9 muaj pas fitores me Anglinë, rekord lindjesh në Islandë

Sport March 29, 2017 - 11:36

Nëntë muaj pas fitores historike ndaj Anglisë në Evropianin e Francës spitalet në Islandë kanë pranuar rekord lindjesh. Duket se tifozët islandezë e kanë shfrytëzuar si është më së miri atë natë të gjatë feste. Frytet po shihen tash

Fitorja ndaj Anglisë në kampionatin evropian “Franca 2016” nuk do të kujtohet në Islandë vetëm si një e arritur e madhe në fushën e sportit.

Në fakt, ajo fitore i ka sjellë të mira tjera vendit me 300 mijë banorë, shkruan sot gazeta Zëri.

Mediat e atjeshme njoftojnë se spitalet e Islandës kanë pranuar numër rekord nënash shtatzënë në ditët e fundit, duke lindur plot bebe, saktësisht nëntë muaj pas fitores historike ndaj Anglisë vitin e kaluar.

Për tifozët e ekipit simpatik evropian duket se ajo natë ishte e gjatë dhe se ka qenë inspiruese për ta nisur një gjeneratë të re të tifozëve.

“Spitalet islandeze janë mbushur me bebe të hënën, pikërisht nëntë muaj pas fitores heroike në natën e Nices”, shkruajnë mediet islandeze.

Islanda, e cila renditet në vendin e 23-të në renditjen botërore të FIFA-s, e shijoi suksesin më të madh ndonjëherë kur i mposhti “Tre Luanët” 2:1 më 27 qershor të vitit të kaluar.

Rezultati, i cili i kishte dërguar “Vikingët” në çerekfinale të Evropianit, kishte sjellë festa të mëdha nga tifozët islandezë në Francë, por edhe ata që i kishin mbushur baret dhe restorantet në vendin e tyre.

Dhe është e qartë se pas festës nuk ka munguar as të bërit seks, saqë magazina islandeze “Visir” konfirmon se stafi në spitalin “Landspitali” në Reykjavik ka qenë i stërngarkuar fundjavën që shkoi, duke pasur punë si asnjëherë më parë.

“Shënuam rekord të numrit të nënave shtatzënë në maternitet nga e premtja deri të dielën, nëntë muaj pas fitores 2:1 ndaj Anglisë”, ka shkruar në rrjetin social “Twitter”, njëri nga mjekët e këtij spitali, Asgeir Petur Porvaldsson.

Fatkeqësisht, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për tifozët anglezë, të cilët e kishin kaluar atë natë të dëshpëruar pasi e kishin shikuar ekipin përfaqësues anglez duke dalë nga fusha kokulur.

Siç dihet, Islanda ka 300,000 banorë dhe plot 10 për qind e tyre kishin qëndruar në Francë gjatë Evropianit, raporton zeri.info.

Barcelona “shtohet” në dhjetor?

Pas rastit të Islandës, rrjetet sociale kanë filluar shakatë. Në fakt, komentatori i futbollit, Juan G. Arango ka thënë se e njëjta gjë mund t’i ndodhë edhe Barcelonës pas fitores historike ndaj Paris Saint-Germainit.

Gjiganti katalunas fitoi 6:1 në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales, derisa kishte humbur 4:0 nga francezët në lojën e parë për t’u kualifikuar në çerekfinale të Championsit.

Dhe, Arango thotë se njëjtë si në Islandë pas nëntë muajsh, respektivisht në muajin dhjetor, mund të ketë “bum lindjesh” edhe në qytetin katalunas, pasi tifozët e Barcelonës e festuan deri në orët e hershme të mëngjesit rikthimin historik ndaj gjigantit francez në fillim të këtij muaji. /Zëri/