Zharku: Jam kthyer ta zhvilloj Kosovën!

Kronika June 13, 2018 - 07:56
Lexo detajet

Pas arratisjes 6 vjeçare në Suedi, duke refuzuar që ta mbaj dënimin me 3 vite burg në Kosovë, ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, thotë se është kthyer ta zhvilloj ekonominë e vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Xhabir Zharku, ish-kryetari i Kaçanikut, konsideron se e ka zbatuar vendimin e Gjykatës me vet faktin që për gjashtë vite nuk ka mundur të kthehet në Kosovë, por, siç thotë ai, është detyruar të qëndroj në Suedi.

LEXO EDHE: Konsensusi i pamundur

Ai ka qenë i dënuar me tri vite burgim në Kosovë, të cilin nuk e ka mbajtur asnjëherë, por insiston se vendimi i organeve të drejtësisë ka qenë i padrejtë, prandaj ka vendosur që mos t’i përgjigjet këtyre të fundit.

“Unë e kam mbajtur dënimin, sepse në bazë të Ligjit thuhet se ose duhet të shkosh në burg ose duhet të jesh larg. Unë i kam plotësuar të gjitha ato kushte, pasi që kam qëndruar 6 vite larg Kosovës, ku kam qenë i denuar me tri vite burgim”, ka thënë Zharku gjatë një interviste për “Zërin”.

 Ai sqaron se pas kthimit të tij në vendlindje prioritet e ka zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Pas kthimit në familje prioritet e kam zhvillimin e Kosovës. Për momentin nuk mendoj të merrem me politikë”, ka thënë mes tjerash Zharku. 

Zëri: Z. Zharku ditë më parë keni ardhur nga Suedia në Kosovë, ku ishit i dënuar me tri vjet heqje lirie nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Pse vendosët mos të rrini në burg si shumë të dënuar të tjerë nga Gjykatat?

Zharku: Kur më është ngritur aktakuza, si dhe është bastisur shtëpia ime, unë kam qenë me pushime në Suedi te prindërit e mi dhe posa kam marr lajmin jam kthyer në Kosovë dhe i jam përgjigjur të gjitha procedurave ligjore, të gjitha kërkesave të gjykatës dhe deri në fund kam pasur mendimin që edhe pse i padrejtë të shkoj ta vuaj edhe dënimin. 

Por, meqë kohëve të fundit, pak para se me ardhur koha për ta vuajtur dënimin kam arritur te argumentet e reja, të cilat kanë dëshmuar pafajësinë time dhe jam munduar nëpërmjet organeve të Kosovës...që e kam sqaruar edhe më herët se e kam kontaktuar edhe ministrin e atëhershëm të Brendshëm, të ndjerin Bajram Rexhepi, i cili ka njoftuar edhe organet tjera, drejtorin e drejtorisë së Policisë së Kosovës dhe drejtorin e Krimeve të Rënda të Kosovës, të cilët i kanë marrë ato argumente i kanë shqyrtuar, kanë bërë edhe përgatitjet dhe simulimin që njerëzit të cilët kanë kërkuar mjete financiare që të më lirojnë mua nga akuza t’i zënë në vend të ngjarje.

Por, në fakt gjysmë ore para se të ndodh aksioni është anuluar për arsye se është kuptuar se aty janë të implikuar edhe ndërkombëtarët dhe siç është thënë atëherë se nuk mundet ndërkombëtarëve të ngritët aktakuza. Në ato momente kur e kam parë se këtu nuk ka drejtësi dhe vetëm për dëshirën apo për teket e dikujt dikush duhet të shkoj të vuaj dënimindhe duhet të bëhet një raport se u dënua një kryetar i komunës, unë nuk kam qenë më i gatshëm që të vuaj dënimin për një vepër të cilën nuk e kam bërë

Zëri: A ju kujtohet si shkuat në Suedi, si e kaluat kufirin e Kosovës?

Zharku: Po qysh nuk më kujtohet, sepse këtë ngjarje e kam dëgjuar disa herë duke e manipuluar opinionin se gjoja unë kam qen i ndihmuar  nga organet e shtetit. Organet e Shtetit kanë kryer punën e tyre dhe unë kam dal nga Kosova si qytetar i lirë. Unë kam poseduar pasaportën suedeze dhe kam dal nëpërmjet kufirit në Maqedoni për të udhëtuar në Suedi nga aeroporti i Shkupit.

