Shkaku i neglizhencës komunale, një lagje e tërë në Prishtinë kanë mbetur të ngujuar nga bora, për më shumë se 72 orë!

Kronika January 24, 2018 - 09:58

Tashmë ka më shumë se 72 orë, që kur familja e Ekrem Bytyqit bashkë me shumë familje tjera që jetojnë në lagjen “Gulmivadë” të fshatit Marevc në Prishtinë, kanë mbetur të ngujuara si pasojë e bllokimit të rrugës kryesore në këtë lagje, shkruan GazetaBlic.

Moti me borë të dendur i cili ka mbretëruar ditëve të fundit, dhe temperaturat e ulëta, kanë bërë që rruga në këtë lagje të bëhet e pakalueshme si në këmbë ashtu edhe me veturë.

Në një prononcim për “GazetaBlic”, Ekrem Bytytqi – 50 vjeç, i cili banon në lagjen “Gulmivadë” të fshatit Marevc, ka treguar për pamundësinë e lëvizjes, pasi sipas tij, bora kah kjo pjesë ku jeton ka shkuar deri në 30 centimetra, e madje në disa pjesë edhe në një metër – si pasojë e erërave të cilat e kanë rritur nivelin.

Bytyqi ka treguar se ka biseduar edhe me një zyrtar nga Komuna e Prishtinës, ku i ka shprehur shqetësimet e tij rreth gjendjes në të cilët ndodhet ai me familje, por thotë të ketë marrë një përgjigje me tekst në telefon, ku i ishte thënë që s’ka borë e rruga është e qarkullueshme.

Pavarësisht kësaj përgjigje, ai nuk pajtohet assesi që një gjë e tillë është e vërtetë. Sipas tij, dy ditë më parë ka pasur një rast vdekjeje në këtë lagje, dhe thotë se mezi kanë arritur të dalin e t’i kryejnë ceremonitë ashtu siç duhet.

“E kemi pas një rast vdekjeje, pardje. Mezi në mëngjes kemi dal. E kur i thirra (zyrtarët komunal vj.) jo, tha, s’ka borë është e qarkullueshme, për Marevc nuk e di une, këndej kah ne jemi bllokuar.” – tha Bytyqi për “GazetaBlic.

Në pamundësi për të biseduar rreth kësaj çështjeje me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, “GazetaBlic” ka provuar të kontaktojë me zëdhënësit e kësaj komune, por asnjë prej tyre nuk kanë qenë në vendin e punës, të paktën kështu ka thënë një zyrtar për informim. Me anë të telefonit, zëdhënësi për media në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka treguar se nuk është në punë sot. E Miranda Mullafazliu, po ashtu zëdhënëse në komunë, nuk ka qenë në vendin e punës, por me anë të telefonit ka kërkuar që pyetjet të dërgohen me e-mail. Pavarësisht se një gjë e tillë është bërë sipas kërkesës, përsëri nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Në anën tjetër, e njëjta lagje vitin e kaluar për shtatë javë ka qenë e bllokuar e banorët po frikësohen se mos tani po i lënë të bllokuar ‘deri në Shëngjergj’.

“Ditën e parë që ia ka nisë me ra kjo borë e madhe, i kam lajmëruar menjëherë komunën, iu kom than, hej rrini gati se vjet shtatë javë kam mbet, edhe sivjet me gjasë, deri në Shëngjergj kom me mbet – ma ndali telefonin, kurrgjë-kurrkujt,”- është shprehur Bytyqi.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti  katër ditë më parë kishte shkruar në “Facebook” se “pavarësisht reshjeve të borës, deri tash nuk ka probleme në asnjë fshat dhe asnjë lagje të komunës së Prishtinës.

Edhe nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur që rrugët nacionale dhe ato regjionale nuk kanë probleme me qarkullim, por kanë kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes në vozitje për shkak se reshjet e borës janë të vazhdueshme dhe mund të hasin në vështirësi.