PDK-ja kundër tryezës së thirrur nga LDK-ja

Aktuale April 25, 2018 - 07:47
Lexo detajet

Të gjitha subjektet politike parlamentare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e sotme të ftuar nga LDK-ja, përpos Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan tutje Gazeta "Zëri". 

Tryeza e thirrur nga partia më e madhe opozitare (LDK), ku do të diskutohet për zgjidhjen e temave të mëdha nacionale, si dhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, nuk pritet t’i mbledhë të gjitha partitë politike.

Përderisa pjesa dërrmuese e subjekteve pritet të marrin pjesë në këtë takim, zyrtarë nga PDK-ja kanë thënë për “Zërin” se nuk duhet shkuar në një tryezë të tillë, e cila pritet të mbahet të mërkurën (sot), duke filluar prej orës 13:00.

LEXO EDHE: Hetime për falimentimin e Telekomit

Megjithatë, nga ky subjekt kanë deklaruar se tek gjatë ditës do të dalin me një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje.

Për dallim prej saj, dy partitë e tjera të koalicionit (AAK-ja e Nisma) tashmë kanë njoftuar se do të jenë pjesë e tryezës së thirrur nga LDK-ja, ndonëse kanë pohuar se njëherë nuk do të ketë zgjedhje siç po kërkon LDK-ja.

Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, përfaqësues të së cilës kanë thënë se LVV-ja është gjithmonë për organizimin e tryezave.

Pavarësisht këtyre, nga shoqëria civile konsiderojnë se takimi nuk do të jetë frytdhënës pasi PDK-ja tashmë i është kundërpërgjigjur LDK-së me publikimin e platformës nga kryetari i partisë, Kadri Veseli.

Me anë të kësaj platforme, sipas Veselit, synohet arritja e një konsensusi të gjerë nacional për temat e nivelit nacional. 

Haliti: Nuk duhet të marrim pjesë në takim

I pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e së mërkurës, shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Memli Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se tek gjatë ditës sot PDK-ja do të dalë me një qëndrim zyrtar rreth kësaj çështjeje.

“Nesër e bëjmë publik qëndrimin tonë”, i ka thënë shkurt gazetës Krasniqi gjatë së martës.  

Mirëpo, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka konsideruar se nuk ka asnjë arsye që PDK-ja të marrë pjesë në takimin e thirrur për sot nga LDK-ja.

“Unë mendoj që nuk ka nevojë të shkohet në takimet që i thërrasin partitë politike. Ne për takime të tilla e kemi Parlamentin e Kosovës dhe mund t’i diskutojmë çështjet në seancat plenare. Mund të bisedojmë, por mendoj që pozita nuk është e obliguar dhe nuk do të duhej të shkonte për të diskutuar në konferenca. Mendimi im është që nuk duhet marrë pjesë”, ka deklaruar Haliti për “Zërin”.

Ai më tej e ka cilësuar si absurde ftesën e LDK-së për të marrë pjesë në këtë takim.

“Ato nëpër vendet që s’janë prej institucioneve mendoj që u takojnë bisedimeve mes OJQ-ve dhe institucioneve të Kosovës, partive politike, por mendoj që një parti duke qenë partia më e madhe parlamentare të kërkojë takim jashtë Parlamentit duket absurde”, ka theksuar ai.

Lekaj: Zgjedhjet në afatin ligjor ose me dakordim

Në anën tjetër, ndonëse gjatë ditës së djeshme zyrtarë të AAK-së e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e përbashkët të partive politike, nënkryetari i AAK-së Pal Lekaj ka thënë se LDK-ja duhet të përcaktohet nëse është për të diskutuar për çështjet e mëdha apo për zgjedhjet e parakohshme.

“Tani disa individë duhet të përcaktohen, nëse janë për diskutime të gjera e për konsensus mbarështetëror, për disa tema nacionale apo janë me idenë elektorale në çdo ditë të jetës politike të tyre e për Kosovën aspak nuk u intereson”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Lekajt, zgjedhjet janë të parapara me Kushtetutë dhe ato do të organizohen vetëm duke u bazuar në afatin kushtetues ose me dakordim të koalicionit.

