Kosova i përgjigjet Malit të Zi për kërkesën e ekstradimit të malazezëve

Kronika July 25, 2018 - 11:57
Lexoni më shumë detaje

Autoritetet e Malit të Zi  janë në pritje të ekstradimit të katër shtetasve të tyre, Mario Milosheviq, Gjorgje  Paviqeviq, Vukan Vujaçiq si dhe Igor Mashanoviq, raporton “Zeri.info”.

Dy të parët, Milosheviq dhe Paviqeviq janë arrestuar ditë më parë  në Prishtinë nën dyshimin për përfshirje në veprat penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës.

Derisa ndaj tyre kishte edhe urdhër-arrest ndërkombëtar për vrasje dhe rrëmbim e zhvatje.

Autoritetet malazeze pohojnë për “Zërin”, se tashmë janë krijuar kushtet që Ministria e Drejtësisë të kërkojë ekstradimin e Millosheviqit, Paviceviqit, Vujaçiqit dhe Mashanoviqit.

“ Ministria e Drejtësisë ka marrë njoftim zyrtar se, në bazë të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar të policisë së Malit të Zi dhe Kosovës, duke vepruar në bazë të një liste të të kërkuarve të INTERPOl-it të bërë nga Mali i Zi, në Republikën e Kosovës janë arrestuar Mario Milosheviq, Djordjije Paviqeviq, Vukan Vujaçiq dhe Igor Mashanoviq. Me këtë janë krijuar kushtet që Ministria e Drejtësisë të kërkojë që autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës t’i ekstradojnë personat në fjalë në Malin e Zi”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie dhënë për “Zëri”.

LEXO EDHE: Mali i Zi arreston serbin e dyshuar për vrasjen e 46 civilëve shqiptar

Për Mario Milosheviq, Vukan Vujaçiq dhe Igor Mashanoviq, Mali i Zi, sipas kësaj ministrie ka shpallur urdhër arrest ndërkombëtar në Interpol për të kryer procedimin penal për veprën penale të shkallës së parë Vrasje.

Ndërsa Gjorgje Paviqeviq kërkohet për shkak të arratisjes nga Spitali special Psikiatrik në Kotorr, ku ai po vuan një dënim me burg për veprën penale të rrëmbimit në bashkëveprim me veprën penale të tentim zhvatjes.

Autoritetet malazezë bëjnë të ditur se janë të njoftuar rreth procedurave penale që do ti kryejnë shtetasit e tyre në Kosovë, andaj pas kryerjes së këtyre procedurave presin edhe ekstradimin.

“Ministria e Drejtësisë u informua gjithashtu se Vujaçiq dhe Mashanoviq janë vendosur në Qendrën për mbajtje në Republikën e Kosovës, në mënyrë për të kryer procedura penale për krime të kryera në Republikën e Kosovës. Në pritje që këta persona të ekstradohet dhe të sillen para drejtësisë në Mal të Zi, theksojmë se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve është mënyra më efektive për të luftuar krimin e organizuar si një kërcënim për sigurinë e qytetarëve dhe zhvillimin e përgjithshëm dhe prosperitetin e çdo shoqërie”, është shprehur për “Zërin”, Djina Popovic nga MD-ja e Malit të Zi.

Në anën tjetër  autoritetet kosovare  pohojnë se ekstradimi i dy malazezëve, malazezëve  Mario Millosheviqit dhe  Gjorgje  Paviqeviq varet nga vendimi i  Gjykatës kompetente.

Zyrtarë nga Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrin e Drejtësisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se ekstradimi i dy shtetasve të Malit të Zi  varet nga vendimi që do të marr gjykata kompetente në Kosovë, që në këtë rast është Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se ekstradimi varet nga vendimi i Gjykatës, andaj pa vendim gjykate nuk ka ekstradime, kështu që gjithçka varet nga Gjykata dhe jo nga Ministria e Drejtësisë. Gjithashtu, në mes Republikës se Kosovës dhe Republikës se Malit të Zi ekstradimet realizohen mbi bazën e parimit te reciprocitetit”, kanë bërë të ditur zyrtarë të MD-së nga ky departament.

Ndryshe, dy ditë pas arrestimit të tyre nga Policia e Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy malazezëve, Mario Millosheviq dhe Gjorgje  Paviqeviq , shtetasit serb Strahinja Dankoviq si dhe kosovares Laureta Zyba.

Dy shtetasit malazezë Millosheviq dhe Paviqeviq janë të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar nga Mali i Zi. /ZËRI/