Kjo është një çështje që ka mund me u vërtetua shumë thjeshtë, por dikujt, disave jo të gjithëve, gazetarëve apo disa portaleve ju ka interesuar që vazhdimisht me spekuluar dhe akuzuar qeverinë dhe organet e saj se gjëja po i ndihmon njerëzit të arratisen nga Kosova. Gjë që nuk është e vërtet, por e vërteta është që dikush vazhdimisht mundohet me e paraqit Kosovën terr e zi, mundohet organet më vitale të saj, siç është Policia e Kosovës t’i pares si njerëz të inkriminuar në krime. Më vjen shumë keq, edhe pse unë jam munduar në ndonjë rast me sqaruar, nuk është marr për bazë dhe vazhdimisht spekulohet. 
 

Zëri: Z.Zharku ju thatë që kishit arritur të siguronit prova të reja që dëshmonin që nuk ishit fajtor. Pse institucionet tona nuk arritën të ndihmojnë që ju ta dëshmoni këtë?

Zharku: Për atë ju duhet të ju drejtoheni institucioneve tona dhe ata ta japin fjalën. Unë përmenda emra, përmenda institucionin edhe për mua kjo është e çuditshme, edhe unë i bëj pyetje vetit pse dikush nuk është i interesuar që t’i ndriçon rastet deri në fund. Çfarë e keqe do të ishte sikur të ishte kthyer lënda në rigjykim. Vazhdimisht edhe nga Suedia kam kërkuar që lënda të kthehet në rigjykim dhe të shqyrtohen të gjitha provat, të cilat nuk kane qenë të shqyrtime.

Gjyqi në të cilin unë kam qen pjesë, ka qenë jashtëzakonisht i padrejtë, nuk janë shqyrtuar të gjitha provat, nuk janë bërë analizat e  provave, nuk kanë ardhur njerëzit e duhur si dëshmitar  për të dëshmuar se qysh shkojnë proceset. Janë marr vetëm elementet të cilat akuzojnë, por edhe ato nuk kanë qenë të plota dhe bindëse, por vetëm deklarata të individëve, deklarata më shumë politike, sepse vet rasti është politik.

Po flasim për një ngjarje e cila ka ndodhur në 2006-ën ku unë kam qenë vetëm në një rast prezent. Dhe ai rast mund të kualifikohet si rast në kohën e gabuar, me njerëzit e gabuar dhe në vendin e gabuar jam ndodh unë.

Zëri: Kujt i kishit kërkuar që rasti të kthehej në rigjykim. E keni bërë këtë kërkesë nga Suedi tek organet e drejtësisë Kosovare?

Zharku: Unë kam kërkuar nëpërmjet avokatit tim që rasti të kthehej në rishqyrtim, kam kërkuar edhe nëpërmjet zyrtarëve e të lartë të EULEX-it, të cilët kanë qenë në një takim zyrtarë, të cilët e kanë kërkuar nëpërmjet organeve suedeze. Unë me zyrtarë të lartë të EULEX-it jam takuar në Suedi në prezencën e zyrtarëve të lartë të shtetit Suedez dhe avokatit tim.  Edhe aty i kam shqyrtuar këto çështje, i kam bërë këto kërkesa por nuk është bërë asgjë, sepse qëllimi i dikujt ka qenë vetëm të dënohen, të futen njerëzit në burg dhe dikush të kënaqet me deklarata, me raportet, të arsyetohen raportet, të arsyetohen qindra miliona euro që hyjnë e dalin në Kosovë dhe nuk zhvillohet asgjë dhe s’argumentohet asgjë.

Zëri: A kishit sugjerim nga ndonjë mik i juaj politikan që të shkoni në Suedi, pasi që Kosova nuk ka pasur marrëveshje ekstradimi me këtë shtet Skandinav?

Zharku: Jo absolutisht. Unë thash që në fillim se kam qenë i vendosur të shkoj të mbaj edhe burgun, por në fund kur e kam parë që nuk vlejnë argumentet dhe nuk vlejnë asgjë që prezanton para organeve dhe nuk duan që ta nxjerrin të vërtetën në shesh, atëherë në fund kam vendosur, mund të them tre-katër ditët e fundit kam vendosur që të mos shkoj ta vuaj dënimin. Në fakt në momentin që është ndërprerë aksioni, unë prapë jam kthyer te ministri i atëhershëm z.Rexhepi dhe i kam treguar se çka ka ndodhur, ai në një mënyrë ka kërkuar falje ka thënë se kaq është puna ime dhe tani mund të drejtohesh te ministri i Drejtësisë, të cilit edhe i jam drejtuar, por ai ka thënë se nuk ka kohë, ka pasur takime me ndërkombëtar, agjendën e  tij dhe unë atëherë kujt ti drejtohem.

