Bie në pranga administratori i grupit “Albings” në Telegram

Bie në pranga administratori i grupit “Albings” në Telegram

Kronika April 17, 2024 - 11:44

Është arrestuar personi i cili dyshohet se ka udhëhequr grupin “Albikings” në Telegram, ku janë shpërndarë fotografi dhe video të ndryshme intime të femrave në aplikacionin Telegram, përmes këtij grupi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social Telegram, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës - Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave, të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, duke përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale.

“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt. 16.04.2024 është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’, sipas KPRK-së, derisa në koordinim me Policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet të tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftim. /Zëri