Prokurori kërkon dënimin e imamëve, të premten aktgjykimi

Kronika May 15, 2018 - 10:38
Lexoni më shumë detaje

I bindur se nga të gjitha provat që ka arritur t’i administrojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë gjithë procesit gjyqësor, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Haki Gecaj kërkon dënimin e pesë të akuzuarve për “Nxitje të urrejtjes ndërfetare, thirrje për rezistencë dhe vepra të ndryshme terroriste”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Prokurori Gecaj kërkon nga trupi gjykues i kësaj Gjykate të japë një dënim, siç e quan ai shembullor ndaj imamëve Enes Goga, Bedri Robajt, Mazllam Mazllami, Idriz Biliban, si dhe Fuad Ramiqit.

“Veprat i kanë kryer me dashje e dije dhe propozoj që t’i dënoni. Jepjani një dënim shembullor të akuzuarve, që të tjerët të mendojnë disa herë para se të veprojnë”, u shpreh prokurori Gecaj gjatë fjalës përfundimtare në këtë proces gjyqësor.  

Ai tha se ka siguruar prova të mjaftueshme, në bazë të të cilave Gjykata mund t’i dënojë të akuzuarit.

“Duke i përmendur të gjitha provat që janë administruar gjatë gjithë gjykimi vërtetohet përtej çdo dyshimi se ekzistojnë veprat penale për të cilat akuzohen gjatë të pandehurit”, tha prokurori Gecaj.

Sipas prokurorit nga telefoni i tij i akuzuari Bedri Robaj u kishte dërguar SMS familjarëve të të ndjerit Pajtim Olluri, i cili kishte vdekur në luftën e Sirisë, të cilit ndër të tjera i kishte shkruar se “Kështu vdesin burrat” .

Sipas prokurorit këtu shihet se i akuzuari në fjalë kishte gisht në shkuarjen e Ollurit  në Siri. Edhe i akuzuari, hoxhë Idriz Bilibani sipas prokurorit kishte ndikuar në nxitjen e të rinjve për bashkëngjitje në organizatën terroriste “Al Nusra: dhe ISIS në Siri pas dëgjimeve të ligjëratave të tij.

Prokurori: Të akuzuarit të marrin një dënim shembullor

I akuzuari Enes Goga sipas prokurorit duke e keqpërdorur pozitën e tij si imam në ligjëratën e tij në Pejë ka nxitur urrejtje.

Edhe i akuzuari Mazllam Mazllumi sipas prokurorit akuzohet për “Nxitje të urrejtjes” dhe sipas tij në deklaratën e tij e ka pranuar se mund të ketë gabuar.

Sipas prokurorit Mazllami ka nxitur urrejtje ndaj komunitetit LGBT.  Sa i përket të akuzuarit tjetër, ish- kryetarit të partisë Lëvizja Islame Bashkohu, Fuad Ramiqi, prokurori tha se i ka tejkaluar kufijtë e tij politikë me deklaratat e tij nxitëse.

“Në ‘Facebook’ kishte shkruar nuk do të rrimë duarkryq. Deklarimet e tij i tejkalojnë kufijtë e tij politikë. Këto deklaratë ishin bërë kur me vendime të Prokurorisë dhe Gjykatës ishin bërë arrestimet e të dyshuarve për ‘Terrorizëm’. Kosova po i ngjan një vendi me diktaturë më të egër që ka pasur ndonjëherë”, u shpreh prokurori.

Por pretendimet e prokurorit special u kundërshtuan nga mbrojtësit dhe nga të akuzuarit, të cilët madje këto akuza i quajtën politike.

Avokati Avullah Robaj, mbrojtës i Bedri Robajt, pohoi se nuk ka prova që klienti i tij ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

Ai tha se vepra për të cilën klienti i tij akuzohet se e ka kryer është në kohën kur ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj priste krerët e opozitës siriane në zyrë. Sipas avokatit Robaj, në atë kohë kishte mendim ndryshe rreth kësaj çështjeje.