Zëri: Ministri Hajredin Kuçi?

Zharku: Kuçi atëherë ka qenë dhe unë kam pasur bashkëpunim mjaft të mirë me të, por në momentin e fundit ai nuk i është përgjigjur kërkesës time dhe kujt duhet t’i drejtohem. Të shkoj të ja bëj qefin dikujt dhe për qejf të dikujt të shkoj ta vuaj dënimin dhe të themi se u vu drejtësia në vend. Kjo nuk është në rregull. Ne duhet të luftojmë që drejtësia të zgjidhet deri në fund. Unë natyrisht kam shfrytëzuar pasaportën time suedeze, kam shfrytëzuar mundësitë e mia për tu larguar nga Kosova, unë s’kam ikur nga Kosova.

Zëri: A kanë bërë kërkesë për ekstradim në Suedi apo jo institucionet kosovare të drejtësisë?

Zharku: Padyshim po se unë jam i njoftuar nga organet e Suedisë dhe për atë unë them se një pjesë e gazetarëve apo portaleve janë jashtëzakonisht destruktiv që nuk  e lajmërojnë qytetarin e Kosovës ashtu siç duhet. Organet e Kosovës kanë bërë të gjitha kërkesat të cilat detyrohen t’i bëjnë në mënyrë ligjore. Unë kam qenë i njoftuar nga organet e Suedisë që është bërë kërkesa, është bërë kërkesa edhe për të vuajtur dënimin aty, për të mbajt burgun aty, por dikujt i intereson që t’i paraqet organet e Kosovës terr e zi, sepse ashtu e ka udhëzim nga padronët e vet. 

Zëri: Çka u keni thënë ju organeve suedeze kur u kanë njoftuar për këtë kërkesë?

Zharku: Ne vetëm kemi diskutuar, u kam thënë se unë jam largu për shkak të këtyre qysh po e shpjegoj tani, dmth pak në mënyrë më të detajuar atyre dhe zyrtarëve të Eulex-it gjëra që po i them këtu dhe gjëra që nuk mund ‘i them këtu sepse janë nën hetime, jo vetëm për rastin tim por edhe për raste të tjera, kështu që ata janë pajtuar plotësisht edhe ata veprojnë sipas ligjeve, nuk veprojnë sipas tekeve.
“Me biznesin tim në Suedi promovoja prodhimet kosovare”

Zëri: Çka punuat gjatë periudhës 6 vjeçare në Suedi dhe a qëndruat mirë financiarisht?

Zharku: Unë jam marr me punët e mia. Menjëherë kam themeluar një ndërmarrje të ndërtimtarisë për riparimin e shtëpive, kam një depo aty. Materialet të cilat prodhohen në Kosovë, jo vetëm të mijat por edhe të ndërmarrjeve të tjera që prodhohen në Kosovë mundohem t’i fus në tregun suedez. Kështu që deri tani kam pasur pak vështirësi, por ka filluar një mirëkuptim dhe kam filluar nëpërmjet punës dhe angazhimit tim që t’i reklamoj materialet e Kosovës dhe mjaft ndërmarrje shqiptare që operojnë në Suedi, kanë filluar që të njoftohen me ato materiale dhe ti fusim në tregun suedez, sepse unë mendoj se tani lufta kryesore duhet të bëhet në zhvillimin e ekonomik të vendit.
Vizita nga politikanët

Zëri: A erdhi ndonjë politikan kosovarë t’iu vizitoj pas kthimit tuaj apo ende jo(Kush)?

Zharku: Unë kam pasur vizita nga shokët e mi. Shokët e mi dhe rrethi im familjar dhe shoqëror merren edhe me politikë, por nuk kanë ardhur si politikan me më vizitu, kanë ardhur njerëz të familjes, miq, shokë, bashkëluftëtarë që të jenë afër meje.

Zëri: A nuk doni ti tregoni emrat?
Zharku:
Absolutisht jo.

