Flet Olluri, tregon motivin e mundshëm të sulmit ndaj tij

Kronika August 16, 2017 - 23:31

Gazetari dhe drejtori i Gazetës “Insajderi”, Parim Olluri, i cili sonte është sulmuar fizikisht në rrugën “Bajram Kelmendi”, ka thënë se në momentin e sulmit ka qenë me të fejuarën e tij.

Olluri ka thënë se për shkak të shqetësimit nga sulmi, e fejuara e tij tani po merr trajtim mjekësor.

“Unë kam lëndime të lehta, mirëpo e fejuara është shqetësuar dhe tani po merr infuzion”, theksoi Olluri për Periskopin.

Olluri tha se nuk i ka njohur sulmuesi dhe as nuk është i sigurt për motivet e sulmit.

I pyetur nëse sulmi ishte i motivuar për shkak të një shkrimi autorial të publikuar në Insajderi së fundmi, me titullin “Nëse Adem Jashari do të ishte gjallë dhe do të ishte milioner i korruptuar”, ai shprehi besimin se ky do të mund të ketë qenë motivi.

“Po dyshoj se sulmi ndodhi për shkak të shkrimit të fundit. Mendoj se sulmuesit janë dërguar nga dikush. Pas publikimit të shkrimit ka pasur komente kërcënuese, edhe në Insajder”, theksoi Olluri.

Aktualisht, Olluri gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai ka pësuar lëndime të lehta trupore.