Vazhdon kokëçarja me gjobat e Policisë

Kronika July 24, 2018 - 08:25
Qytetarët në hall me shfaqjen e gjobave në trafik në web faqen e policisë

Alban Zeneli, nga Mitrovica, është befasuar kur në faqen zyrtare të Policisë për Menaxhimin e Gjobave në Trafik ka parë se figuron një gjobë, të cilën ai e kishte paguar një javë pas shqiptimit të dënimit nga Policia, shkruan sot gazeta "Zëri". 
Zeneli për gazetën “Zëri” ka rrëfyer shqetësimet e tij kur ka parë që gjoba, të cilën e kishte paguar, ende i figuronte si e papaguar disa muaj më vonë.
Edhe pse gjoba për kundërvajtje i ishte shqiptuar në fund të muajit shkurt dhe pagesa ishte bërë në fillim të muajit mars Zenelit gjoba e papaguar i figuronte edhe në fillim të muajit korrik 2018, kur ishte bërë lansimi i uebmodulit të publikuar në uebfaqen zyrtare të PK-së.

LEXO EDHE: Këshilli i Ministrave i BE-së, sfida kryesore për vizat
“Kam hyrë për kureshtje t’i shohë dënimet e mia, edhe pse një dënim të mëhershëm që e kisha e pata paguar menjëherë pas një jave me idenë ta paguaj për gjysmë siç është me ligjin e ri. Mirëpo kur kam hyrë ta shikoj në faqe ka figuruar si e papaguar dhe se ende është në Polici. Unë kam pasur shqetësim, sepse mendoj se Policia duhet të ketë informata a paguhen ato gjoba ose jo, qoftë nga Banka Qendrore, etj, t’i verifikojë ato pagesa, pasi nuk është punë e qytetarëve verifikimi i pagesës, por veç të paguajë dënimin”, është shprehur ai. 
Ai nuk është i vetmi i cili është ballafaquar me probleme të tilla. Pasi kishte publikuar shqetësimin e tij për këtë çështje, Zeneli thotë se kishte pranuar edhe shumë shqetësime të tjera nga shokët e tij.

“Kur e kam ndarë shqetësimin tim me shokët në ‘Facebook’ më janë paraqitur shumë raste interesante. P.sh. ka raste kur një person që është i Mitrovicës është dënuar në Prizren me 40 euro, ai është dashur të paguajë 20 euro, por i kanë shkuar edhe 20 euro tjera naftë për të shkuar në Prizren të dëshmojë në stacion, në të cilin e kanë dënuar se nuk ka më dënim. Kjo s’ka kurrfarë logjike për mendim tim sepse nganjëherë shpenzimet janë më të mëdha për të dëshmuar që ke paguar sesa dënimi”, rrëfen Zeneli.

Policia: Pas shlyerjes së gjobës fletëpagesa të dërgohet në stacionin më të afërt policor
Mirëpo Policia e Kosovës për këtë çështje arsyetohet se nuk ka mekanizma nga bankat që të njoftohet për pagesat e gjobave të qytetarëve. Andaj për këtë zyrtarë të Policisë së Kosovës kërkojnë që qytetarët të merren personalisht me dëshminë e pagesës së gjobave.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, pohon se pas shlyerjes së gjobës fletëpagesa të dërgohet në njësinë e cila e ka shqiptuar gjobën ose edhe në stacionin më të afërt policor.
“Policia e Kosovës aktualisht nuk ka mekanizëm që të njoftohet nga banka se kush e ka paguar gjobën e kush jo. Andaj, kërkojmë nga të gjithë qytetarët që pas kryerjes se pagesës në bankë fletëpagesa që konfirmon kryerjen e obligimit të dërgohet në njësinë e cila e ka shqiptuar gjobën ose në stacionin më të afërt policor, ku do të evidentohet pagesa dhe do të largohet nga sistemi gjoba e paguar”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi sqaron se sa i përket gjobave të cilat i shqipton Policia në trafikun rrugor asnjë qytetari nuk i ndalohet kalimi i kufirit.
Sipas tij, në stop-listë futen vetëm personat që nuk i kanë zbatuar urdhëresat e gjykatës, që mund të jenë edhe persona të cilët kanë bërë shkelje në trafik, por vetëm atëherë kur rasti është në gjykatë. “Por, në stop-listë me vendim/kërkesë të gjykatës futen vetëm personat të cilët nuk i kanë zbatuar urdhëresat/vendimet e gjykatës (urdhëresa/vendime të cilat mund të jenë edhe për shkelje në trafik, por të proceduara nga gjykata) dhe për këtë gjykata kërkon nga Policia që këta persona të ndalohen kudo që hasen në kufi ose diku tjetër”, është shprehur Krasniqi. 


Islami: Policia dhe institucionet përkatëse duhet t’i bartin dështimet e veta
Për njohësit e çështjeve të sigurisë është absurde futja e gjobave dhe e dënimeve të komunikacionit në databazat e pikave kufitare.
Njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami e quan metodë brutale. Sipas tij, normale është që në listën e bazave të pikave kufitare të futen persona të kërkuar për vepra penale, por jo edhe për gjoba të komunikacionit. Sipas tij, dështimet  e institucioneve, duke u nisur nga Policia e deri te Posta e Kosovës duhet të ndiqen penalisht. “Dështimet e sistemit Polici – Prokurori - Gjykatë dhe Posta e Kosovës po përpiqen tash t’i përmirësojnë, ata që e kanë vënë në praktikë këtë mënyrë për pagimin e gjobave duhet të shkojnë me përgjegjësi penale”, pohon ai.