Lirohet nga akuza i akuzuari për vrasje në tentativë në Shajkovc të Podujevës
Foto: Laura Hasani

Lirohet nga akuza i akuzuari për vrasje në tentativë në Shajkovc të Podujevës

Kronika March 27, 2024 - 14:55

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar Bashkim Mulollin nga akuza për vrasje në tentativë në Shajkovc të Podujevës në vitin 2012.

Aktgjykimi ndaj Mulollit u shpall të mërkurën nga gjykatësja Alltën Murseli.

Sipas gjykatëses Murseli, i akuzuari Mulolli lirohet nga akuza për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pasi që nuk është provuar është përfshirë ne kryerjen e kësaj vepre.

Kurse, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues lidhur me veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, pasi që sipas gjykatës vepra penale është përfshirë në amnisti sipas ligjit 04/L-209 i vitit 2013.

Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimi ka bërë të ditur se është konfiskuar arma dhe 8 fishekët.

Po ashtu, shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës dhe se i dëmtuari Milot Hasani për realizmin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Në këtë rast, bashkë me Mulollin akuzohej edhe Pashtrik Gërguri për veprën penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, por që gjykata kishte marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.

Sipas aktakuzës, Bashkim Mulolli, më 13 tetor 2012, në fshatin Shajkovc të Podujevës, me dashje, ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për kryerjen e vrasjes së të dëmtuarit Milot Hasani, por veprën nuk e ka përfunduar.

Siç pretendon Prokuroria, i akuzuari Mulolli, e ka ndalur veturën e tij, para veturës së të dëmtuarit dhe ka shkuar tek ai, e ka hapë xhamin e derës dhe nga hapësira e saj i është drejtuar me ton kërcënues, me pyetjen “çka po lyp ti knena?”.

Pastaj, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari, e ka futur dorën brenda veturës dhe me kondakun e pistoletës e ka goditur një herë të dëmtuarin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, në formë të plagëve ndrydhëse shqyese në kokë, si pjesë vitale të trupit. Ndërsa, kur i dëmtuari ka tentuar t’ia marrë pistoletën nga dora, i akuzuari ka shkrepur një herë në drejtim të tij dhe i ka shkaktuar plagë në nëngjurin e majtë.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast, dëshmitari Alban Thaçi, ka dalë nga vetura e të dëmtuarit dhe ka shkuar tek i akuzuari duke i kërkuar të mos shkrepë me pistoletë dhe e ka larguar nga aty, kurse i akuzuari është kthyer në veturën e tij dhe është nisur në drejtim të Batllavës.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari, nga dhembjet e pësuara, ka dalë nga vetura prej derës së përparme të djathtë, por është rrëzuar 2.3m larg saj dhe është kthyer sërish aty me ndihmën e dëshmitarit Bujar Jashari, kurse dëshmitari tjetër Alban Thaçi, e ka dërguar të dëmtuarin në emergjencën e Podujevës, ku i është ofruar ndihma e parë. Më pas, me autoambulancë është transportuar në QKUK në Prishtinë dhe pas ndërhyrjes mjekësore ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, me ç’rast dhe vepra penale ka ngelë në tentativë.

Me këtë, i akuzuari, sipas aktakuzës, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 146 lidhur me nenin 20 të KPK-së.

I akuzuari Bashkim Mulolli, sipas Prokurorisë akuzohek se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par. 1 i KPK– së.

Kjo sepse, në aktakuzë thuhet se, i njëjti, pa leje valide për mbajtjen e autorizuar të armëve, në shtëpinë e tij, në fshatin Shajkovc të Podujevës, deri më 13 tetor 2012, ka mbajtë në pronësi pistoletën e markës së panjohur, ndërsa deri më 13 nëntor 2012, ka mbajtë në pronësi pistoletën “TT”, e cila i është konfiskuar gjatë arrestimit të tij në Prishtinë.

Ndërsa, i akuzuari i dytë, Pashtrik Gërguri, sipas aktakuzës, e ka ndihmuar kryerësin e veprës penale, në atë mënyrë që ka heshtur për identitetin e të akuzuarit, duke mos e paraqitur në polici, përkatësisht prokurori.

Me këtë, Prokuroria pretendonte, se ai e ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 305, par. 2 i KPK-së. /BetimipërDrejtësi