Shqiptarëve të veriut u kërkohet leje për rindërtimin e shtëpive

Ekonomia May 22, 2018 - 08:45
Lexoni më shumë detaje

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i tha “Zërit” se Zyra Administrative e Kosovës në veri, e cila udhëhiqet nga Adriana Hoxhiq, i dërgon inspektorët dhe ua ndërprenë punën shqiptarëve që tentojnë t’i rindërtojnë shtëpitë, siç ka ndodhur rasti i fundit në lagjen “Kroi i Vitakut”

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, ka thënë se shqiptarët e veriut të Mitrovicës janë të vetmit në Kosovë të cilëve u kërkohet leje për rindërtimin e shtëpive të tyre të djegura dhe të rrënuara gjatë luftës dhe pas luftës.

LEXO EDHE: Komunat mbushen me punëtorë me kontrata të veçanta

Cimili tha gjithashtu se shqiptarëve të dëbuar nga veriu i Mitrovicës nuk po u lejohet të kthehen në banesat e uzurpuara në ndërtesat kolektive.

“Edhe më tutje po mbahen të uzurpuara mbi 400 banesa të shqiptarëve në veri të Mitrovicës nëpër ndërtesa kolektive. Janë mbi 250 shtëpi të djegura që ende nuk janë rindërtuar. Shqiptarët e veriut të Mitrovicës janë të vetmit banorë të Kosovës të cilëve u kërkohet leja për rindërtim të shtëpive të tyre, edhe pse ata nuk janë aspak fajtorë pse u janë djegur shtëpitë. Pra Zyra Administrative e Republikës së Kosovës në veri, që në fakt është një komunë, është ajo që i dërgon inspektorët për ndërprerjen e punimeve të rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve, siç është rasti i fundit kur shqiptarët tentuan të punojnë për rindërtimin e 6 shtëpive në lagjen ‘Kroi i Vitakut’. Mjetet dhe materiali kanë qenë të siguruara nga Fondi ‘Ndihmo edhe ti’, që është një fond humanitar”, i tha Zërit zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut Bashkim Cimili.

Veç 20 familje të kthyera

Ai shtoi se edhe nëse janë kthyer 20 familje në pjesën veriore, ky numër është shumë i vogël në krahasim me familjet që janë dëbuar nga pjesa veriore dhe të cilat jetojnë si refugjatë në qytetin e tyre, në jug të Mitrovicës. 

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, tha se ka qenë një projekt i DRC-së që është realizuar në veri për meremetimin e banesave të shqiptarëve dhe për kthimin e tyre në ato banesa, por Komuna Jugore nuk ka informacione për numrin e familjeve të kthyera.

“Ka mundësi të jenë kthyer 20 familje në veri, pasi ka qenë një projekt që e ka realizuar DRC-ja për rregullimin e disa banesave në veri. Ne në jug nuk kemi informacione se si ka rrjedhur projekti dhe sa familje janë kthyer. Ajo çka rëndon edhe mbi ne këtu në jug është numri shumë i madh i familjeve që janë dëbuar nga pjesa veriore dhe të cilat jetojnë në kushte të rënda të banimit në jug”, ka thënë Mujka.

E ndërkaq shefja e Administratës Komunale e Veriut të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, e cila është edhe koordinatore e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, ka thënë se Ministria për Kthim dhe Komunitete në bashkëpunim DRC-në dhe me Ambasadën Britanike në Kosovë kanë realizuar një projekt që ka bërë të mundur kthimin e rreth 20 familjeve shqiptare në qendër të veriut të Mitrovicës.

“Janë kthyer rreth 20 familje në veri të Mitrovicës në banesa falë mbështetjes së Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, DRC-së dhe Ambasadës Britanike në Kosovë. Gjendja tani është shumë më e mirë, edhe liria e lëvizjes është më e mirë, sepse është përmirësuar gjendja. Unë e di dhe kam parë vetë që shqiptarët e serbët madje shëtisin në një shëtitore në veri. Shqiptarët vijnë nga jugu dhe flasin shqip në veri, janë njerëz të cilëve nuk u intereson politika, ata duan të rrinë dhe të flasin me serbët dhe anasjelltas. Kjo na inkurajon shumë dhe na bënë që të punojmë të gjithë që ta përmirësojnë situatën deri në atë masë saqë lëvizja e lirë të jetë e plotë”, ka thënë Hoxhiq, e cila ka shtuar se Administrata Komunale e Veriut ka ndihmuar shkollën - kontejner në lagjen “Kodra e Minatorëve”, si dhe ambulancën që ndodhet në të njëjtin kontejner (barakë).

Mujka: Komuna duhet të mendojë për ndërtimin e shkollës

Në anën tjetër Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, ka thënë se shkolla-kontejner dhe ambulanca-kontejner në lagjen “Kodra e Minatorëve”, në të cilën shërbime shëndetësore marrin edhe serbët, nuk i plotësojnë as kushtet elementare për punë.

“Komuna e Veriut duhet të mendojë për ndërtimin e shkollës në atë pjesë, si dhe për ndërtimin e ambulancës. Ambulanca është djegur disa herë qëllimisht nga serbët. Ne i kemi kërkuar Qeverisë së Kosovës që të investojë për ta ndërtuar një objekt të ri shkollor dhe ambulancën në veri të Mitrovicës, si dhe të investojë në instruktuarën e kësaj pjese të veriut të Mitrovicës, për shkak se Komuna Veriore nuk investon atje ku janë shqiptarët”, ka thënë Mujka të dielën.