Policia e Kosovës demanton mediat serbe lidhur me pjesëtarët serb të FSK-së

Kronika July 10, 2018 - 11:13
Detajet

Policia e Kosovës përmes një komunikatë për media ka demantuar pretendimet e mediave serbe lidhur me largimet e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, raporton “Zëri.info”.

Sipas policisë pretendimet e mediave serbe janë vetëm spekulime.

“Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë. Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

LEXO EDHE: Mediat serbe: Policia e Kosovës bastisë shtëpitë e ish-pjesëtarëve serbë të FSK-së

Gjatë ditës së sotme mediat serbe kanë raportuar se pjesëtarë të Policisë së Kosovës sot kanë bastisë ambientet e Qendrës kulturore dhe arsimore ‘Bozhidar Mitrovic Sandor’ në Shillovë të Gjilanit. RTV Puls në Shillovë raporton se njësia speciale ka kërkuar shtëpitë e ish-anëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës të përkatësisë etnike serbe të cilët e kanë lënë shërbimin.

Policia e Kosovës sot ka arrestuar pesë të dyshuar serbë nën akuzën e pjesëmarrjes në veprimtari të rrezikshme për sigurinë e Kosovës.

Sot, me datën 10 korrik 2018, pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjykatës kompetente është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshin disa lokacione të rajonit të Gjilanit. Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona (m/s/k), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur policia. /ZËRI