Ndalen hetimet për vdekjen në QKUK të 19-vjeçarit nga Drenasi

Kronika August 27, 2018 - 18:10
Lexo detajet

Pushimet verore të stafit të QKUK’së e kanë ndalur punën e hetimit të rrethanave të vdekjes së 19 vjeçarit, Drin Leku, i cili kishte ndërruar jetë më 8 gusht në këtë institucion shëndetësor. Familjarët e të ndjerit kanë deklaruar se ai vdiq nga mostrajtimi i duhur mjekësor. Ndërkohë hetimet për këtë punë kanë nisur nga Prokuroria si dhe nga Inspektorati Shëndetësor i MSH’së. Por së fundmi Inspektoratit e la ndërprerë punën hetimore

Një 19 vjeçar nga komuna e Drenasit, i operuar nga zorra qorre dy vjet më parë, iu drejtua Qendrës Klinike Universitare të Kosovës këtë muaj. Pas trajtimit në spital,19 vjeçari vdiq me datën 8 të këtij muaji në QKUK. Familjarët e Drin Lekut po thonë se ai nuk e ka marrë trajtimin e duhur nga personeli mjekësor. E për këtë punë Inspektorati Shëndetësor tashmë i ka nisur hetimet për t’i sqaruar të gjitha rrethanat e vdekjes së 19-vjeçarit. 

Por, puna nga ky institucion shëndetësor është ndalur për shkak të pushimeve të stafi mjekësor të këtij institucioni.

Kryeinspektorja në MSH, Ardita Baraku, ka deklaruar për Express ka thënë se janë në fazën e grumbullimit të provave.

“Inspektimi për rastin në fjalë ka filluar, por ende jemi duke grumbulluar prova (deklarata të mjekëve të cilat vonohen për shkak të pushimeve vjetore, raportit të mjekësisë ligjore dhe të dhënave të tjera relevante). Pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave në dispozicion, do të lëshohet raport inspektimi në të cilin do të rekomandohen masat përkatëse”, sqaron krye inspektorja. 

Ajo thotë se në këtë fazë është herët për të folur për ndëshkim të ndonjë profesionisti shëndetësor.

“Sapo të dalë raporti i inspektimit, mund të prononcohemi për gazetën tuaj”, arsyetohet zyrtarja e MSH’së.

Prokuroria e shtetit dhe policia, thonë se janë duke e pritur raportin final autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore për këtë punë. Nga këto institucione hetimore thonë se pas raportit do të merren veprimet e tjera hetimore.

“Prokuroria është në pritje të autopsisë dhe më pas do të ndërmerren veprime tjera hetimore”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Nga familja e të ndjerit thonë se edhe pse Drin Leku kishte të vjella, atij i është dhënë thjesht një infuzion dhe mjekët nuk e kishin cilësuar si rast urgjent. Por dy ditë më vonë, për shkak të gjendjes së rëndë që sërish e kishte kapluar, ai iu drejtua Emergjencës sërish. Në këtë rast rasti u mor në trajtim nga mjekët, por 19 vjeçari vdiq me datën 8 të këtij muaji.

“E kanë sjell nëpër bodrume me një krevat shumë të thjeshtë, duke rrakatur, pa kurrfarë aparature. Nga 10-15 minuta kanë pritur liftin, prej atje gati gjysmë ore derisa kanë arrit nalt në intensivë. Ku është problemi, kush e merr fajin, me duar të mija e kam futur djalin e vëllait në operacion, duke vjell, tash me dërgua kufomën në shtëpi, çka t’i thojmë, djali jonë shkoi”, shpjegon axha i Drinit. Më tej ai ka treguar se djali kishte kërkuar ndihmë në Urgjencë.

“Djali i vëllait ka ardh në spital, të dielën, u operua, dy ditë ka qëndruar e ka vdekur. Arsyeja, tre ditë para se me hy në operacion, ka ardh në emergjencë ka marrë infuzion dhe e kanë kthyer prapë në shtëpi, me arsyen që është mirë, nuk ka asgjë kritike. E tretën ditë e kemi pru e kanë marrë, kur e kanë parë gjendjen serioze, e kanë futur në operacion, nuk e kanë ditë prej çka ankon. Ora 10 në mbrëmje e kanë dërguar në operacion në kirurgji abdominale, e kanë dërguar në sallën podrum jo atë të përditshmen, e kanë mbajt dy orë, pas dy ore kanë dalë na kanë informuar se gjendja është shumë e rëndë, por që problemi është se para dy vitesh është bërë operacion prej zorrës qorre dhe se ja kemi gjet një zorrë të kthyer e aty nuk i ka shkuar dy vjet ushqim sa duhet”, vijon ai më tutje.

Shkaku i vdekjes është i dyshimtë sa për shkak të neglizhencës, personelit mjekësor, aq edhe për shkak të një operacioni që e kishte i ndjeri para dy vitesh. Drini është operuar dy vjet më përpara nga zorra e verbër, nuk ka pas problem të shfaqur, tani mjekët kanë konstatuar se ka një problem në zorrë. Pse janë të dyshimta veprimet e personelit, sepse fillimisht nuk e kanë pranuar dy ditë, pas vdekjes nuk e dërgojnë në morg në frigorifer, por e lënë në korridor, nuk e lajmërojnë as policinë as prokurorinë deri në orën 8, vdes në orën 12 dhe e lajmërojnë në orën 8 e gjysmë. Është e tmerrshme sjellja dhe veprimi i personelit mjekësor i cili është betuar për shërbim human”, thotë avokati Cen Gashi, i cili sjelljen e personelit mjekësor po e shikon si të tmerrshme.

Ndërsa, ministri Ismaili ka deklaruar se kanë filluar procedurat me Inspektoratin Shëndetësor dhe se “çfarëdo lloj keq-menaxhimi i mundshëm do të përballet me rigorozitet nga ana e institucioneve’’.

Në Mjekësinë Ligjore po bëhen vlerësimet për këtë rast dhe pritet që pas disa ditësh të dalin rezultatet. Derisa Drin Leku ka ndërruar jetë në mesnatën e 8 gushtit, edhe përse ndihmën e kishte kërkuar qysh në datën 4 dhe 5, por ai u pranua në spital vetëm me datën 6.