Shteti harxhon mbi një milion euro në muaj për të burgosurit

Kronika May 14, 2018 - 08:48
Lexoni më shumë detaje

Shtetit të Kosovës i duhen së paku një milion euro në muaj për shpenzimet ditore për të burgosurit dhe për të paraburgosurit. Numri i personave që aktualisht po mbahen nëpër burgjet e Kosovës sipas zyrtarëve të Shërbimit Korrektues arrin në 1599 dhe shpenzimi ditor ndaj tyre arrin shifrën deri në 44 mijë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shpenzimet ditore për një të burgosur në Kosovë sillen deri në 28 euro dhe nëse kjo shumë llogaritet me numrin e të burgosurve dhe të të paraburgosurve aktualë del që një pjesë e mirë e buxhetit të shtetit shkon në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Mbi 44 mijë euro në ditë i duhen buxhetit të Kosovës për mbajtjen e rreth 1600 të burgosurve dhe të paraburgosurve që aktualisht gjenden në burgje.

Ky buxhet arrin shifrën e mbi 1 milion eurove në muaj varësisht nga ulja ose nga ngritja e numrit të burgosurve, të cilët mbahen gjatë një muaji në të gjitha burgjet e Kosovës.

LEXO EDHE: Vetëvendosja nikoqire e tryezës së tretë, nuk pret rezultate

Zyrtari i lartë për komunikim me publikun nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, Jeton Kabashi, i ka thënë gazetës Zërise numri aktual i të burgosurve në gjithë Kosovën është rreth 1600.

 “Numri i të burgosurve nëpër institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës është 1599 dhe shpenzimet ditore për një të burgosur sillen rreth 28 euro. Ndërsa shpenzimet mujore varen nga rritja ose nga zvogëlimi i numrit të burgosurve”, ka treguar Kabashi.

Prej 1599 të burgosurve, sipas Kabashit, 1242 janë të dënuar dhe rreth 350 janë të paraburgosur.

Kabashi thotë se mosha më e vjetër e një të burgosuri që aktualisht gjendet prapa grilave është mbi 80 vjeç dhe ai gjendet në paraburgim.

Ndërsa personi i cili mbahet në masën edukuese është një i mitur.

“Mosha më e vjetër është 81-vjeçare, i cili është i paraburgosur, ndërsa mosha më e re është 15-vjeçare me masë edukuese korrektuese” thotë ai.

Për uljen e shpenzimeve të buxhetit njohës të çështjeve të drejtësisë dhe zyrtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut kërkojnë nga gjykatat të kenë më shumë kujdes në shqiptimin e masave të paraburgimit.

KMDLNJ: Të ulet numri i të paraburgosurve që të kursehet buxheti

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, kërkon që numri i të paraburgosurve të ulet dhe gjykatat të mos caktojnë këtë masë për çfarëdo rasti.

Sipas tij, në vend të masës së paraburgimit gjykatat duhet të përdorin alternativa të tjera për rastet që nuk ekziston rreziku i arratisjes dhe me këtë do të kursehej edhe buxheti i shtetit.

“Ne si KMDLNJ kemi kërkuar që paraburgimi të jetë si masë e skajshme, pikërisht që të kursehet buxheti i Kosovës sepse në qoftë se një i  paraburgosur nuk ka rrezik të ikë, atëherë nuk e dimë pse do të duhej të mbahej në burg. Ai duhet të dërgohet në shtëpi, t’i shqiptohet ndonjë masë tjetër, qoftë edhe lajmërimi në Polici”, shprehet Shala.

Ai thotë se kjo tash ka filluar të zbatohet, por përsëri numri është i madh e po ashtu edhe shpenzime e shtetit.

Në Kosovës sipas tij, numri i të burgosurve të punësuar është shumë i vogël dhe për këtë arsye është edhe shumë më e kushtueshme të mbahet një person i privuar nga liria sesa në vendet tjera.

“Në qoftë se i merrni mundësitë materiale të Kosovës, edhe ky numër i të burgosurve është i madh, pasi që në vendet tjera të burgosurit përveç punës ndikojnë në rritjen e buxhetit dhe në përmirësimin e kushteve. Ndërkaq te ne në Kosovë të burgosurit punojnë shumë pak, në vende të tjera edhe të paraburgosurit i kryejnë disa punë brenda qelisë ku mbahet i paraburgosur”, thotë Shala.

Koci: Politikat gjyqësore për masën e paraburgimit duhet të ndryshojnë

Avokati Arianit Koci thotë se ka shumë raste kur masa e paraburgimit aplikohet pa u plotësuar kushtet ligjore.

Sipas tij, duhet të insistohet që më shumë të praktikohen masat tjera më lehtësuese në mënyrë që edhe shpenzimet e shtetit të jenë më të vogla.

“Politikat gjyqësore për masën e paraburgimit duhet të ndryshojnë. Shpesh ndodh që masa e paraburgimit, si masë më e rëndë, përdoret pa u plotësuar kriteret ligjore. Kemi shumë të paraburgosur dhe duhet të insistojmë që të përdoren më tepër masa tjera siç janë: arresti shtëpiak, dorëzania, paraqitja në stacionin policor, etj... Buxheti kursehet duke e aplikuar më shumë masën e arrestit shtëpiak dhe masa më të lehta, aty ku ka mundësi ligjore”, thotë avokati Koci.

Megjithatë, ai thotë se ky numër i të burgosurve nuk është aq i madh duke u krahasuar me vendet tjera.

“Duke u krahasuar me numrin në vendet në regjion, numri prej më pak se 2000 të burgosur statistikisht nuk është numër i madh. Sidoqoftë, ne si shoqëri duhet t’ua mundësojmë personave që vuajnë dënimin me kushtet që parashihen në konventat ndërkombëtare dhe t’ua mundësojmë risocializimin sa më të shpejtë në shoqëri”, theksoi Koci.

Caktimi i paraburgimit si masa më e skajshme e sigurisë për një të dyshuar ose për një të akuzuar i ka kushtuar edhe buxhetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilit i është dashur t’i kompensojë personat që kanë qëndruar në paraburgim dhe pastaj janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat.

Vetëm vitin e kaluar KGJK-ja ka ndarë nga buxheti i saj rreth gjysmë milioni për kompensimin e 153 personave, të cilët janë mbajtur në paraburgim dhe pas vendimit të gjykatës janë shpallur të pafajshëm.