Rasti ''Ivanoviq'', dy policë serbë manipuluan me provat

Kronika February 12, 2018 - 09:13

Edhe pse ka kaluar gati një muaj që nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq, hetimet për këtë rast ende nuk kanë sjellë ndonjë rezultat, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërsa janë arrestuar dy zyrtarë policorë si të dyshuar për manipulim me prova.

Të arrestuarit janë dy zyrtarë policorë të etnisë serbe nga Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut, të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Arrestim e tyre e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për medie, teksa prokurori i ngjarjes ka bërë të ditur se janë duke i hetuar pasojat e veprimeve të policëve.

IPK-ja: Dy të arrestuar, manipulim me provat

“Me autorizim të prokurorit dhe të Gjykatës Themelore në Mitrovicë hetuesit e IPK-së dhe të PK-së kanë realizuar urdhëresën për bastisje në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se dy zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale ‘Manipulim me prova’ të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Sipas kësaj komunikate nga IPK-ja, gjatë kontrollit të Policisë të dyshuarve u janë gjetur dhe u janë konfiskuar disa mjete të cilat do të shërbejnë për hetime të mëtejshme.

“Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe të PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut, është konfiskuar një revole e llojit “TT”, si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, që do të shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, thuhet po ashtu në komunikatë.

E krejt kjo ngjarje sipas ekspertëve të sigurisë po shihet si një masë ekstreme nga IPK-ja dhe nga Prokuroria, pasi që në rase të zakonshme policët vetëm suspendohen.

Shala: Arrestimi i policëve, masë ekstreme nga IPK-ja dhe nga Prokuroria

Drizan Shalës, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se IPK-ja ka të drejtë ta kërkojë arrestimin e policëve nëse këta dy kanë bashkëvepruar në kryerjen e veprës penale.

“Nëse kemi bashkëveprim në kryerjen e veprës penale duke asgjësuar nga ana e dy zyrtarëve policorë mendoj që atëherë IPK-ja ka të gjitha autorizimet për të kërkuar arrestim”, ka thënë Shala.

Arrestimi i policëve, sipas Shalës, është një masë ekstreme të cilën e kanë marrë

IPK-ja me Prokurorinë, pasi që ne policët mund të suspendoheshin.

“Ky veprim i marrë nga IPK-ja në bashkërendim me Prokurorinë është ekstrem në lidhje me shkelje procedurale, sepse në raste të zakonshme policët duhen vetëm të suspendohen dhe hetimet t’i marrë Njësia e Standardeve Profesionale e jo drejtpërdrejtë IPK-ja”, ka thënë ai.