Zëri: Kthimi juaj në Kosovë pa e mbajtur dënimin me burg u kritikua shumë, si një shembull i keq për sistemin e drejtësisë së Kosovës. A pajtoheni se drejtësia dështoi përballë një politikani, siç ishit ju?

Zharku: Jo absolutisht unë i kam ndjekur proceduat, unë kam mbajtur dënimi, sepse në bazë të ligjit thuhet se ose duhet të shkosh në burg ose të jesh larg. Unë i kam plotësuar të gjitha ato kushte, unë e konsideroj veten më shumë se ai dënim e kam dënuar veten,  sepse para tre vjetëve unë do të isha i lirë në shtëpinë tim, kurse unë i kam bërë afër gjashtë vjet larg Kosove dhe tani jam kthyer, do të thotë ajo çështje është e përcaktuar me ligj.

Zëri: Ju po konsideroni që veç e keni kryer dënimin?

Zharku: Absolutisht po, por unë tani do të vazhdoj luftën time për të kërkuar drejtësi rreth kësaj ngjarje dhe nuk do ndalem me kaq.
 

Zëri: Pse refuzuat të qëndronit në burg dhe të ballafaqoheni me drejtësinë vendore, siç u ballafaquan shumë bashkëluftëtarë tuaj si: Sylejman Selimi, Fatmir Limaj, Azem Syla, Sami Lushtaku...?

Zharku: Unë i kam pasur mundësitë dhe kam bërë luftën për të paraqitur pafajësinë time dhe nuk kam mundur deri në momentet e fundit dhe e kam parë që nuk është e arsyeshme të qëndroj dhe i kam pasur mundësitë e ndryshme. Ju i përmendët disa emra, këta emra përmenden edhe në listën e Serbisë, dhmth të gjithë njerëzit e luftës, të cilët i ka futur  në një listë Serbia, të gjithë këta njerëz në një mënyrë apo tjetër po akuzohen.

Ajo çka është më e keqja duke u akuzuar këta po mundohet që të komprometohet lufta. Nëse Xhabir Zharku ka bë një të keqe le t’i thuhet Xhabir Zharkut, përmendja e emrit ish-komandantit i Brigadës 162  Xhabir Zarku është tendencioze apo cili do qoftë komandant. 

Zëri: Mirë, pasi jemi tek komandantët, si e vlerësoni themelimin e Gjykatës Speciale, a besoni se do ta njollos emrin e UÇK-së?

Zharku: Qëllimi është me kompromentu luftën e UÇK-së. Kanë qenë dy organe  ndërkombëtare në Kosovë, ka qenë UNMIK-u dhe EULEX-i dhe më e keqja është se po e shihni që në panelet e Gjykatës Speciale po rekrutohen njerëz të cilët në UNMIK dhe EULEX. Pse na u është dashur që prapë të formohet një Gjykatë Speciale.

Unë nuk i akuzoj ata të cilët e kanë votuar këtë gjykatë sepse kanë qenë para një presioni  shumë të madh. Ata e kanë votuar me qëllimin më të mirë për të dëshmuar prapë pafajësinë dhe pastërtinë e UÇK-së . Por një pjesë që sot po mundohen të na shesin mend dhe të thonë se po këta e votuan vet, janë ata të cilët e kanë pru situatën deri në votimin e  Gjykatës Speciale, janë disa të cilët kanë bërë edhe lista për ti akuzuar ushtarët apo udhëheqësit e UÇK-së. 

Zëri: Dënimin ndaj jush është shqiptuar nga një panel i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it. Keni deklaruar se ky mision ka pasur për qëllim dënimin tuaj. Pse?
 

Zharku:  Jo vetëm mua, ata kanë dashur patjetër për ta arsyetuar vetveten këtu. Ata po shihet se kanë qenë një grup i paaftë, të cilët nuk kanë pasur aftësi që t’i zgjedhin problemet. Ka shumë arsye pse, sepse unë kam qenë  pak i padëgjueshëm, po e them ne thonjëz ndoshta e kam lyp dënimin sepse nuk kam qenë fort i dëgjueshëm për ta. Unë kam kritikuar edhe sjelljet e tyre me dy fytyra, ata kanë një rregullore tjetër në Gjermani, Zvicër, Suedi dhe këtu kanë vepruar ndryshe.

Unë sjelljet e tyre i kam parë me fillim dhe UNMIK-un e kam quajtur Unmikistan. E kam parë që ata janë sjell shumë keq këtu dhe sigurisht kjo është ajo që ata nuk janë pajtuar me njerëzit të cilët i kritikojnë dhe u japin kritika.

