'Kosova nuk do të mund të fitonte as me Mourinhon e Guardiolën'

Sport March 28, 2017 - 16:04

Shukri Asllani, menaxheri i njohur kosovar, mendon se Albert Bunjaki duhet të vazhdojë punën në përfaqësuesen e Kosovës. Ai mendon se me këtë ekip as Jose Mourinho e Pep Guardiola nuk do të arrinin më shumë. Sipas Asllanit, ekipi kosovar nuk duhet të kërkojë menjëherë rezultate pozitive, por nderimin e një përfaqësuese të fortë

Pas humbjes së Kosovës nga Islanda, me rezultat 1:2, shumë sportdashës kanë kërkuar largimin e Albert Bunjakit nga drejtimi i përfaqësueses. Por, kështu nuk mendon menaxheri i njohur kosovar, Shukri Asllani, i cili jeton dhe vepron në Holandë.

Asllani mendon se populli kosovar janë euforik dhe kërkon rezultate pozitive menjëherë. Ai thotë se sportdashësit e përfaqësueses së Kosovës duhet të kenë durim sepse hap pas hapi do ta bëjnë një përfaqësuese të denjë.

Sipas Asllanit, me këtë fond të lojtarëve që ka Kosova edhe po të drejtohej nga Jose Mourinho ose Pep Guardiola nuk do të arrinte ta mposhtte Kroacinë, Turqinë apo Islandën.

“Jam i vetëdijshëm se adhuruesit e futbollit dhe ne si popull jemi të etur për sukses në çdo lëmi, pra edhe në futboll. Dëshira e jonë është që ky sukses të vij sa më shpejt dhe suksesi të jetë sa më i madh. Unë e kuptoj këtë dëshirë, mirëpo në këtë drejtim duhet të jemi të kujdesshëm, të kemi një analizë reale dhe korrekte të krejt rrethanave relevante në futbollin kosovar në mënyrë që të kemi një konkluzion të saktë dhe pasqyrë e vërtetë rreth përfaqësueses kosovare. Ne nuk duhet të jemi euforikë, emocionalë dhe joobjektiv e joprofesional sa duhet në mënyrë që mendimet tona, pritjet dhe realiteti të mos jenë në disproporcion me mundësitë tona dhe gjendjen faktike”, ka deklaruar Allani për Express.

“Ne thjesht nuk duhet të udhëhiqemi nga euforia, nga interesat grupore apo çfarëdo lloj tjetër interesi që tash kur të flasim për përfaqësuesen kosovare të hedhim gurë dhe dru në selektorin Albert Bunjaki apo drejtuesit e FFK-së, vetëm pse kemi humbur disa lojë në grupin ku luan Kosova. Bunjaki dhe drejtuesit e FFK-së kanë nevojë për përkrahjen e të gjithëve, kanë nevojë të lihen të qetë dhe ata do ta bëjnë punën e tyre ashtu si duhet. Duhet të kemi më shumë besim në ta dhe për një afat kohor më të gjatë sesa 5 lojë, prej të cilave një barazim shumë i mirë jashtë kundër Finlandës”, ka shtuar ai.

Image

Asllani ka thënë se nuk është turp që Kosova ka pësuar humbje nga Islanda, Turqia dhe Kroacia. Ai thotë se këto ekipe kanë mposhtur edhe superfuqitë e futbollit botëror.

“Sa për ilustrim mund të them se jo fort moti edhe Holanda, që është superfuqi botërore ka humbur lojën kundër Islandës edhe atë në Amsterdam, ka humbur kundër Turqisë me 3:0 po ashtu. Pra nuk është turp që edhe Kosova të ketë humbur nga këto vende dhe Kroacia që tanimë është shumë e fortë edhe për kombëtaret tjera. Dua te them se kush ka pritur se Kosova do ta fitojë nga Kroacia, Islanda, Turqia, Ukraina ai nuk është real në pritjet dhe gjykimet e tij në futbollin evropian dhe atë kosovar për kohën e tanishme”, shtoi Asllani.

