Aktuale

Konsensusi i pamundur

Konsensusi i pamundur
13 qershor 2018 • 07 : 52 Foto: Laura Hasani

Lexo detajet

Arlinda Kqiku

Faza finale e bisedimeve me Serbinë po del të jetë më problematikja. Partitë opozitare, por edhe nga koalicioni qeverisës nuk po e pranojnë presidentin Hashim Thaçi për kryenegociator me shtetin fqinj. Pritet që dialogu të vazhdojë pa miratimin e Kuvendit të Kosovës, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po bëhet gati të shkojë në fazën finale të bisedimeve me Serbinë, por ende nuk është arritur konsensusi mes partive kryesore politike në vend.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje por edhe Nisma Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk pranojnë që këto bisedime të udhëhiqen nga presidenti Thaçi.

Pa votat e këtyre partive në Kuvend nuk mund të sigurohen 61 deputetë prezentë në seancë, që marrin pjesë në votimin e platformës për dialog, prandaj Qeveria e Kosovës javë më parë e tërhoqi këtë dokument për bisedimet e ardhshme, duke shpresuar që së shpejti mund të arrihet konsensusi brendapartiak në vend.

Por, për ta arritur një konsensus të tillë gjasat janë minimale.

Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka akuzuar opozitën se nuk e ka problem përmbajtjen, por udhëheqjen e dialogut.

. “Hallin e kanë se kush u prin bisedimeve, krejt e kanë hallin kush është në delegacion. Nuk ka rëndësi shumë se si e ka emrin ky ose ai, por të jemi bashkë në tavolinë”, ka thënë ditë më parë Haradinaj.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve thonë që duhet sa më parë të arrihet konsensusi për këtë çështje, me qëllim që sa më parë të dakordohen partitë për epilogun e dialogut.
 

Haliti: Ka konsensus për bisedime, por jo edhe për kryenegociatorin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se ekziston një konsensus te partitë e vendit për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo dikush, sipas tij, duhet ta marrë përgjegjësi mbi atë që ndodh në dialog.

“Janë dy çështje këtu, konsensusi ndërpartiak për bisedime me Serbinë mendoj që ekziston dhe të gjitha janë për të biseduar dhe për ta arritur një marrëveshje, e cila të dy palët i çon në drejtim të BE-së. Por çështja e dytë për këtë konsensus është që ne a duam të kemi përgjegjës sa i përket dialogut ose duam që të bëhemi të gjithë bashkëpërgjegjës dhe askush të mos ketë përgjegjësi në qoftë se eventualisht po bëhen gabime në dialog”, ka thënë Haliti.

Ndërsa i pyetur për një marrëveshje të mundshme finale mes Kosovës dhe Serbisë, Haliti u shpreh skeptik për një gjë të tillë.

“Synimi i miqve tanë është që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje. Diplomacia po funksion në njëfarë mënyre dhe ka këmbim të dokumenteve, të propozimeve, por unë jam skeptik që marrëveshja mes dy vendeve mund të arrihet shumë shpejt”, tha ai.

Opozita: Koalicioni i pakicës s’mund të arrijë konsensus

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë për “Zërin” se me koalicionin qeverisës që përfaqëson pakicën në Kuvend është e vështirë të arrihet konsensus për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është me rëndësi që të arrihet konsensusi për procesin e dialogut me Serbinë. Por duke qenë se koalicioni qeverisës nuk e përfaqëson shumicën e qytetarëve të vendit dhe me veprimet e muajve të fundit e ka humbur legjitimitetin dhe besueshmërinë për të qeverisur, është e vështirë që ky koalicion të ndërtojë konsensus të gjerë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë që platforma e sjellë në Kuvend nga Qeveria ishte joserioze.

“Koalicioni qeverisës janë të vetëdijshëm edhe vetë që forma që e kishin proceduar në platformën në Kuvend nuk mund të quhet platformë, pasi që ishte krejtësisht joserioze dhe të vetëdijshëm për këtë e tërhoqën këtë platformë. Ne mendojmë që Thaci për shkak të së kaluarës së tij jo vetëm që nuk mund ta udhëheqë këtë dialog, por edhe duhet që të japë përgjegjësi për mënyrën sesi deri tani ka shkuar çështja e dialogut”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Krasniqi: Të thirret seancë e jashtëzakonshme për dialogun

Jeta Krasniqi, nga KDI-ja, ka thënë që Kuvendi duhet të jetë epiqendra e zhvillimit të dialogut në këtë fazë, si dhe sipas saj, duhet që sa më parë të krijohet konsensus për këtë çështje mes partive politike.

“Partitë duhet sa më parë ta thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth së ardhmes së dialogut Kosovë - Serbi dhe platformës së shtetit të Kosovës në këto bisedime. Kuvendi duhet të jetë epiqendra e këtyre diskutimeve dhe partitë parlamentare nuk duhet të hezitojnë që ta diskutojnë këtë çështje, duke prezantuar qëndrimet e tyre dhe duke tentuar ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët të palës kosovare në këto bisedime”, ka thënë ajo.

Krasniqi konsideron se konsensusi politik ka të bëjë me dakordimin e pikave për dialog, me qëllim që t’i jepet një epilog këtij procesi.

“Formati i shtetit të Kosovës në këto bisedime duhet të dakordohet nga partitë politike në vend, të cilat me anë të ndërtimit të konsensusit politik përcaktojnë ekipin negociues, përgjegjësitë e institucioneve, temat e diskutimit, afatet kohore dhe mbi të gjitha pritshmërinë e shtetit të Kosovës mbi këtë proces, pra epilogun”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa sipas Krasniqit, platforma e Qeverisë për dialogun u refuzua për vetë faktin që nuk kishte miratimin e partive të tjera para se të formohej.

“Qeveria e Kosovës duhet ta luajë rolin e saj duke ia prezantuar Kuvendit propozimet e saja për këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin. U pa qartazi që kjo platformë nuk gjeti mbështetje nga një pjesë e gjerë e spektrit politik, pasi edhe mënyra sesi kjo platformë u përpilua në mungesë të një konsensusi të partive politike. Kjo platformë dëshmoi qartazi nevojën e ndërtimit të konsensusit politik të partive politike në vend për këtë çështje”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër, drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, ka deklaruar se formati përfundimtar i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për një kompromis të mundshëm.

“Forma, vendi dhe pjesëmarrësit janë më pak të rëndësishëm sesa thelbi i dialogut”, tha Gjuriq në një konferencë për medie, kur u pyet nëse formati i bisedimeve mund të ndryshojë.

© zëri.info