Thaçi, Haradinaj e Pacolli në Samitin e Sofjes

Aktuale May 14, 2018 - 08:06
Lexoni më shumë detaje

Delegacioni kosovar, i cili do të marrë pjesë në Samitin e Sofjes më 17 maj, do të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pjesë e këtij delegacioni, pos kreut të shtetit, do të jetë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

Kështu kanë bërë të ditur për Zërin zyrtarë nga Presidenca, të cilët janë shprehur të bindur se Kosova do të jetë e barabartë me të gjitha shtetet pjesëmarrëse në këtë samit, ku pritet të takohen zyrtarët e Bashkimit Evropian me ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

LEXO EDHE: Misioni i 'Peshqve të vegjël'

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka përjashtuar mundësinë që shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të paraqesin ndonjë problem.

“Ka pasur disa rezerva në fillim, por si Kosovë i jemi shumë mirënjohës Bullgarisë së pari si organizatore, si nikoqire e pastaj shteteve të tjera që e kanë njohur Kosovën, që kanë insistuar në atë që samiti ka kuptim vetëm nëse mbahet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar ai për Zërin.

Me këtë rast, Arifaj ka bërë të ditur se në përbërjen e delegacionit kosovar pos presidentit do të jetë edhe shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj dhe kreu i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli.

“Presidenti do të jetë shef i delegacionit, por pjesë e delegacionit do të jetë edhe kryeministri, edhe ministri i Jashtëm”, ka theksuar ai.   

Duke folur rreth rëndësisë që ky samit ka për Ballkanin Perëndimor (rrjedhimisht edhe për Kosovën), Adrian Prenkaj, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka konsideruar se ky samit tregon për një përqendrim të shtuar të BE-së karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Si duket nuk do të ketë pengesa për pjesëmarrjen e Kosovës. Mendoj që është lajm i mirë sepse ky samit është i rëndësishëm për perspektivën e ardhshme të vendeve të Ballkanit, por gjithashtu ka të bëjë edhe me njëfarë fokusi të shtuar të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit, sidomos pas publikimit të Strategjisë të Komisionit Evropian”, ka deklaruar ai.

Prenkaj më tej ka vlerësuar se është arritur një marrëveshje në mënyrë që Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja në këtë samit.

“Si duket është arritur një marrëveshje që Kosova të marrë pjesë e që ky është një lajm i mirë, pavarësisht se ka pasur disa kundërshtime në fillim prej vendeve që nuk e njohin Kosovën, kryesisht prej Spanjës. Por si duket është arritur një marrëveshje përbrenda vendeve të BE-së që të mos tregojnë ndasi ndaj vendeve të Ballkanit”, ka nënvizuar ai.

Sipas tij, Samiti i Sofjes po organizohet në një moment tejet të rëndësishëm pas publikimit të Strategjisë së re për Zgjerim të KE-së.

“Ky është një vit shumë i rëndësishëm. E kemi pastaj edhe Samitin e Londrës. Mendoj që gjitha këto janë disa ngjarje të rëndësishme që i japin shtysë shumë të madhe përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit. Po ashtu është i rëndësishëm për Kosovën, rikonfirmon perspektivën e saj evropiane”, ka potencuar Prenkaj gjatë një bisede për gazetën.

Fillimisht ishte raportuar se Spanja bashkë me vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet nuk do të marrin pjesë në Samitin e Sofjes shkaku i Kosovës.

Mirëpo, para pak ditësh mediet bullgare raportuan se Spanja do të jetë e pranishme në këtë samit.