“Kushdo që në këto momente të Kosovës kërkon zgjedhje nuk e bën ketë që është duke iu dhimbsur Kosova, sepse vendi asnjëherë më parë nuk ka pasur qeveri më dinamike, porse kjo dinamikë dikujt i duket dëm për ta në kuptim elektoral. Prandaj insistojnë me çdo kusht në zgjedhje”, ka shtuar ai.

Sherifi: Nisma merr pjesë në të gjitha takimet e ftuara nga partitë

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka konfirmuar për gazetën se Nisma do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LDK-ja.

“Në parim Nisma Socialdemokrate konsideron se takimet mes partive politike janë të mirëpritura. Nisur nga kjo, Nisma do të marrë pjesë në të gjitha takimet e ftuara nga partitë politike. Nga takimet mes partive askush nuk humb, pa marrë parasysh se a do të pajtohemi apo jo për çështjet të cilat do të diskutohen në ato takime”, ka theksuar ai.

Më tutje Sherifi ka vlerësuar se më mirë është të ketë takime të cilat përfundojnë me mospajtime sesa të mos fare takime të tilla.  

Hoti: Zgjedhjet e parakohshme, të domosdoshme

Ndërkohë, i pyetur rreth kësaj, nikoqiri i takimit Avdullah Hoti (shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së) ka thënë se pjesa dërrmuese e partive do të marrin pjesë në tryezën e përbashkët.

“Shumica e partive politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga LDK-ja, që mbahet të mërkurën në orën 13:00 në Kuvendin e Kosovës. LDK-ja vlerëson se vendi ka hyrë në krizë institucionale dhe politike, veçanërisht pas humbjes së shumicës në Kuvendit e Kosovës të koalicionit qeverisës. Si rezultat i kësaj gjendjeje temat e rëndësisë nacionale nuk mund të adresohen, prandaj për të dalë nga kjo situatë zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme”, ka deklaruar Hoti për “Zërin”.

Ai më tej ka thënë se është në interesin e qytetarëve që partitë politike të arrijnë konsensus lidhur me temat e mëdha të vendit.

Demhasaj: Takimi i sotëm mund të jetë jofrytdhënës

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka konsideruar se iniciativat për tryeza të përbashkëta për të diskutuar për çështje të rëndësisë nacionale janë pozitive. Mirëpo, sipas tij, kërkesa për zgjedhje të parakohshme (që do të diskutohet në tryezën e LDK-së) nuk ka kurrfarë logjike.

“Nuk e di me çfarë logjike është nisur LDK-ja për këtë çështje, cila është arsyeja që këta po kërkojnë zgjedhje derisa nuk është bërë një vit që Kosova ka mbajtur zgjedhjet. Duke marrë parasysh edhe vonesat që po bëhen për krijimin e institucioneve, mund të ketë pasoja për Kosovën”, është shprehur ai.

Sipas Demhasajt, disa prej partive në pushtet mund edhe të mos marrin pjesë në takimin e LDK-së, pas publikimit të platformës nga Kadri Veseli, e cila mëton arritjen e një konsensusi të gjerë për temat e mëdha.

Madje, siç ai është shprehur, platforma e Veselit ka ardhur kryekëput si kundërpërgjigje ndaj LDK-së.

“Personalisht e kam parë atë si një kundërpërgjigje ndaj LDK-së. Kanë bërë një platformë më të detajuar që t’ia bëjnë një lloj konkurrence LDK-së për këtë çështje. Ka gjasa që PDK-ja e AAK-ja të mos marrin pjesë në atë takim dhe pastaj mund të konsiderohet si jo shumë i frytshëm, pasi nuk janë të gjitha partitë politike”, ka potencuar ai.