8 vjet burgim për rastin 'Medicus'

Kronika May 25, 2018 - 08:52

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe një herë ka gjetur fajtorë dhe ka dënuar të akuzuarit e rastit “Medicus” Lutfi Dervishin dhe Sokol Hajdinin. Po kësaj here Gjykata ka ulur dënimin ndaj Dërvishit dhe ndaj Hajdinit. Derisa në vitin 2013 Dërvishi ishte dënuar me 8 vjet burgim, të enjten ai u dënua me 6 muaj më pak, ndërsa anesteziologu Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar herën e parë nga kjo Gjykatë, këtë herë ndaj tij është shqiptuar vetëm 1 vit burgim, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten shpalli aktgjykimin në rastin “Medicus” , në të cilin dënoi me gjithsej 8 vjet burgim dy mjekët Lutfi Dërvishin dhe Sokol Hajdinin për veprat penale “Trafikim me njerëz”, “Krim të organizuar” dhe “Shkaktim të lëndimit të rëndë trupor”. Sipas këtij aktgjykimi, urologu Lutfi Dërvishi u dënua me 7 vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë në vlerë prej 8 mijë eurosh, ndërsa anesteziologu Sokol Hajdini u dënua me 1 vit burgim. Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Francesca Fischer, bëri të ditur se urologut Dervishi Gjykata i shqipton edhe një dënim plotësues duke ia ndaluar ushtrimin e profesionit të urologut për një periudhë prej dy vjetësh duke filluar nga dita pasi ta ketë vuajtur në tërësi dënimin me burg. Trupi gjykues mori vendim që masa e paraburgimit ndaj Dërvishit të vazhdohet. Gjyqtarja Francesca Fischer duke arsyetuar vendimin e Gjykatës tha se provat kanë treguar se Dërvishi si pronar i klinikës “Medicus” nuk ka poseduar leje për ndërhyrje të transplantimit dhe pavarësisht kësaj ai ka lejuar që të kryhen këto transplantime, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës në disa operacione.

“Është provuar se Lutfi Dervishi, si pronar i klinikës ‘Medicus’ dhe përmes pjesëmarrjes së tij personale në disa operacione të transplantimit duke ditur se klinika ‘Medicus’ nuk ka poseduar leje për ndërhyrje të transplantimit dhe duke ditur se transplantimi ka qenë i ndaluar në bashkëpunim me persona të tjerë me mjete të mashtrimit dhe të keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme, ka rekrutuar së paku 7 persona, ka strehuar dhe ka operuar ata në klinikën ‘Medicus’ me qëllim të shfrytëzimit dhe të marrjes së veshkave dhe i ka transplantuar ato organe te personat pranues”, u shpreh gjyqtarja Fischer.

Ajo po ashtu tha se përtej dyshimit të arsyeshëm është provuar se Dervishi si një anëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare, e cila ka funksionuar si një grup i strukturuar që nga data 2 janar 2008 deri në nëntor 2008.

“Lutfi Dervishi në rolin e tij si pronar dhe si menaxher në klinikën ‘Medicus’, si kirurg dhe si ndihmëskirurg në disa prej operacioneve të transplantimit së bashku me persona të tjerë të njohur dhe të panjohur nga Turqia, Izraeli dhe Ukraina ka kryer veprën penale ‘Trafikim me njerëz’”, tha ajo.

Por derisa gjyqtarja Fischer po bënte shpalljen e aktgjykimit, ishte bashkëshortja e Dërvishit ajo e cila reagoi duke e cilësuar si të padrejtë vendimin e Gjykatës. Mirëpo, menjëherë pas reagimit të saj ishte Policia ajo e cila shumë shpejt e largoi atë nga salla e gjykimit, në mënyrë të mos pengohet procesi.

Mbrojtja e Dërvishit e quan të padrejtë aktgjykimin

Mbrojtësi i Lutfi Dërvishit, avokati Valon Hasani, vendimin e Gjykatës e quajti të padrejtë. Ai tha se do t’i paraqesë kundërshtimet e tij rreth këtij aktgjykimi.

“Gjykata ka vendosur që t’i marrë të besueshme të gjitha deklaratat e dëshmitarëve dhe sot ka sjellë vendim dënues. Natyrisht që do të bëjmë ankesë brenda afatit ligjor, shpresojmë që kjo padrejtësi të rregullohet në Gjykatën e Apelit”, u shpreh avokati Hasani.

Lutfi Dërvishi ishte arratisur bashkë me djalin e tij Arban Dërvishin, menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila përveç vërtetimit të fajësisë ua kishte rritur dënimin deri në dy vjet.

Në aktgjykimin e dhënë në nëntor të vitit 2015, Gjykata e Apelit kishte rritur dënimin ndaj Arban Dervishit nga 7 vjet në 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë në prill të vitit 2013, nga shkalla e dytë ishte dënuar me 5 vjet burgim. Apeli kishte vendosur t’i lirojë objektet e klinikës “Medicus”, të cilat mbaheshin të konfiskuara me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar për Lutfi dhe për Arban Dervishin.

Lutfi Dërvishi ishte arrestuar më 10 janar të vitit 2017 dhe që nga ajo kohë ai gjendet në paraburgim, mirëpo në arrati vazhdon të mbetet djali i tij Arbani në mungesë të të cilit Gjykata ka veçuar procedurën penale ndaj tij.

Rrjedha e procesit gjyqësor në rastin “Medicus”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishit, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdinit, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Rrecajt. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010 dhe janë konfirmuar më 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast kishte filluar më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe më 17 prill 2013 ishte bërë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Pas rreth 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 kishte shpallur verdiktin final për këtë rast.  

Sipas aktgjykimit, Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “Trafikimit me njerëz në bashkëkryerje” dhe të “Krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “Lëndim të rëndë trupor”, “Mashtrim” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Atyre u është shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë, ndërsa u lirua nga akuza për “Lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “Mashtrim” dhe për “Falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

 

Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “Krim të organizuar”, ndërsa ishte dënuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla ishin shpallur  fajtorë për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe që të dy ishin dënuar me nga një vit burgim me kusht.

Ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, ishte shpallur i pafajshëm për “Shpërdorim të pozitës zyrtare apo të autorizimeve”, përderisa akuza për “Falsifikim të dokumenteve zyrtare” ndaj tij ishte refuzuar.

Driton Jilta i kishte shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “Shpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme në fund të vitit 2016.