Misioni i 'Peshqve të vegjël'

Aktuale May 14, 2018 - 07:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhjetë vjet më parë erdhi në Kosovë me zotimin për kapjen e “Peshqve të mëdhenj” të krimit të organizuar e të korrupsionit. Megjithatë, tani kur ka mbetur edhe një muaj deri në përfundimin e këtij misioni “Peshqit e mëdhenj” mbesin të paprekur nga drejtësia, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pas një muaji përfundon mandati i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ndërsa pas 15 qershorit do të ketë vetëm prezencë monitoruese dhe këshillëdhënëse në Kosovë.

Njohës të sistemit të drejtësisë thonë ky mision dështoi në kapjen e “Peshqve të mëdhenj” për çka edhe ishin zotuar zyrtarët e EULEX-it në fillim të mandatit.

Në anën tjetër, zyrtarët e këtij misioni shprehen krenarë me punën e bërë nga EULEX-i gjatë dhjetë vjetëve në Kosovë, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas tyre, gjyqtarët e EULEX-it kanë nxjerrë rreth 650 vendime, duke përfshirë rreth 480 vendime në lëndët penale, të përfshirë edhe korrupsionin e krimin e organizuar.

Po ashtu ata thonë se EULEX-i ka bërë punë të mirë edhe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

648 vendime për 10 vjet

Zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj, ka thënë për “Zërin” se duke qenë misioni më i madh i PPSM-së (Siguria e Përbashkët dhe Politika e Mbrojtjes), i krijuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian, misioni EULEX është themeluar për ta ndihmuar sistemin gjyqësor të Kosovës në fuqizimin e zbatimit të sundimit të ligjit dhe se tani po e krijojnë një mandat të ri për këtë mision, pasi ai do të tërhiqet gradualisht nga Kosova.

Ajo ka thënë se EULEX-i u dërgua për t’i ndihmuar kolegët që ta nisnin një proces të gjatë, të vështirë dhe të vazhdueshëm ashtu që në fund standardet dhe praktikat e sundimit të ligjit në Kosovë të jenë në përputhje me ato të BE-së.

“Kontributi i madh dhe platforma e gjerë e BE-së (PSBE/Zyra e BE-së) në Kosovë është dëshmi e zotimit tonë të përgjithshëm. Ne nuk erdhëm kurrsesi këtu për ta zëvendësuar Kosovën. Ne kemi ardhur për ta ndihmuar Kosovën ashtu që në fund institucionet dhe praktikat e sundimit të ligjit në Kosovë të jenë në përputhje me standardet e BE-së”, ka deklaruar Berisha-Rizaj.

Më tej ajo ka përmendur disa nga punët që ka kryer EULEX-i në këto dhjetë vjet.

“EULEX-i ka ndërtuar një trashëgimi të dukshme në Kosovë me shumë arritje që janë evidente, siç është pjesa ekzekutive ku gjyqtarët e EULEX-it kanë nxjerrë mbi 648 vendime, duke përfshirë 479 vendime në lëndët penale, duke përfshirë korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, krimet e luftës, trafikimin me qenie njerëzore dhe 146 vendime në lëndët civile. Midis 1 janarit 2009 dhe 11 janarit 2018 janë gjykuar 17,908 raste nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, e cila përfshin 8 gjyqtarë ndërkombëtarë dhe 4 zyrtarë ligjorë ndërkombëtarë”, ka deklaruar zëdhënësja e EULXE-it.

EULEX-i u angazhua për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Berisha-Rizaj ka thënë se është bërë punë e madhe edhe për identifikimin e personave të pagjetur përmes Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Duke kryer 595 operacione në terren dhe 427 vlerësime të lokacioneve, duke përfshirë 153 zhvarrime për t’i gjetur personat e zhdukur. Janë identifikuar mbetjet mortore të gjithsej 427 individëve, duke përfshirë 297 persona të pagjetur. Mijëra dokumente janë analizuar dhe 2.259 mostra të eshtrave janë dërguar për analizë të ADN-së, autopsi dhe punë lidhur me identifikimin. Autoriteteve kosovare u është dhënë ndihmë ligjore - duke ndihmuar në hartimin e mbi 150 ligjeve”, ka shtuar ajo.

Zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj, ka thënë se monitorimi, mentorimi dhe këshillimi nga ana e këtij misioni vazhdon për një numër të çështjeve të politikave që ndërlidhen me Policinë, duke përfshirë Policinë e Kufirit; aspekte të ndryshme të punës së Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe çështje të lidhura me dialogun, që kanë të bëjnë në veçanti me veriun.

EULEX-i do të largohet gradualisht

Në fund zëdhënësja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit ka thënë se ky mision tashmë është duke e zhvilluar një plan gjithëpërfshirës me një fokus të fortë në qëndrueshmërinë e procesit të tranzicionit për të siguruar që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje që ta parandalojnë ndonjë rënie serioze të performancës, derisa EULEX-i do të largohet gradualisht.

“Disa nga aktivitetet tona do të kalojnë në Zyrën e BE-së, disa në gjyqësorin e Kosovës, ndërsa EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën përmes aktiviteteve monitoruese dhe funksioneve të kufizuara ekzekutive”, është shprehur Berisha-Rizaj.

Ajo bëri të ditur se formati i saktë dhe numri i personelit të EULEX-it janë ende duke u shqyrtuar.