Zëri: Kosova është në prag të vendimit për liberalizim të vizave. A mendoni se kthimi juaj do të ketë efekt negativ në këtë proces, pasi që luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë njëri nga kushtet e BE-së për vizat?

Zharku: E dëgjova nga dikush që e tha në një debat, kjo është shumë qesharake. Kosova nëse ka ngel vetëm në çështjen time për liberalizimin e vizave u them atyre, po e them bash kështu  shqip torollakëve që merren me këtë çështje se unë vij nga një shtet i Bashkimit Evropian këtu. Kam qenë në Suedi dhe kam udhëtuar gjithandej Evropës dhe askush s’ më ka ndal, këta janë njerëz të cilët duan me manipuluar opinionin me këto budallallëqe. Nëse Kosova e ka vetëm problemin tim e nuk ka më shumë probleme për liberalizimin e vizave, atëherë ju them se jemi në rrugë të mirë.

Zëri:  Me çka do të merreni tash e tutje në Kosovë. Do t’i ktheheni politikës apo do të vazhdoni me biznes(Nëse po me cilën parti, PDK-në apo...?

Zharku:Unë kam ardhur me familjen time dhe  prioriteti më i madh është zhvillimi i Kosovës dhe ecja përpara me ekonomi. Unë jam kthyer në familjen time nuk kam menduar për ato çështje, nuk mendoj një herë që të merrem me politike, koha do ta tregoj, për momentin nuk kam përgjigje ndaj kësaj çështje.

Zëri: Kaçaniku vazhdimisht është udhëhequr nga PDK, pjesë e së cilës keni qenë ju. Si është udhëhequr kjo Komunë prej sa s’keni qenë ju në Kosovë, a vërejtët ndryshime?

Zharku: Ndryshimi më i madh vërehet nga dritarja ime, këtu e sheh një ndryshim, një autostradë  kolosale dhe e madhe, një zhvillim shumë i madh. Për juve që keni qenë gjatë tërë kohësh këtu mund edhe mos ti vëreni, por ka ndryshime.

Zëri: Veç pozitive apo edhe negative?

Zharku: Unë mendoj se ka ndryshime shumë më shumë pozitive. Kosova po ec shumë shpejt përpara, por fatkeqësia është se këto të arritura të Kosovës askush nuk po i promovon, po i promovojnë vetëm çështjet negative. Edhe mediat edhe politikanët në Kosovë pavarësisht kundërshtimeve mes veti, duhet ti promovojnë më shumë vlerat se sa antivlerat.

Zëri: Palmat që i mbollët janë tharë. A është ky njëri nga dështimet e qeverisjes komunale?

Zharku: Nuk e di. Këto palmat e mija që i kam këtu në oborr janë mirë, pjesa më e madhe e tyre janë mirë, e atje që janë tharë nuk e di. Tani unë nuk jam në gjendje të them se dështim i kujt kanë qenë, por megjithatë komuna tani i kishte disa drunj të mirë dhe ka gjelbërimin.  Me rëndësi që të punohet, unë mendoj që është shumë e rëndësishme të punohet.

Zëri: Ju po thoni se është punuar në komunën e Kaçanikut?

Zharku: Unë mendoj që po, është punuar dhe kanë vazhduar projektet të cilat unë i kamë lënë të papërfunduara. Besoj se kanë arritur deri në masën 70 për qind me u përfunduar. Pasi që në mandatin tim ka pasur mjaft projekte, kemi ar në disa projekte që ti kemi të gatshme dhe kryetari pas meje ka vazhduar atë rrugë dhe ka punuar dhe mund te them se ka krijuar edhe projektet të reja.

Zëri: PDK viteve të fundit ka pësuar rënie në elektorat, ndonëse prapë është pjesë e Qeverisë. Çka ndikoi në rënien e kësaj partie?

Zharku: Nuk e di. Për atë unë jam mundu aq sa kam pasur mundësit dhe kushtet ti përcjelli. Por për këto çështje nuk jam i njoftuar aq sa duhet. Për këtë duhet të kesh një statistikë dhe unë tani jam i prirë të mos flas , siç thonë në Shqipëri me tregu përralla me mbret, por duhet ti kemi përpara statistikat, gjendjen, janë shumë arsye për këtë nuk mund të them asgjë për këtë çështje.