Ekzaminimi i telefonave të Art Kurtit nuk hap asnjë pistë të hetimeve

Kronika May 22, 2018 - 08:54
Lexoni më shumë detaje

Prokuroria Themelore në Gjakovë deri tash nuk ka asnjë pistë hetimi rreth vdekjes së aktorit 23-vjeçar, Art Kurti. Kryeprokurori Ali Selimaj thotë se as ekzaminimi i telefonave të Kurtit nuk ka treguar ndonjë detaj i cili mund të shtynte te ndonjë pistë hetimi, që do të tregonte se ky person është vrarë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ekzaminimi i telefonave të aktorit të ndjerë Art Kurti, i cili u gjet i vdekur mëngjesin e 24 prillit, nuk ka nxjerrë ndonjë dyshim se i njëjti ka qenë shënjestër e dikujt apo ishte shtyrë të vetëvritet.

Megjithatë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ende është në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për t’i nxjerrë përfundimet nëse vdekja e Kurtit ishte vrasje apo vetëvrasje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, i ka thënë gazetësZërise deri tash as ekzaminimi i telefonave të Kurtit nuk ka hapur dyshime për ndonjë pistë të mundshme të hetimeve rreth vdekjes së tij.

LEXO EDHE: Shqiptarëve të veriut u kërkohet leje për rindërtimin e shtëpive

“Prej kontakteve dhe prej numrave të telefonit nuk është zbuluar asgjë që dikush ka mundur ta privojë atë nga jeta. Deri tash nuk kemi diçka as nga telefoni, i cili është dërguar për ekzaminim, edhe pse ende nuk na ka ardhur përgjigja, mirëpo me gojë na është thënë se nuk ka ndonjë të dhënë, e cila mund të na shtyjë te ndonjë pistë që do të na tregonte se ky person është vrarë apo diçka e tillë”, u shpreh Selimaj.

Kryeprokurori Selimaj thotë se në bazë të informatave që kanë marrë nga mjeku ligjor i cili e ka kryer autopsinë e trupit të Kurtit del që gjatë shkrepjes arma nuk ishte e mbështetur në kokë.

“Eksperti ligjor me gojë ka thënë se arma nuk ka qenë e mbështetur në kokë, mirëpo gjurmët e barutit janë në kokë”, thotë Selimaj.

Kryeprokurori Selimaj ankohet në vonesën e raporteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Për të vërtetuar se a i përgjigjet vrima në kokën e viktimës diametrit të predhës, si dhe predha e cila ka depërtuar në kokë a është e asaj arme, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes, po ashtu a është e asaj gëzhoja, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes, na duhet raporti i mjekut ligjor. Pa na e sjellë raportin e ekspertizës ligjore ne nuk mund të bëjmë asgjë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore pohojnë se problemet me laboratorin toksikologjik janë arsyet e vonesës së kësaj ekspertize.

Ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se arsyeja e vonesës së dorëzimit të këtij raporti te Prokuroria e Gjakovës është se ende nuk është bërë ekspertiza e alkoolit për shkak të problemit me laboratorin toksikologjik. Ai pohoi se shumë shpejt raporti do t’i dorëzohet Prokurorisë.

“Do të bëhet edhe ekspertiza e alkoolit. Jemi në pritje të ekspertizës së laboratorit. Kemi problem me laborator të toksikologjisë dhe presim që së shpejti të kryet edhe kjo dhe të dorëzohet raporti në Prokurori”, u shpreh Gërxhaliu.

Ndryshe, trupi i aktorit 23-vjeçar nga Gjakova Art Kurtit ishte gjetur pa shenja jete mëngjesin e 24 prillit në rrugën Gjakovë – Goden, në vendin e quajtur “Qafa e Zabelit”.  

Kurti ishte gjetur në një veturë, në të cilën po ashtu ishte gjetur një armë me të cilën dyshohet se është kryer akti.

Në bazë të hetimeve të para, Policia dhe Prokuroria kishin deklaruar se rasti dyshohet të jetë vetëvrasje. Kurti ishte edhe zyrtar komunal në Komunën e Gjakovës. /Zëri