Emrat e kandidatëve për drejtor të burgjeve shkojnë në Qeveri

Kronika April 25, 2018 - 07:57
Lexo detajet

Konkursi kishte nisur që nga prilli i vitit 2017, ndërsa tani tre emrat që i janë propozuar Zyrës së Kryeministrit janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së dhe drejtori aktual i burgut të Sigurisë së Lartë Rasim Selmani, ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës Enver Rrustemi, si dhe drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Për të katërtën herë Ministria e Administratës Publike ka arritur t’i përzgjedhë tre emrat e kandidatëve më të suksesshëm për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues (SHKK).

LEXO EDHE: PDK-ja kundër tryezës së thirrur nga LDK-ja

Konkursi kishte nisur që nga prilli i vitit 2017, ndërsa tani tre emrat që i janë propozuar Zyrës së Kryeministrit janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së dhe drejtori aktual i burgut të Sigurisë së Lartë Rasim Selmani, ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës Enver Rrustemi, si dhe drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i ka thënë gazetës “Zëri” se emrat e tre kandidatëve më të suksesshëm janë dërguar në Zyrën e Kryeministrit dhe tani i mbetet Kryeministrisë të vendosë kur do ta qesë në rend dite këtë çështje.

Ai thotë se ka kërkuar që sa më parë të hyjë në rend ditë çështja e përzgjedhjes së të parit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Unë e kam dërguar propozimin, kam kërkuar nga Ministria e Administratës Publike, sepse ata e menaxhojnë procesin e konkursit, kam kërkuar që sa më parë ta qesin në rend dite të Qeverisë, kështu që pres prej Sekretarisë së Qeverisë se kur do ta vendosë në rend dite”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se kjo çështje ende është në proces.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi nuk ka treguar nëse kryeministri ka vendosur ditën kur kjo çështje të futet në rend ditë në Qeveri.

“Përzgjedhja e drejtorit të burgjeve është çështje në proces dhe sapo të finalizohet do të njoftohet edhe publiku. Ende nuk ka përfunduar”, është shprehur Gashi.

Selmani: Nuk besoj që përzgjedhja bëhet me ndikime politike

Për gazetën “Zëri” ka folur njëri nga kandidatët për këtë pozitë, Rasim Selmani e që aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së dhe drejtor aktual i Burgut të Sigurisë së Lartë.

Ai beson se procesi i përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së nuk do të bëhet nga ndikimet politike.

“Dikush tjetër vendos nëse unë do të jem ose dikush tjetër, por unë patjetër meqenëse jam në shërbim dhe punoj qe sa vite nuk kam pasur arsye të mos kandidohem. Nuk e besoj që do të ketë ndërhyrje politike”, shprehet Selmani.

Sipas tij, sistemi korrektues në përgjithësi ka nevojë për ndryshime.

“Drejtoria e Burgjeve, por në përgjithësi edhe sistemi korrektues ka nevojë për t’i intensifikuar punët të cilat veç kanë filluar, kështu që unë po besoj që e ardhmja do të jetë shumë më e mirë për sistemin korrektues”, thotë ai.

Ndërkohë, duke qenë pozitë e nivelit të lartë drejtues procedurat e rekrutimit zhvillohen nga ana e Ministrisë së Administratës Publike dhe monitorohen nga kompania e kontraktuar nga Ambasada Britanike.

Thaçi, pretenduesi kryesor për këtë pozitë

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se favoriti për këtë pozitë është Nehat Thaçi, i cili është më i pëlqyer nga britanikët, që e monitorojnë procesin e rekrutimit i cili bëhet nga MAP-i.

Hapja e parë e konkursit për pozitën e të parit të Shërbimit Korrektues të Kosovës ishte bërë më 28 prill 2017. Ky konkurs ishte anuluar për t’u rihapur më 15 shtator të po atij viti. As në këtë konkurs nuk ishte arritur të bëhej përzgjedhja e tre më të mirëve, gjë që kishte detyruar Ministrinë e Administratës Publike (MAP) ta rihapë për të tretën herë konkursin më 27 dhjetor 2017. Konkursi i fundit për këtë pozitë është hapur më 12 mars të këtij viti.

Nuk janë të pakta skandalet që kanë prekur këtë shërbim gjatë këtyre viteve. Janë dy ish-drejtorë të SHKK-së të cilët po përballen me proces gjyqësor në rastin e arratisjes së ish-kreut të Komunës së Skenderajt Sami Lushtakut, ish-drejtori Emrush Thaqi dhe Shemsi Hajrizi.

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, është pensionuar në shkurt të këtij viti, ndërsa në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare të drejtorit është caktuar Rasim Selmani, i cili është edhe drejtor i Burgut të Sigurisë së Lartë.

Para se të pensionohej në gusht të vitit të kaluar Zogaj ishte sulmuar brutalisht nga disa persona. Ai ishte rrahur me shufra hekuri derisa po dilte nga banesa e tij për të shkuar në punë. Edhe pse tre sulmuesit ishin identifikuar nga Policia, asnjëri prej tyre nuk është ndaluar. Madje i dyshuari kryesor gjendet në Gjermani.