17 vjet burgim ndaj Qëndrim Januzit për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj
Foto: Laura Hasani

17 vjet burgim ndaj Qëndrim Januzit për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

Kronika April 30, 2024 - 10:42

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 17 burgim Qëndrim Januzin – vëllain e reperit Buta.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall sot, pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje”.

Për vrasje, Januzi u dënua me 16 vjet burgim, kurse për “Armëmbajtje pa leje” me 1 vit e gjysmë burgim. Gjykata shpalli dënim unik me 17 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave të tjerë brenda në market.

Në aktakuzë, thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tani të pandehurit për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me të takuar tani të ndjerin ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra, G.H. vdes siç ishte konstatuar në raportin e autopsisë të datës 22 gusht 2022, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.

Me këtë, Januzi akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri Januzi akuzohej se nga koha e pacaktuar e deri më 28 maj 2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H”, me një karikator me kapacitet prej 8 fishekëve, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta është sekuestruar.

Me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi