Rruga e vështirë e Kosovës për të dalë në dritë

Sport March 30, 2017 - 10:35

Derisa futbolli femëror në shumë vende ka histori të gjatë, sporti është ende në fillimet e saj në Kosovë, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe pse FFC Prishtina ishte formua në vitet e 80-ta, është dashur të pritej viti 2011 për t’u ndërtuar ekipi përfaqësues i Kosovës në konkurrencën e femrave.

“Në atë kohë e kishim mundësinë ta mbanim një kamp jashtë Kosovës dhe me këtë rast shkuam në Shqipëri”, thotë selektorja e Përfaqësueses së Kosovës, Afërdita Fazlija në një intervistë për FIFA.com, përcjellë Zëri.

“Atje e zhvilluam një miqësore me ekipin FFC Kinostudio Tirana. Nga viti 2011 deri më 2015, ekipi përfaqësues kishte takime me Shqipërinë dhe e shfrytëzonim rastin të zhvillonim miqësore me klubet lokale. Në shkurt 2016 ne e patëm mundësinë të luanim miqësore me Kombëtaren e Shqipërisë dhe fituam 3:1”, shtoi ajo.

Fazlija, e cila kishte luajtur për FFC Prishtinë në periudhën 1984/1990, i ka treguar edhe vështirësitë nëpër të cilat është përballur futbolli femëror para dhe pas luftës. Tash, ajo insiston se sporti femëror po përparon.

Ndërkohë, flet edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në turneun “Goldcity Women's Cup” në Turqi, ndeshjet e para të Kosovës pas pranimit në UEFA e FIFA. Përkundër humbjeve nga Polonia (5:0), Rumania (3:0) dhe Turqia (4:2), ajo ishte krenare me ato që pa.

Tash, pjesëmarrja në ndeshjet paraeliminatore të kualifikimeve për Botërorin 2019, që do të mbahen në Shqipëri më 6,8 e 11 prill, e hap një kapitull të ri. Kosova do të luajë me Shqipërinë, Greqinë dhe Maltën në Grupin 2.

“Këto ndeshje do të jenë mjaft të rëndësishme për ekipin tonë”, shpjegon 46 vjeçarja, raporton Zëri.

“Do të jetë një test i madh për nivelin e ligës tonë sepse nga aty vijnë shumica e lojtareve tona. Një paraqitje e mirë e ekipit tonë në rundin preliminar do të ketë efekt të hatashëm për shtimin e interesimit në futbollin femëror. Do të japim gjithçka që të na jepet mundësia të marrim pjesë në kualifikimet e Botërorit”, përfundoi Fazlija. /Zëri/