoset nga Feronikeli. ’89-shi të dielën do ta presë Lirinë, ndaj së cilës kërkon fitore për ta ruajtur avantazhin prej gjashtë pikësh karshi Feronikelit apo edhe për t’i ikur akoma më shumë.

“Gjithçka qartësohet në fazën e tretë, kështu që është edhe periudha më e vështirë e kampionatit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por duhet ta risim akoma më shumë nivelin e përgjegjësisë dhe seriozitetit në mënyrë që ta ruajmë vendin e parë deri në fund, sepse gjashtë pikë epërsi nuk është ndonjë garanci. Njëmbëdhjetë ndeshjet e mbetura do t’i marrim seriozisht, prej ndeshjes në ndeshje duhet të hyjmë me përqendrim maksimal dhe kështu mund ta arrijmë objektivin”, ka thënë trajneri i mitrovicasve, Zekrija Ramadani.

Përpos luftës për titull, një luftë e rreptë pritet të ndodhë edhe në mes të disa ekipeve që synojnë t’i ikin barazhit.

Drita dhe Ferizaj aktualisht janë në pozita që çojnë në barazh, por kanë diferencë të vogël pikësh nga Liria e Drenica, të cilat në çdo moment ndihen të rrezikuara.

Sa i përket luftës për mbijetesë, ajo konsiderohet e kryer tashmë. Hajvalia shumë moti është dorëzuar, kurse Trepça pavarësisht dëshirës dhe fuqisë së treguar nganjëherë, shmangia e pozitës së parafundit thuajse është mision i pamundur për të.

Ajo ka tetë pikë më pak sesa dy pozitat e barazhit, shkruan "Zëri".

Derisa Prishtina insiston se përderisa matematikisht ka gjasa për titull do ta ndjekë atë, Llapi tashmë i ka lënë anash deklarimet, i vetëdijshëm se thuajse e ka të pamundur vendin e parë. Kurse, Besa e Gjilani e presin të qeta fundin e kampionatit, pasi nuk kanë gjasa për titull, por nuk janë as të rrezikuara.

Superliga – Xhiroja e 23-të

E shtunë

Feronikeli – Drenica

E diel

Trepça’89 – Liria

Besa – Trepça

Gjilani – Hajvalia

Llapi – Drita

Ndeshjet fillojnë në orën 15:00