Çeku flet për ‘Zërin’, tregon se a e kërcënoi prokurorin Blakaj

Kronika August 15, 2018 - 14:42
Lexoni më shumë detaje

Ish- kryetari i komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, aktualisht zëvendësministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka konfirmuar për “Zërin”, se ishte intervistuar prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj rreth procesit të verifikimit të statusit të veteranëve.

Zëvendësministri Çeku i kontaktuar nga “Zëri” ka konfirmuar se ishte intervistuar nga prokurori Elez Blakaj bashkë me anëtarët tjerë të këtij komisioni në maj të këtij viti, por shton se nuk ishte në dijeni se ishte ngritur aktakuzë ndaj tij.

LEXO EDHE: Prokurori i dorëhequr ngriti aktakuzë ndaj Agim Çekut dhe disa komandantëve

“Çka mund të konfirmoj është se unë dhe gjithë anëtarët e Komisionit kemi qenë të intervistuar nga prokurori Blakaj, disa muaj më herët më duket në muajin maj. Qysh atëherë kurrfarë lajmi s’kam”,  është shprehur Ceku për “Zëri”.

Ai ka pranuar se gjithë anëtarët e komisionit ishin intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.

Megjithatë ai shton se nga ajo kohë nuk ka pasur më asnjë kontakt apo njoftim nga ana e prokurorit rreth këtij rasti.

“Më ka ftuar me sqaruar se si ka shkuar procesi dhe asnjë përpjekje tjetër nuk ka pas as nga ai as nga ana ime. Nuk e di saktë, më duket të gjithëve na ka ftuar si të dyshuar, kam harruar  përmes telefonit  e kam pasur ftesën. Mund ta konfirmoj se gjithë anëtarët e komisionit, jo vetëm unë por të gjithë, një nga një nga ka thirr të gjithëve. Nuk kam vërejt asnjë element se ai mund të ngrit aktakuzë kundër nesh, por sidoqoftë nuk kam kurrfarë informacioni përveç asaj që lexova sot. Por që kam qenë i intervistuar po, unë dhe gjithë të tjerët”, thotë Çeku .

Ndryshe, prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj dyshohet se ka dhënë dorëheqje  për shkak të disa kërcënimeve që ka pasur rreth disa rasteve që kanë të bëjnë me terrorizëm dhe me hetimin e listave të fryra të veteranëve.

Ndërkohë në media është raportuar se Blakaj kishte ngritur aktakuzë ndaj Agim Çekut dhe disa ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rreth fryrjes së listave të veteranëve të UÇK-së. /ZËRI/