Kronika

Aktakuzë për drogë ndaj 8 personave

Aktakuzë për drogë ndaj 8 personave
16 prill 2018 • 11 : 28

Lexoni më shumë detaje

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër personave: A.L, R.H, F.G, F.A, G.A. Z.B, L.N dhe F.S, në rastin e shenjtëruar  “SHKURTI”, pranë Gjykatës  Themelore në Ferizaj  - Departamenti për Krime të Rënda.

"Prokuroria Speciale i akuzon A.L, R.H, F.G, F.A, G.A., se kanë kryer veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2 të KPRK-së, dhe (ndihmë në kryerje të veprës). Njëri nga pjesëtarët e grupit me inicialet A.SH gjendet në arrati dhe kundër tij  janë pezulluar hetimet dhe është lëshuar Letër Rreshtimi", thuhet në njoftim.

Kurse ndaj tre personave të tjerë: Z.B, L.N dhe F.S. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprën penale: “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale nga neni 388 paragrafi 2 nënparagrafi 2.8 lidhur më paragrafin 1të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, grupi i organizuar dyshohet se me qëllim të përfitimit material prej muajit shkurt 2017 deri me 30 prill 2017, janë marrë me  blerjen , transportin dhe shitjen e pa autorizuar të narkotikëve, ashtu që në aksionin e Policisë të DHTN-së në Ferizaj, në muajin prill janë gjetur dhe  sekuestruar, 824 kg e 706 gram narkotik të llojit Marihuana, e cila është gjetur në disa lokacione në Ferizaj.

Narkotikët janë sekuestruar së bashku edhe me automjetet dhe mjetet e tjera të përdoruara në kryerjen e veprës penale apo për fshehjen e narkotikëve, deri më tani kjo është sasia me  e madhe e narkotikeve të zbuluar dhe të sekuestruar.

 

© zëri.info