Xhevdet Shabani premton maksimumin, e do Kupën me Besën

Sport February 28, 2017 - 10:17

Xhevdet Shabani po kalon nëpër një formë të shkëlqyer. Mesfushori kosovar shënoi në dy ndeshjet e para të Besës, ndaj Dritës në Kupë dhe Llapit në kampionat.

Ai ndihet i mirë për formën që po e kalon dhe premton se do të mundohet t’i ndihmojë pejanët në arritjen e objektivave, shkruan sot gazeta Zëri.

Image

“Gjërat po ecin shumë mirë pasi filluam me fitore kundër Dritës në Kupë, që është synimi ynë kryesor dhe fituam edhe kundër Llapit, një skuadër mjaft cilësore, pretendente për titull. Të dyja fitoret kishin të veçantat e veta sepse kaluam në rundin tjetër në Kupë dhe u stabilizuam në kampionat. Do ta jap maksimumin që të vazhdojmë kështu”, theksoi fillimisht Shabani për “Zërin”.

“Synim yni kryesor është Kupa, me ç’rast na pret një ndeshje e vështirë kundër Prishtinës. Nëse kalojmë tutje, mund ta prekim finalen shumë lehtë”, përfundoi ai. /Zëri/