Islanda, nga zero në fuqi

Sport March 22, 2017 - 10:46

Nëse kthehemi 10-15 vjet prapa termi futboll ishte diçka si një fjalë e huaj në Islandë. Mirëpo, “Vikingët” bënë revolucion, duke e nisur nga zeroja dhe u bënë shembull në futboll brenda një periudhe rekorde.

Islandezët e bënë mrekullinë duke u kualifikuar në “Euro 2016”, në një grup kundër gjigantëve si Holanda, Turqia e Republika Çeke, derisa ëndrra e tyre vazhdoi edhe në Evropian, ku shkuan deri në çerekfinale, për të eliminuar edhe ekipe si Anglia.

Tash Kosovës i ka rënë hise të përballet me islandezët, të cilët do t’i gostisë në Shkodër këtë të premte, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2018, ku kundërshtari ynë synon të kualifikohet po ashtu.

Me siguri të gjithëve na intereson historia e futbollit islandez, i cili bëri revolucion në Shekullin XXI, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjithçka kishte nisur nga Michel Platini, i cili në kandidaturën e tij për mandatin e fundit si president i UEFA-s kishte premtuar reforma në Kampionatin Evropian.

Pasi i kishte fituar zgjedhjet, francezi e kishte zgjeruar numrin e skuadrave pjesëmarrëse nga 16 në 24.

Andaj, në garën e vitit të kaluar në Francë kishte të ashtuquajtur “debutues të Platinisë”.

Së bashku me Shqipërinë, e cila po ashtu e bëri mrekullinë duke u kualifikuar në “Euro 2016”, një tjetër tregim i jashtëzakonshëm është ai i Islandës.

Si është e mundur që një shtet me 330 mijë banorë arriti të kualifikohej në “Euro 2016” nga grupi ku ishin edhe Holanda, Turqia e Republika Çeke?

Madje, ata siguruan udhëtimin për në Francë dy xhiro para përfundimit të fazës së grupeve.

Gjithçka filloi rreth 15 vjet më parë. Kualifikimi në Evropian është punë shumëvjeçare në futboll, sport që kërcënon hendbollin si “numër 1” në Islandë.

Plani ishte i thjeshtë, nga viti 2002 filluan investimet në infrastrukturë. Islanda investoi në shtatë stadiume të ndryshme, në mënyrë që futbolli të jetë në gjendje të zhvillohet gjatë gjithë vitit, në 22 fusha të mëdha dhe 111 të vogla.

“Para 17 vjetësh futbolli në Islandë nuk mund të zhvillohej gjatë gjithë vitit. Andaj gjatë dimrit zhvilloheshin vetëm garat në hendboll dhe basketboll, kurse futbolli gjatë verës. Dimrit zhvillohej vetëm një seancë stërvitore dhe atë në ndonjë sallë të vogël të basketbollit”, thoshte Arnar Bill Gunnarsson, drejtor teknik i ekipit.

Në të njëjtën kohë kur filloi ndërtimi i fushave të reja të futbollit, Federata e Futbollit të Islandës filloi organizimin e seminareve për trajnerë.

Andaj, viteve të fundit Islanda ka fituar rreth 1.000 trajnerë me licenca A dhe B.

Islanda pret rezultate të mira në të ardhmen, duke marrë parasysh se skuadrat e të rinjve tani i udhëheqin trajnerë me licenca A ose B, kurse për grupmoshat e reja organizohen kampe ku do të kenë mundësi që t’i identifikojnë talentët e së ardhmes. /Zëri/