Avokati Tmava: Në rastet e “Terrorizmit” ka përfituar vetëm politika kosovare

Mbrojtësi i imamit i Mazllam Mazllami, avokati Bajram Tmava, e cilësoi si tërësisht politike aktakuzën ndaj klientit të tij.  

Ai tha se në rastet e “Terrorizmit” ka përfituar më së shumti politika kosovare, e cila sipas tij është krenuar me arrestime e akuza duke thënë se po lufton terrorizmin.

“Një pjesë të fajit e ka politika kosovare, bashkë me  Prokurorinë Speciale dhe me Policinë e Kosovës. Prej kur është filluar lufta në Siri, çështja e ISIS-it dhe e ‘Al Nusra’-s, ne ende nuk e dimë kush po i financon. Këtu më së shumti ka përfituar politika kosovare, e cila ka dalë me statistika që është e para bashkë me Shqipërinë që po e lufton terrorizmin”, u shpreh avokati Tmava.  

Edhe të akuzuarit janë të bindur se Gjykata do t’i lirojë nga akuzat. I akuzuari Idriz Bilibani aktakuzën ndaj tij e quan si absurde.

“Është absurd i madh që Prokuroria për ligjëratat që unë i mbaj nga viti 2008 nuk e ka gjetur asnjë boshnjak që unë kam ndikuar të shkojë në Siri edhe pse unë ligjëroj në gjuhën boshnjake, por i ka gjetur dy shqiptarë që nuk e njohin gjuhën boshnjake dhe kërkoj nga trupi gjykues të më liroj nga kjo aktakuzë” tha Bilibani.  

Ndërsa imami Enes Goga e quajti të padrejtë arrestimin e tij dhe ofendues për të dhe për gjithë rrethin e tij.

“Arrestimi im ishte i padrejtë. Konsideroj se me këtë aktakuzë jam ofenduar unë, familja ime, qyteti im dhe BIK-u. Kjo aktakuzë dhe objekti i saj atakojnë harmoninë fetare që është në Kosovë. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje dhe asnjë nxitje fetare. Kërkoj nga Gjykata e nderuar që të vërtetojë pafajësinë time”, tha imami Goga.

Krejtësisht politike dhe të qëllimshme për pretendimet e tij politike e ka quajtur aktakuzën ndaj tij ish-kryetari i partisë Lëvizja Islame Bashkohu Fuad Ramiqi.

“Konsideroj se burgosja ime dhe akuza ndaj meje është e fabrikuar politikisht, me motivim për të më diskredituar si personalitet, për të më frikësuar, për ta frikësuar subjektin politik të cilin unë e kam udhëhequr atëherë, si dhe për ta vendosur një atmosferë kundërislame në Kosovë në mesin e popullatës. Kjo për faktin se asnjëherë nuk kam keqpërdorur asgjë nga atdheu im”, deklaroj Ramiqi.  Ai kërkoi nga Prokurori ta tërheqë aktakuzën dhe nga trupi gjykues që ta hedhë poshtë këtë aktakuzë.

“Për hatër të drejtësisë, të profesionalizmit, të imazhit të Kosovës e kisha lutur prokurorin që ta tërheqë aktakuzën ndaj meje që tani”, tha Ramiqi.  

Por prokurori duke iu kundërpërgjigjur akuzave se kjo aktakuzë është politike, tha se tashmë të gjithë prokurorët janë mësuar që thuajse çdo aktakuzë të cilësohet si politike.

Ai kërkoi me këmbëngulje që pesë të akuzuarit të dënohen. Ndërkohë pas përfundimit të fjalëve përfundimtarëve të të gjitha palëve, trupi gjykues bëri të ditur se aktgjykimi ndaj këtij procesi gjyqësor do të bëhet të premten, në orën 15:30. /ZËRI/