Policët e pranojnë që prekën provat në vendin e vrasjes së Ivanoviqit

Kronika February 13, 2018 - 18:15

Një dokument gjyqësor tregon se dy policë në veri të Kosovës pranuan në gjykatë se kanë prekur provat në skenën e krimit ku u qëllua për vdekje politikani serb Oliver Ivanoviq.

Dy policët e pranuan se kishin manipuluar provat në skenën e vrasjes së politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq, sipas një procesverbali me shkrim të një vendimi të marrë nga Gjykata Themelore në qytetin e Mitrovicës për t’i liruar ata.

Një nga policët, i identifikuar me inicialet Zh.J., i tha gjykatës se ai bëri atë që pretendonte prokuroria “nga padituria dhe mungesa e trajnimit dhe jo me qëllim” dhe se ai pendohej sinqerisht për veprimet e tij, raporton BIRN.

Avokatja e policit tjerë, i identifikuar si D. M., i tha gjykatës se klienti i saj e telefonoi ambulancën me celularin e tij duke menduar se Ivanoviqi ishte i sëmurë, por pa e kuptuar se çfarë i kishte ndodhur atij, sipas dokumentit të gjykatës.

Gjatë seancës dëgjimore në Mitrovicë të hënën, prokuroria tha se videot e mbikëqyrjes të analizuara nga hetuesit tregonin Zh.J. duke marrë një gëzhojë plumbi nga vendi i krimit dhe duke e futur atë në xhep.

Sipas prokurorisë, polici i dytë D. M. e pa Zh. J. duke e bërë këtë gjë, por nuk reagoi.

Prokuroria tha gjithashtu se dy policët lejuan një kalimtar të kalonte në skenën e krimit ku Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje më 16 janar, para zyrave të partisë së tij në Mitrovicën e veriut.

Lexo po ashtu:
[Lirohen nga paraburgimi policët e dyshuar për fshehje të provave në rastin Ivanoviq] Lirohen nga paraburgimi policët e dyshuar për fshehje të provave në rastin Ivanoviq

Gjykata vendosi se prokuroria i ka të gjitha provat nga skena e krimit, kështu që nuk ka shqetësime se të dyshuarit, të cilët u liruan nga paraburgimi të hënën, mund të shkatërronin ndonjë provë.

Dy policët nga pjesa veriore me shumicë serbe e Mitrovicës u arrestuan të shtunën.

Ivanoviç ishte kreu i nismës Liri, Demokraci dhe Drejtësi, e cila ishte kundër partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës.

Politikani i njohur kishte thënë disa herë se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime dhe kishte kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë rezultat.

Serbia e deklaroi vrasjen një akt terrorizmi dhe kërkoi që të lejohej të merrte pjesë në sjelljen e fajtorëve para drejtësisë.

Ivanoviç shihej si një politikan i moderuar që mbështeste bashkë ekzistencën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare të saj.

Megjithatë, para vdekjes së tij ai po rigjykohej nën dyshimet se kishte urdhëruar vrasjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.