“Për kohën pas qershorit 2018, formati i saktë dhe numri i personelit të EULEX-it janë ende duke u shqyrtuar dhe varen nga vendimi i shteteve anëtare. Parashikohet që pas 14 qershorit, kur skadon mandati aktual, në sistemin gjyqësor të Kosovës nuk do të ketë më gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it”, ka potencuar Berisha-Rizaj duke thënë gjithashtu se parashihet që misioni do t’i mbajë disa aktivitete monitoruese, veçanërisht në lidhje me dosjet gjyqësore që tashmë janë në proces të transferimit në gjyqësinë vendase.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës e ka falënderuar EULEX-in për punën e bërë në këto dhjetë vjet, duke mos dashur të japin ndonjë vlerësim për sukseset ose dështimet e këtij misioni.

“Mandati i EULEX-it përfundon më 15 qershor 2018. Qeveria e Republikës së Kosovës është mirënjohëse për rolin e deritashëm të këtij misioni. Nga kjo datë roli i tyre do të vazhdojë në cilësinë e këshillëdhënies dhe Qeveria e mirëpret ndihmën në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Kurteshi: Ky është shembull klasik i dështimit të sistemit të drejtësisë

I pyetur se sa ka arritur EULEX-i t’i ndihmojë autoritetet kosovare në zbatimin e sundimit të ligjit, ish-avokati i Popullit, tani deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se përmes një analize sipërfaqësore dëshmohet e kundërta.

“Një analizë sipërfaqësore, e vrazhdë e dëshmon të kundërtën. Në vend të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, me ndihmën e EULEX-it, në të vërtetë krijimi i Dhomave të Specializuara në Holandë, të njohura me shprehjen ‘Gjykata Speciale’ për Kosovën dhe kundër UÇK-së, është shembulli klasik, i shpërfaqur me vrazhdësi brutale i një dështimi të sistemit të drejtësisë, të reduktuar në togfjalëshin ‘Sundim i ligjit’”, ka vlerësuar Kurteshi.

Më tej ai ka thënë se misioni i EULEX-it ndër të tjera ishte: ndihma për institucionet kosovare të sundimit të ligjit që ato të shkapen nga ndikimi politik, hetimi i mirëfilltë, ndjekja, gjykimi dhe zgjidhja e rasteve të krimeve të luftës, të terrorizmit, të krimit të organizuar, të korrupsionit, të krimeve ekonomike e financiare dhe të krimeve të tjera serioze.

Mirëpo, sipas Kurteshit, shikuar nga perspektiva e qytetarit, qoftë duke parë kapjen e sistemit të drejtësisë nga klasa politike pushtetore, qoftë duke parë rritjen e numrit të lëndëve në pritje për zgjidhje, me zvarritje mesatare prej më shumë 8 vjetësh për një vendim përfundimtar të nënsistemit gjyqësor, është dëshmi e pakundërshtueshme e një dështimi të misionit të EULEX-it.

EULEX-i bashkëpunoi me “Peshqit e mëdhenj”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se EULEX-i në fillim të mandatit bëri premtime për kapjen e “Peshqve të mëdhenj” të korrupsionit e të krimit të organizuar, mirëpo ky misioni ka bashkëpunuar me “Peshqit e mëdhenj”.

“Kapja e ‘Peshqve të mëdhenj’ si sintagmë bombastike e EULEX-it, në të vërtetë është dëshmuar si një mashtrim tragjik, i cili është keqpërdorur vetëm për të fshehur të kundërtën e saj - bashkëpunimin e EULEX-it me të ashtuquajturit ‘Peshqit e mëdhenj’ në politikë, në ekonomi e në drejtësi. Fatkeqësisht, shembujt që e dëshmojnë këtë nuk janë të paktë”, ka deklaruar Kurteshi.

Sipas tij, puna 10-vjeçare e EULEX-it në Kosovë ka këto rezultate konkrete: “Gjykatë Speciale” dhe rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura gjyqësore në pritje.

Madje, sipas Kurteshit edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën jepet vlerësim negativ për EULEX-in.

“Vetë Raporti i Komisionit Evropian, i publikuar në muajin e kaluar, shprehimisht kështu e vlerëson edhe punën e EULEX-it, se: ‘Kosova është në fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional, gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndërhyrjet politike.  Administrata e gjyqësorit mbetet e ngadalshme dhe joefikase, kurse në lidhje me korrupsionin Kosova është në fazë të hershme sa i përket luftimit të korrupsionit dhe se korrupsioni është i përhapur dhe mbetet shqetësim serioz’”, ka përfunduar Kurteshi.

Gashi: EULEX-i nuk ka kryer kurrfarë roli pozitiv

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se EULEX-i nuk ka kryer kurrfarë roli pozitiv për Kosovën.

Madje sipas Gashit ky mision e ka lënë Kosovën në mes të rrugës. 

Ai ka thënë se Kosova duhet të festojë për largimin e EULEX-it.

“EULEX-i është dashur ta kryejë punën për sundimin e ligjit sidomos në veriun e Kosovës, por kjo nuk ka ndodhur. Ky mision nuk ka kryer kurrfarë roli pozitiv, por na ka lënë në gjysmë të rrugës duke qenë mashë e politikës së Kosovës. Prandaj, EULEX-i duhet ta përfundojë mandatin më 14 qershor. Më 14 qershor duhet të festojmë për largimin e EULEX-it dhe kjo ditë duhet të jetë e shënuar”, ka vlerësuar Gashi.

Në fund ai ka thënë se Kosova si shtet ka kapacitete të merret me çdo sfidë juridike që i paraqitet në të ardhmen. /ZËRI/