Këshilli i Ministrave i BE-së, sfida kryesore për vizat

Aktuale July 24, 2018 - 07:46
Mësoni më shumë detaje

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pranuar se sfida kryesore për liberalizimin e vizave me BE-në mbetet Këshilli i Ministrave, në të cilin disa ministra janë më konservatorë për këtë çështje. Ambasada e Gjermanisë ka konfirmuar për “Zërin” se ka disa dilema për heqjen e vizave

Qeveria e Kosovës po e pranon se pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian (BE) për liberalizimin e vizave për Kosovën sfidat kryesore janë te Këshilli i Ministrave i BE-së.

Ky reagim i ekzekutivit të vendit vjen pas deklarimit të Ambasadës Gjermane në Prishtinë për gazetënZëri, ku bëhet e ditur se qeveria e tyre ende nuk i ka përfunduar diskutimet për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Qeveria gjermane mirëpret faktin që Komisioni Evropian ka dhënë një mendim lidhur me përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria gjermane ende nuk i ka përfunduar diskutimet rreth kësaj çështjeje”, kanë thënë ditë për parë për Zërin zyrtarë të Ambasadës Gjermane.

Por ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, pranon se disa ministra të BE-së janë më konservatorë për këtë çështje.

"I gjithë ky proces duhet të përmbyllet në mes të traktatit të BE-së dhe të Kosovës. E pranoj që mund të kemi sfida në Këshillin e Ministrave pasi disa ministra janë më konservatorë, mirëpo ne jemi duke hartuar një plan veprimi së bashku me Qeverinë, pastaj me Kuvendin dhe me Komisionin, ku do të lobohet te shtetet për t’i paraqitur të arriturat e Kosovës", ka thënë Hoxha në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane.

Ajo ka sqaruar edhe hapat e mëtutjeshëm për liberalizim të vizave. "Është një lajm i mirë që ne pranuam lajmin e mirë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Ka qenë një lajm i qartë pa dykuptimësi, por kjo është vetëm hapi i parë. Hapi tjetër është në Komisionin për Politikat e Qytetarëve, takim ky që do mbahet më 29 gusht. Pastaj aty jepet mandati negociues dhe fillon dialogu mes shteteve", tha Hoxha.

Qeveria: Në fund të vitit qytetarët lëvizin pa viza

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit Ramush Haradinaj për të marrë përgjigje për planin e veprimit për lobim. Ata thonë se Kryeministria po bashkëpunon me të gjitha institucionet për arritjen e rezultateve sa më të mira, duke mos dhënë më shumë detaje se çfarë do të përmbajë ky plan i veprimit.

“Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera relevante janë duke punuar intensivisht në arritjen e rezultateve sa më të mira në politikën e jashtme”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ndërkohë janë shprehur të bindur se në fund të këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. “Tashmë e dini që Qeveria i ka shpallur prioritetet e saj dhe po punohet intensivisht në këtë drejtim. Kemi edhe rezultate konkrete, në bazë të të cilave ka ardhur edhe rekomandimi, siç besojmë që deri në fund të vitit qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin lirshëm, pa viza”, thuhet në këtë përgjigje.

Kurteshi: Bindja e shteteve anëtare të BE-së s’është e lehtë

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi, njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se gjatë ditës së djeshme ky Komision ka shqyrtuar këtë çështje dhe ka folur edhe për një strategji të mundshme për lobim. “Ministrja u shfaq shumë optimiste dhe përmendi shumë pika nëpër të cilat do të kalojë ky propozim i Komisionit Evropian. Folëm edhe për strategjitë e për planet e punës dhe shtrova një pyetje konkrete se a do të kushtëzohet tash liberalizimi në koncesione të reja në bisedime dhe ajo tha që kjo nuk do të ndodhë dhe se do të bisedojë me homologët e saj nëpër Evropë që ta kryejnë këtë punë si duhet”, ka thënë Kurteshi.

Ai po ashtu tha se bindja e shteteve që janë skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk do të jetë aq e lehtë sa po deklarohet ministrja Hoxha dhe Qeveria.

“Megjithatë unë mendoj që ka shumë punë për t’u bërë dhe shpresoj që Qeveria do t’ia dalë ta bindë Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave. Mirëpo mua nuk më duket kjo çështje kaq e lehtë sa ministres”, ka përfunduar ai.

Fetoshi: Nëse lobohet në shtetet rezistuese në dhjetor lëvizim lirshëm

Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka thënë se hezitimet që shfaqen sidomos nga vendet mbështetëse të Kosovës si Gjermania, Franca ose ndonjë tjetër, janë pjesë e presionit për vazhdimin dhe për forcimin e luftës kundër korrupsionit e kundër krimit të organizuar. Përveç kësaj ai tha se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në mënyrë që së pari t’ua sqarojnë qytetarëve marrëveshjen. Në ndërkohë ai tha se duhet të formohet një grup lobues me përbërje adekuate. “Krahas një angazhimi serioz duhet edhe komunikimi me qytetarët për t’ua shpjeguar në mënyrë sa më të plotë marrëveshjen. Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë aktive edhe në raport me shtetet anëtare që kanë rezerva. Duke pasur parasysh që vendimi përfundimtar merret në Këshillin e BE-së, Qeveria do të duhej ta fillonte menjëherë lobimin te secili prej këtyre shteteve përmes një task-force ose grupi punues me përbërje adekuate”, tha Fetoshi.

 

Tutje ai tha se në qoftë se vendimi për liberalizimin nuk lidhet me dialogun dhe nëse Qeveria tregohet efikase me shtetet hezituese qytetarët do të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti. “Në qoftë se BE-ja nuk do ta ndërlidhë vendimin me ndonjë proces tjetër siç është dialogu me Serbinë, atëherë jam i bindur se procedura mund të përfundohet brenda këtij viti, përkatësisht në nëntor ose në dhjetor, në mënyrë që udhëtimi pa viza për kosovarët të fillojë para Vitit të Ri. Nëse Qeveria e Kosovës do të tregohet efikase në lobimin me shtetet hezituese Këshilli do ta miratojë rekomandimin me shumicë të kualifikuar, pra Spanja ose ndonjë tjetër s’do të mundë ta pengojnë dhe 20 ditë pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të BE-së marrëveshja hyn në fuqi”, tha ai. /ZERI