Vëllai i Rexhep Selimit flet për plagosjen

Kronika January 20, 2018 - 18:49

Në një bisedë për KALLXO.com Islam Selimi ka rrëfyer incidentin e mbrëmshëm ku ai mbeti i lënduar.

Në nisje të bisedës Selimi ka sqaruar se lëndimi i tij është një gërvishtje sipërfaqësore në krahun e majtë. “Është vetëm një gërvishtje kam qëndruar për rreth një orë në spital dhe jam liruar për në shtëpi” , ka thënë Selimi.

Duke sqaruar rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, ai ka thënë se dorasin e njeh qe 20 vjet. “Kam shku tek shtëpia e tij për të diskutuar rreth një borxhi dhe ka eskalu incidenti”, ka rrëfyer Selimi.

Duke mos sqaruar borxhin, ai ka treguar se në shtëpinë e dorasit ka shkuar i vetëm dhe pa ndonjë përcjellës tjetër.

Ai është i bindur se qëllimi i dorasit nuk ka qenë që t’i shkaktojë lëndime të mëdha, madje vë në pikëpyetje nëse shkrepja e armës ishte aksidentale. “Më kanë thënë se ai ka qenë nënë ndikimin e alkoolit dhe besoj që edhe shkrepja ka ardhur si pasojë e kësaj “, ka thënë Selimi.

Ai ka shtuar se çështja tashmë është e tejkaluar dhe pret që të ulet dhe të bisedojë me dorasin për sqarimin e rastit.

Prokurori i shtetit në një deklaratë gjatë ditës ka thënë se është duke analizuar rrethanat dhe pret të marrë një vendim nëse do kërkojë ose jo paraburgim prej 30 ditësh për dorasin.