Detaje nga vrasja në Prishtinë, dyshohet se viktima është rreth 30-vjeç, e plagosura kalimtare e rastit

Detaje nga vrasja në Prishtinë, dyshohet se viktima është rreth 30-vjeç, e plagosura kalimtare e rastit

Kronika March 26, 2024 - 23:26

Një person i moshës rreth 30-vjeç është vrarë sonte në Prishtinë. Nga të shtënat me armë zjarri është lënduar lehtë një person në dorë, mëson Gazeta Express nga burimet e saj. Ndërsa, dyshohet se gruaja e moshës 49-vjeçare që u plagos rëndë ka qenë kalimtare e rastit dhe nuk ndërlidhet me konfliktin që rezultoi me vrasje e plagosje. Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë, sipas burimeve.

Gjithashtu, burimet tregojnë se viktima dyshohet se ka të kaluar kriminale.

Rastin e ka konfirmuar Agron Borovci, zëdhënës në policinë rajonale të Prishtinës.

“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku  fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë”, tha Borovci për Express.

Policia po punon në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, teksa e plagosura po trajtohet në QKUK.

“Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha ai.