Shtohen aksidentet me fatalitet në rrugët e Kosovës

Kronika July 24, 2018 - 08:41
Detajet

Pas dy aksidenteve me fatalitet që kanë ndodhur ndërmjet 22 dhe 23 korrikut, në të cilat mbetën të vdekur një 20-vjeçar në Mitrovicë dhe një 56-vjeçar në Skenderaj, Policia Rajonale e Mitrovicës ka dalë me një apel tjetër për drejtuesit e automjeteve. Policia ka apeluar që të shtohet kujdesi në komunikacion, pasi rrugët tashmë janë bërë vrasëse të shumë njerëzve, ku viktima janë edhe fëmijët. Policia ka bërë apel për kujdes të shtuar me qëllim të parandalimit të aksidenteve nëpër rrugë, në të cilat po humbin jetë njerëzish, madje edhe familje të tëra, shkruan gazeta "Zëri". 

Vetëm në 24 orët e fundit në rajonin e Mitrovicës kanë ndodhur dy aksidente, në të cilat kanë humbur jetën dy persona, i riu nga Frashëri i Mitrovicës Rifat Ahmeti (20) dhe Zenel Goxhuli (56) nga Makërmali i Skenderajt.

LEXO EDHE: Vazhdon kokëçarja me gjobat e Policisë

“Duke marrë parasysh fluksin e shtuar në trafikun rrugor, rritjen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale, veçanërisht dy rasteve të fundit në zonën e përgjegjësisë së rajonit të Mitrovicës, ku ndërmjet datave 22 dhe 23 korrik 2018 kanë ndodhur dy aksidente me pasoja tragjike, ku kanë humbur jetën dy persona. Në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik janë ndërmarrë dhe po ndërmerren masa shtesë duke shtuar kapacitetet e njësive”, thuhet në njoftimin e Policisë Rajonale të Mitrovicës. 

Më tej bëhet e ditur se në mbështetje të njësive të trafikut rrugor janë angazhuar edhe njësi shtesë nga niveli i stacioneve policore, me ç’rast për pjesëmarrësit të cilët bien ndesh me rregullat që parasheh ligji në trafik po shqiptohen masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti të këtyre me pasoja fatale.  Policia Rajonale e Mitrovicës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion për kujdes të shtuar.

“Duke pasur parasysh të dyja rastet tragjike të fundit, Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të shtojnë kujdesin dhe vigjilencën gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, të respektojnë dispozitat ligjore, sinjalistikën rrugore, t’u përshtaten kushteve të rrugës, të mos drejtojnë automjetet derisa janë në ndikim të lodhjes, të gjumit ose nën ndikim të alkoolit, t’i shmangen përdorimit të telefonit gjatë ngasjes, si dhe veprimeve tjera që mund të shkaktojnë rrezik e pasiguri gjatë drejtimit të automjetit”, thuhet mes tjerash në apelin e Policisë Rajonale të Mitrovicës.

Dje gjatë ditës është raportuar edhe për një aksident tjetër në fshatin Gllarevë të Klinës, në të cilin mbetën të vdekur dy persona, si dhe tre të lënduar. Sipas Policisë, njëri prej të lënduarve ka mbërritur pa shenja jete në QKUK.

Lajmin për vdekjen e të aksidentuarit të tretë për “Kallxo.com” e konfirmoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova.

Zëdhënësi tha se i lënduari në aksidentin që ka ndodhur rreth orës 14:10 minuta e i cili ishte nisur për në Prishtinë ka mbërritur pa shenja jete në QKUK.

Viktimat janë dy burra dhe një grua, ndërsa dy persona të tjerë të lënduar në aksidentin ku ishin të përfshirë dy vetura dhe një autobus po trajtohen në Spitalin e Pejës.