Vetëvendosja nikoqire e tryezës së tretë, nuk pret rezultate

Aktuale May 14, 2018 - 08:35
Lexoni më shumë detaje

Ndonëse bojkotoi tryezën e fundit të organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë ajo e cila do t’i mbledhë për të tretën herë me radhë partitë politike (pas LDK-së e PDK-së).

Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë të Vetëvendosjes për gazetën Zëri.

Megjithatë, ata thonë se nuk presin rezultate nga takimet e tilla.

Përderisa përfaqësuesit e partive të tjera, të cilat kanë marrë pjesë në dy tryezat e para, shprehen optimistë se do të arrihet zgjidhje sa u përket temave të nivelit nacional, njohësit e çështjeve politike mbeten skeptikë në këtë drejtim, shkruan më tutje "Zëri".

Kjo pasi subjektet politike nuk e kanë synimin që t’i zgjidhin problemet, porse që ta marrin primatin në këso organizimesh.

LEXO EDHE: Thaçi, Haradinaj e Pacolli në Samitin e Sofjes

Në anën tjetër nga LDK-ja, e cila ka nisur ciklin e tryezave të përbashkëta, kanë potencuar sërish se qëllimi i këtyre takimeve mes partive politike ka të bëjë me caktimin e një date të përbashkët për zgjedhje të parakohshme.

Mirëpo, as në takimin e thirrur nga LDK-ja e as nga PDK-ja zgjedhjet nuk ishin pika kyçe e diskutimit.

Kurti: Nuk presim të ndryshohet qasja e asaj që tashmë është vendosur

Tinka Kurti, anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur se ky subjekt do ta organizojë tryezën e radhës, megjithatë ajo ka thënë se LVV-ja nuk pret kurrfarë ndryshimesh nga tryezat e tilla.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta organizojë këtë tryezë, megjithëse ne nuk presim që nëpërmjet këtyre tryezave të ndryshohet qasja e asaj që tashmë është e vendosur”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

E pyetur se kur do të organizohet kjo tryezë dhe për çka do të diskutohet aty, Kurti ka thënë se një gjë e tillë do të diskutohet tek në mbledhjet e radhës që do t’i mbajë kjo parti.

“Kjo mbetet të diskutohet edhe një herë në mbledhjen e radhës së Kryesisë së Lëvizjes”, ka potencuar ajo.

Pajaziti: Do të jemi insistues që takimet të vazhdojnë

Ndërkaq, teksa ka folur rreth tryezave të përbashkëta mes partive deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti ka konsideruar se vetëm diskutimi i brendshëm mes partive politike mund t’u japë zgjidhje temave të nivelin kombëtar.

“Vetëm takimet janë ato që do të na çojnë drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta, si parti dhe si institucione. PDK-ja përmes kryetarit të saj ka nxjerrë disa çështje që janë themelore për t’u diskutuar me gjithë spektrin politik dhe ne do të jemi insistues që këto takime të vazhdohen dhe këto tema të trajtohen, në mënyrë që t’u japin përgjigje pritjeve të qytetarëve dhe partnerëve tanë për sfidat vijuese që i kemi”, është shprehur ai.

Sipas Pajazitit, PDK-ja pret që edhe takimet e radhës, të cilat do të mbahen mes partive politike, të vazhdohet me dialogun e nisur më herët, që kanë të bëjnë me proceset integruese, me dialogun, me liberalizimin e vizave, me ushtrinë e me reformën zgjedhore.

Ndërkohë, i pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga LVV-ja, pasi kjo kishte bojkotuar tryezën e PDK-së, Pajaziti ka thënë se do të jetë kërkues i këtyre tryezave, ndonëse nuk ka ndonjë vendim sa i përket kësaj.

“Nuk është se kemi marrë një qëndrim rreth takimit të tillë, por ne si PDK kemi qenë kërkues të këtyre debateve dhe ne gjithsesi që do të jemi pjesë konstruktive e tyre dhe insistues që të trajtohen temat, të cilat ne i kemi parashtruar paraprakisht, që nuk janë tema vetëm të PDK-së, por janë tema të shtetit, të qytetarëve”, ka nënvizuar ai.

Hoti: Qëllimi i tryezës - dalja nga kriza përmes caktimit të zgjedhjeve

Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka ripërsëritur edhe një herë para pak ditësh se synimi i tryezave është pajtueshmëria e partive për zgjedhje të parakohshme.

“Qëllimi i tryezës është dalja nga kriza politike përmes caktimit të datës së zgjedhjeve dhe dakordimi për punët që duhet të kryhen nga institucionet deri në zgjedhje në mënyrë që të mos ngecin reformat për integrim evropian dhe proceset e tjera të rëndësisë nacionale”, ka deklaruar ai.

Përmes këtyre tryezave, sipas Hotit, LDK-ja i ka dhënë mundësi dialogut para se t’i përdorë veprimet e tjera për të mos e lejuar një qeverisje jolegjitime.

Pantina: Dalja nga kriza ekonomike, më e rëndësishmja për t’u diskutuar

Kurse deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, organizimin e tryezave mes partive e ka cilësuar si një veprim pozitiv.

“Është e mirë se këto tryeza janë mbajtur me iniciativë të vet partive politike, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe kjo është hera e parë sepse në të kaluarën kanë qenë kryesisht ndërkombëtarët që kanë bërë bashkë partitë politike. Ka një varg temash të cilat subjektet politike duhet t’i diskutojnë mes vete dhe të arrihet konsensus”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, sipas saj, çështjet më të rëndësishme për të cilat duhet të flitet në këto takime deri më tash nuk janë shtruar për diskutim.

“Temat kryesore për të cilat duhet t’i diskutojmë nuk kanë qenë të përfshira deri më tash në këto tryeza. Nuk është vetëm dialogu me Serbinë, janë një varg çështjesh. Mbi të gjitha, çështja më e rëndësishme për të cilën ne duhet të diskutojmë është se si të dalim nga një krizë e thellë ekonomike”, ka theksuar ajo.

Sipas Pantinës, po pati vullnet nga partitë politike që të gjendet zgjidhje për temat e mëdha, një gjë e tillë arrihet shumë lehtë, ndonëse disa prej çështjeve duhet të shtrohen edhe në Kuvendin e Kosovës.

Tahiri: Partitë po luftojnë për primat, tryezat pa sukses

Mirëpo politologu Ramush Tahiri është shprehur skeptik nëse tryezat e tilla do të rezultojnë me zgjidhje. Kjo pasi në rrethanat e tanishme partitë po ngarendin që ta marrin primatin e jo që të ofrojnë zgjidhje.

“Praktikisht kjo është një lloj paraloje sepse çdo vendim duhet të kryhet në Kuvend dhe me vota të partive politike, përkatësisht të deputetëve. A do të ketë sukses apo jo, mendoj që nuk do të kenë sukses sepse nuk është synimi që të kenë sukses, sepse partitë po luftojnë për primat dhe kush të jetë kryesori në këtë iniciativë”, ka theksuar ai.

Sipas Tahirit, tryezat janë të mira, pasi nuk i tensionojnë ashpërsimet mes partive politike.

“Gjithashtu hapin debat për çështje të rëndësishme, të cilat konsiderohen se janë me interes gjithështetëror dhe e mbajnë dialogun e hapur”, ka deklaruar ai.