Vazhdon gjykimi për tenderin 6 milionësh të KEK- ut

Kronika December 19, 2017 - 09:26

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj gjashtë personave të akuzuar lidhur me tenderin gjashtë milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut.

Të akuzuar  për këtë tender janë drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Në seancën e kaluar, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Po ashtu, prokurori Danilo Cecarelli përmendi kërcënimin e kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dinës, për një tender tjetër prej 21 milionë eurosh që lidhej me Autostradën Prishtinë- Gjilan, kështu duke paralajmëruar Dinën si dëshmitar të mundshëm.

“Kohët e fundit kemi lexuar në shtyp se kreu i OShP-së Blerim Dina është kontaktuar në emër të të akuzuarit Sami Lushtaku kinse për të diskutuar për një tender në vlerë prej 21 milionë eurove dhe kjo rrethanë nëse është e vërtetë e mbështet dhe konfirmon akuzën ndaj Sami Lushtakut në këtë rast”, ka thënë Cecarelli në seancën e kaluar./Kallxo.com