 Asllani ka thënë se Bunjaki dhe krerët e FFK-së i duan rezultatet pozitive më shumë se të tjerët. Sipas Asllanit, nuk duhet harruar që Bunjaki e ka ndërtuar ekipin nga zeroja dhe në radhët e veta ka pasur lojtarë që nuk luajnë në nivele të larta, siç luajnë lojtarët e përfaqësueseve kundërshtare.

“Nuk duhet harruar aq shpejt puna e Bunjakut dhe drejtuesve të FFK-së në anëtarësimin e FFK në FIFA, UEFA. Kjo ka qenë një punë kolosale, mos të mashtrohemi në këtë. Sa ju përket rezultateve, selektori Bunjaku është direkt i varur nga materiali dhe fondi i lojtarëve që ka në dispozicion. Ai këta lojtarë i ka në grumbullim për 3-4 ditë dhe kjo nuk mjafton që të kompozohet ekipi. Kjo do kohë më të gjatë. Është ndryshe trajneri që punon në klub dhe është tërë kohën në punë me të njëjtin grup lojtarësh dhe mund të punojë në aspektin taktik, fizik dhe teknik, ndërsa selektori nuk e ka këtë privilegj”, shtoi ai.

Asllani mendon se rezultatet nuk duhet të jenë primar dhe prioritet në këtë fazë për Kosovën. Sipas Asllanit puna në aspektin e krijimit të ekipit për të ardhmen dhe në baza afatgjate do të duhej të ishte primare dhe jo rezultatet.

“Ne kemi një ekip të ri që është në formim e sipër, të papërvojë dhe akoma në rrugëtimin e kompozimit të bërthamës së tij. Nuk kemi lojtarë të nivelit evropian apo botëror. Lojtarët tanë nuk janë lojtarë që luajnë nëpër klubet dhe ligat më të larta evropiane. Ndoshta Samir Ujkani përbën përjashtim sepse ka një edukim të mirë dhe përvojë dhe është bartës në ekipin e tij, mirëpo prapë edhe ky tash bën gara në Serie B. Pastaj, Valon Berisha dhe Milot Rashica në klubet e tyre janë titullar, mirëpo as futbolli në Austri nuk është i nivelit më të lartë evropian e as në Holandë më nuk është në nivelin që ka qenë më parë”, thotë Asllani.

“Lojtarët tanë nuk janë lojtarë që bëjnë diferencën dhe dominojnë nëpër klubet e tyre. Kryesisht janë lojtarë që luajnë nëpër liga dhe klube jo të forta dhe nuk janë lojtarë të padiskutueshëm që luajnë 90 minuta çdo javë nëpër klubet e tyre. Çdo gjë në futboll ka të bëjë me nivel, nivelin se ku luajnë ata, klube të tyre, shtetet etj. Dhe pastaj nga këta lojtarë përbëhet ekipi i Kosovës që do të duhet të luajë kundër një Kroacie ku luajnë lojtarët e Barcelonës, R. Madrid, Juventus etj. Pra dallimi në nivel është i qartë dhe humbjet janë pasojë e logjikshme e këtyre dallimeve në nivel. Në këto rrethana edhe Guardiola apo Mourinho po të ishin trajnerë të Kosovës do të humbnin kundër Kroacisë, Turqisë dhe Islandës. Prandaj lëreni të qetë Bunjakin dhe FFK-në”, ka theksuar ai.

Në fund Asllani ka thënë se Bunjakit dhe FFK-së iu duhet kohë dhe përkrahje nga të gjithë për ta çuar në fund projektin e tyre për ndërtimin e një përfaqësueseje të fortë. Sipas Asllanit, përveç përmirësimit të përfaqësueses, mendon se duhet të përmirësohet edhe infrastruktura sportive si dhe të ketë organizimin më të mirë dhe ngritjen e kuadrit që punojnë në FFK.