Hajnat ndërrojnë destinacion, ua mësyjnë xhamive e kishave

Kronika October 10, 2018 - 16:32
DETAJET

Shumica e qytetarëve i shohin si vende të shenjta ku sipas bindjeve të tyre i luten Zotit, por ka të tjerë që kjo punë nuk u intereson aspak. Objektet fetare kanë filluar t’i shohin si vende ideale për të vjedhur. Xhamitë e kishat shumë shpesh gjatë viteve të fundit ishin cak i hajdutëve. Vetëm këtë vit, në vend janë plaçkitur gjithsej 29 objekte fetare, kryesisht në kryeqytet. Ndërsa, sipas statistikave zyrtare të Policisë, pothuajse çdo e 15-ta shtëpi në Kosovë është cak i vjedhjeve.

Xhamia ‘Hatunije’ në lagjen Tophane të Prishtinës “u vizitua” shumë shpesh nga hajdutët këtë vit.

Hera e fundit kur ata kishin marrë rrugën drejt kësaj xhamie, ishte 5 shtatori i këtij viti. Por, jo për të kryer lutje e namaz.

Persona të panjohur kishin hyrë brenda këtij objekti dhe kishin marrë paratë e mbledhura në kasë për të dytën herë. E ndonëse kanë ndodhur dy raste të vjedhjeve në këtë xhami, askush nuk është vënë prapa grilave për këtë vepër.

Por, jo vetëm në xhami u kryen vjedhje.

Hiq më larg se para një muaji, cak i hajdutëve ishte edhe Kisha “Zonja e Shenjtë”, në Leposaviq. .

Prifti i kësaj kishe, kishte raportuar në polici se persona të panjohur, gjatë natës kishin hyrë brenda kishës e kishin vjedhur nga kasaforta një shumë parash.

E këto nuk janë rastet e vetme që kanë ndodhur në të tilla objekte. Numri i tyre vetëm sa po shkon duke u rritur me kalimin e viteve.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm prej janarit e deri në shtator të këtij viti, në objekte fetare janë kryer 29 raste të vjedhjeve të rënda.

Deklarojnë se 18 prej këtyre vjedhjeve kanë ndodhur në xhami, e 11 të tjera në kisha.

 “Sa i përket interesimit tuaj po ua përcjellim te dhënat ne vijim: nga 1 janar deri më 31 shtator 2018, nga objektet fetare janë  kryer 29 raste ,,vjedhje e rende”, nga këto 29 raste, 18 raste kanë ndodhur në objektet myslimane, kurse 11 raste kane ndodhur në objektet fetare katolike, ortodokse apo te tjera”, thuhet në përgjigjet e PK’së drejtuar Gazetës Express.

E ndonëse rastet e vjedhjeve nëpër xhami janë rritur, në Bashkësinë Islame të Kosovës(BIK), nuk preferojnë të flasin për këtë temë.

Zëdhënësi i BIK’ut, Ahmet Sadriu i ka thënë Gazetës Express se ka raste të vjedhjeve, por se nuk dëshirojnë t’i zmadhojnë meqenëse shumë prej tyre kryhen nga persona adoleshentë.

Derisa thotë se edhe nuk kanë se çfarë të vjedhin nëpër xhami

“Është një dukuri e izoluar, nuk është e përhapur shumë. Ka raste por nuk dëshirojmë t’i zmadhojmë ato, pasi që kemi raste kur personat adoleshentë i kanë thy ato sëndukët që zakonisht janë nëpër xhami, që njerëzit lëshojnë në to ndonjë para në mënyrë vullnetare. Nuk kisha dashtë me e rritë edhe me zmadhuar këtë çështje. Janë raste shumë të izoluara, dhe nuk kanë çka vjedhin nëpër xhami”, ka thënë Sadriu për Express.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me Ipeshkvinë e Kosovës për të marrë edhe qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë edhe numri i vjedhjeve që ndodhin nëpër shtëpi mbetet kogja i lartë.

Pothuajse çdo ditë në vend plaçkiten rreth 15 shtëpi, lokale e banesa. Ndërsa, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në vend janë evidentuar 2 mijë e 875 vjedhje.

E gjithë kjo sipas statistikave për numrin e vjedhjeve në periudhën janar-qershor të 2018-ës, që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës.

Në bazë të këtyre statistikave ndonëse numri i vjedhjeve po shënon rënie nga viti në vit, prapë shifrat mbesin të larta. Mbi 10 mijë vjedhje kanë ndodhur në dy vitet e fundit në vend.

Por, edhe pse ka kaq shumë vjedhje në Polici thonë se në krahasim me vitet e kaluara, numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie.

‘Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 6105, në 5735, ose rënie për 6.06%, ndërsa numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 5601 në 5222, ose rënie për 6.76%’, theksohet në raportin vjetor të punës së policisë.

E disa prej personave edhe pse kryen vjedhje, në fund ata edhe u ‘shpërblyen’. I tillë është rasti i Ali Rugovës. Njëri nga të burgosurit të falur nga Presidenti Thaçi ka qenë në burg për veprën penale “vjedhje të rëndë”.

Rugova kishte qenë i dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim për vjedhje të rëndë. Atij i ishin falur më pak 3 muaj, pasi dënimi i rregullt kishte qenë deri më datën 20 korrik të 2017-ës.

Gazeta Express ka provuar të marrë informacione edhe nga Prokuroria për të ditur se sa është numri i rasteve të vjedhjeve që janë duke u hetuar nga Prokuroria dhe se cilat janë rezultatet e këtyre hetimeve, por nuk në këtë institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Njëjtë kanë vepruar edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Express është ende në pritje të përgjigjeve nga SHKK-ja për të marrë informacion se sa persona janë në vuajtje të dënimit për vjedhje.

Ndryshe, vjedhja është e dënueshme edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të këtij Kodi, kryesi i kësaj vepre mund të dënohet deri në tre vjet burg.

Sipas Nenit 325 të Kodit Penal, ‘Kushdo që personit tjetër ia merr pasurinë e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë (50) Euro apo më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.’

Ndërsa, nëse vlera e pasurisë së vjedhur është më pak se pesëdhjetë euro kryesi dënohet ose me gjobë ose me burg deri në gjashtë muaj.