Mbyllen hetimet për rastin 'Gracka'

Kronika July 28, 2017 - 14:05

Një prokuror i EULEX-it, për mungesë provash ka mbyllur hetimin në rastin e quajtur “Gracka”. Hetimi përfshinte vrasjen e 14 serbëve në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit, në korrik të vitit 1999.

Hetuesit ndërkombëtarë kanë mbyllur dosjen e një prej vrasjeve më të mëdha të serbëve, pas luftës në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit i ka konfirmuar Radio Kosovës se “për mungesë të mjaftueshme provash”, një prokuror ndërkombëtar ka mbyllur së fundi rastin e vrasjes së 14 serbëve në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit, në korrik të vitit 1999.

Por, EULEX-i ka thënë se dosja do të hapet sapo të bien në gjurmë të provave të reja për  këtë vrasje”.

Civilët serbët ishin qëlluar për vdekje me armë automatike nga një mal i afërt derisa po korrnin grurin në arë mbrëmjen e 24 korrikut të vitit 1999, pak kohë pas zbarkimit të misionit të OKB-së, në Kosovë.  

Në javën e parë pas vrasjes trupat e KFOR-it kishin arrestuar si të dyshuar 5 shqiptarë. Ndërsa në vitin 2007 ishte arrestuar një person tjetër po ashtu i nacionalitetit shqiptar, por për asnjërin nga ata nuk u gjetën prova që i ndërlidhin me vrasjen.

Vitin e kaluar presidenti i vendit, Hashim Thaçi, vuri kurorë lulesh në memorialin e 14 serbëve të vrarë, kërkoi zbardhjen e rastit dhe ndëshkim të autorëve. Përkujtimi i viktimave serbe nga presidenti i Kosovës në gjeneral u pa si një ngjarje e rëndësishme në procesin e ngadalshëm të ballafaqimit me të kaluarën.

Dosja e Grackës e trashëguar nga prokurorët e OKB-së tek ata të EULEX-it,  nuk ka arritur të sjellë ndonjë zhvillim që shpie te zbardhja e vrasjes, duke shty prokurorët evropianë ta mbyllin këtë dosje për mungesë provash.