Ky është vendimi i Gjykatës Supreme për ish-prokuroren Badivuku

Kronika April 11, 2018 - 16:28
Ja çfarë vendimi mori Gjykata Supreme

Më shumë se 9 muaj nga koha kur Gjykata e Apelit të Kosovës e kishte vërtetuar dënimin prej 3 vjetësh të Vahide Badivukut për veprën penale të dhënies së ryshfetit të shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, tani Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim të ri lidhur me këtë çështje.

Duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës në fillim të këtij muaji e ka aprovuar kërkesën dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Apelit, Arbër Jashari.

“Ky rast ka ardhur nga Gjykata Supreme në Gjykatën e Apelit të martën me 10.04.2018. Kjo pasi që Supremja, më anë të aktgjykimit PM1.nr.224/2017, të datës 03.04.2018, ka vendosur që ta miratojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarës V.B.., duke anuluar kështu aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të datës 29.05.2018. Çështja është kthyer për rivendosje”, thuhet në përgjigjen e Apelit për KALLXO.com.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorja Badivuku në periudhën kohore maj – gusht 2015 në cilësinë e prokurores  së krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës për të përfituar për vete ka kërkuar dhe pranuar dhuratë “në mënyrë të tërthortë”.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, ata akuzoheshin për veprën e ushtrimit të ndikimit, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte ricilësuar veprën e tyre në dhënie ryshfeti.

I pari ishte dënuar me një vit burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ky rast fillimisht ishte vendosur nga Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2016, ndërsa në shtator të vitit 2016 Apeli e kishte vërtetuar vendimin e Themelores.

Ndryshe nga Apeli kishte vendosur, Gjykata Supreme e Kosovës e cila në maj të vitit 2017 e kishte kthyer në rivendosje këtë rast në Gjykatën e Apelit.

Sipas Gjykatës së Apelit ky rast do të ndahet së shpejti në punë dhe do trajtohet me prioritet pasi që hyn në grupin e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave.