Aktakuzë ndaj Pal Lekajt dhe 6 zyrtarëve të Komunës së Gjakovës

Kronika April 13, 2018 - 07:56
Lexo detajet

Numri i ministrave me aktakuza çdo ditë po i shtohet kabinetit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka disa ditë që ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Infrastrukturës, tashmë ish-kryetar i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Lekaj po akuzohet nga prokurori i Prokurorisë Speciale Faik Halili për dy vepra penale, atë të “Përvetësimit në detyrë” dhe “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë prokurorin e rastit Faik Halilin për të mësuar më shumë detaje rreth kësaj aktakuze, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.

LEXO EDHE: Qytetarët, të rrezikuar nga vaji i palmës

Në anën tjetër zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu ia ka konfirmuar gazetës “Zëri” lajmin për ngritje të aktakuzës, duke shtuar se nuk ka informacione të tjera rreth kësaj aktakuze.

“Mundem vetëm ta konfirmoj se është ngritur aktakuza, mirëpo për detaje të tjera nuk jam i informuar”, ka thënë Lutfiu.

Gazeta ka kontaktuar zëdhënësin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, Hektor Vula, i cili ka treguar se aktakuza ndaj ish-kryetarit të Gjakovës Pal Lekajt ka arritur në këtë gjykatë më 10 prill.

“Më 10 prill ka arritur në gjykatë kjo aktakuzë. Lënda nuk i është caktuar ndonjë gjyqtari, pasi kjo bëhet në bazë të Rregullores për Organizimin e Brendshëm të Gjykatës, që është se mënyra e shpërndarjes së lëndëve te gjyqtarët bëhet me short”, ka thënë Vula.  

Përveç ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj, pjesë e kësaj aktakuzë janë edhe 6 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të kësaj Komune.

“Përveç Pal Lekajt në këtë aktakuzë janë edhe gjashtë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Komunës së Gjakovës. Nuk mund t’i japim emrat e tyre, por disa janë ish-zyrtarë e disa ende janë në funksion në Komunën e Gjakovës”, u shpreh Vula për gazetën “Zëri”.

 Gazeta ka provuar të kontaktojë ministrin Lekaj, por ai nuk është lajmëruar.

Mirëpo reagimin e tij për këtë aktakuzë ministri Lekaj të enjten ka përzgjedhur ta bëjë përmes faqës së tij zyrtare në “Facebook”.

Ai ka mohuar çfarëdo keqpërdorimi të bërë nga ana e tij gjatë kohës sa ishte në krye të Komunës së Gjakovës.

“Po lexoj në medie që organet e drejtësisë paskan ngritur një aktakuzë për një çështje të para 10 vjetëve. Krejt çka mund të them tani për tani është se në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës.

Ashtu siç kam qenë do të vazhdoj të jem në krye të detyrës, për t’i përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë”, është shprehur Lekaj.

Ai madje këtë aktakuzë e ka quajtur tendencë të presionit ndaj tij.

“Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë jam i gatshëm ta respektoj. Por nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencën e presionit”, ka thënë i pari i Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndryshe edhe ministri i Inovacionit dhe i Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, akuzohet për  “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në rastin e njohur si afera “Pronto”, si dhe Valdrin Lluka ministër i Zhvillimit Ekonomik, i cili në këtë pozitë kishte ardhur edhe pse po akuzohej për “Konflikt të interesit”.

4 vjet e gjysmë burg për 31 kilogramë marihuanë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në lidhje me veprën penale të “Posedimit, shpërndarjes e shitjes së paautorizuar të narkotikëve”.

Kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj- Hyseni ua ka shqiptuar tre të akuzuarve Edmond Temalit, Aleksandër Jubanit e Zajnullah Ejupit dënimin me nga 1 vit e gjashtë muaj burg si dhe me gjobë në shumën prej 6 mijë eurove secilit. Ndërsa për të akuzuarin tjetër Armend Ejupi për të cilin Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja, trupi gjykues ka shpallur aktgjykim refuzues.

Gjykata kundrejt dënimit me gjobë dhe dënimit me burgim ka shqiptuar edhe dënim plotësues duke urdhëruar që të akuzuarve t’u konfiskohen dy vetura, njëra e tipit “Opel Vectra” dhe tjetra e tipit “Citroen”, me të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, të akuzuarit janë të obliguar që secili veç e veç t’i paguajnë shpenzimet procedurale, si dhe në formë të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 200 eurove.

Të akuzuarve në dënim do t’u llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim nga data 21 prill e vitit të kaluar e deri më datën e sotme, ka raportuar “kallxo.com”.

Edmond Temali, Aleksandër Jubani, Zejnullah Ejupi kanë hyrë në marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë. Paraprakisht, dy nga katër të akuzuarit kishin hyrë në marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë, derisa i akuzuari i tretë ka pranuar fajësinë qysh në seancën fillestare.

Ndërkaq, i akuzuari i katërt nuk ka hyrë në këtë marrëveshje.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Armend Hamiti qëndroi pranë marrëveshjes së arritur me mbrojtësit e të akuzuarve për pranim të fajësisë, derisa për të akuzuarin e katërt, Armend Ejupi, u tërhoq nga përndjekja penale me arsyetimin se nuk ka arritur të vërtetohet dashja e tij.

Sipas prokurorit Hamiti, nuk është vërtetuar se Armend Ejupi ka qenë në dijeni se në veturën të cilën po ia dërgonte vëllait ka pasur substanca narkotike.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 21 prill 2017 rreth orës 11:00, në fshatin Gllamnik të komunës së Podujevës, ku derisa Policia ka qenë në vëzhgim dhe në përcjellje të të pandehurve, të cilët pa autorizim, me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes kanë transportuar substancat të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, ashtu që në këtë fshat të Podujevës kanë ndaluar veturën e tipit “Opel Vectra” me targa të Zvicrës.