'Balena e Kaltër', 6 raste paraqiten në Policinë e Kosovës

Kronika June 17, 2017 - 08:47

Në një komunikatë për medie të Policisë se Kosovës thuhet se “sipas informacioneve dhe verifikimeve të para njëri nga rastet ka të bëjë edhe me gërvishtje të dorës, ku viktima e këtij rasti ka deklaruar se njeh edhe fëmijë tjerë që kanë njohuri për këtë lojë apo edhe që jenë duke luajtur këtë lojë”, shkruan sot, gazeta Zeri.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës se premte (dje) janë raportuar gjashtë raste të përfshira në lojën “Balena e Kaltër”.

Në një komunikatë për medie të Policisë se Kosovës thuhet se “sipas informacioneve dhe verifikimeve të para njëri nga rastet ka të bëjë edhe me gërvishtje të dorës, ku viktima e këtij rasti ka deklaruar se njeh edhe fëmijë tjerë që kanë njohuri për këtë lojë apo edhe që jenë duke luajtur këtë lojë”.

Policia e Kosovës, thuhet në vazhdim të komunikatës, në kuadër të saj ka angazhuar me kohë njësitet e saja relevante, duke përfshirë edhe Njësitin e Krimeve Kibernetike, për trajtim dhe hetim të rasteve të kësaj natyre.

“Me qëllim të trajtimit dhe parandalimit të rasteve të tilla apo të ndonjë fatkeqësie Policia e Kosovës apelon tek të gjithë prindërit dhe personat përgjegjës që ta kenë një kujdes dhe kontroll më të shtuar ndaj fëmijëve gjatë përdorimit të internetit apo rrjeteve sociale”, thuhet në komunikatë.

 Rastet në Shqipëri

Përndryshe “Balena e Kaltër”, e njohur edhe si “loja vetëvrasëse”, deri më tani ka shtyrë drejt vetëvrasjes të paktën 130 fëmijë në Rusi.

Kjo lojë tashmë është përhapur edhe në Gjirokastër të Shqipërisë dhe Kosovë, e cila është lojë online dhe sipas informatave të marra ka origjinën në Rusi, ndërsa ka fituar vëmendjen që nga viti 2016.“Balena e Kaltër” është një lojë që luhet online, kryesisht nga fëmijët dhe të rinjtë.
Sipas rregullave të lojës lojtarëve u jepen detyra, të cilat ata duhet t’i realizojnë dhe xhirojnë.
Pas detyrave për 50 ditë ata që kanë kaluar me sukses provën detyrohen që të ngjiten në ndonjë objekt të lartë dhe të hidhen duke bërë vetëvrasje.

Psikologët: Alarm për prindërit dhe institucionet

Psikologu Adem Shala thekson për “Zërin” se loja “Balena e Kaltër” paraqet anën e errët që ka interneti në zhvillimin psiko-social tek fëmijët. Ai thotë së ky duhet të jetë alarm për prindërit dhe institucionet me qëllim të ngritjes së kujdesit ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët, ndërsa pohon së më të atakuar ndaj rreziqeve të internetit janë fëmijët nga 10 deri në 17 vjeç.

“Fëmijët janë ana më e brishtë e shoqërisë, duke u shquar nga zhvillimi i shpejtë psikologjik e fizik dhe kanë atakimin më të madh ndaj rrethit social. Mediet luajnë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, më theks të veçante rrjetet sociale dhe interneti në përgjithësi. Shfaqja e “Balenës së Kaltër’ anën e errët të zhvillimit psiko-social tek fëmijët. Çdo aktivitet që zhvillohet më qëllim të shkaktimit të deformimit social përmes rrjeteve sociale duhet të jetë alarm për prindërit, familjen dhe institucionet, më qëllim të ngritjes së kujdesit më të madh ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët”, thotë ai.

Grupmoshat më të atakuara janë fëmijët e moshës 10 deri në 17 vjeç, ngaqë kjo moshë karakterizohet edhe më ndryshime të mëdha fiziologjike dhe psikologjike dhe për pasojë bien pre e abuzimeve të kësaj natyre.

Ai thotë se nga kjo lojë duhet të alarmohen jo vetëm prindërit, por edhe institucionet.
“Më qellim të parandalimit duhet të shtohet kontrolli prindëror e institucional tek fëmijët, me theks të veçantë tek ata të cilët shquhen për kureshtje ndaj rrjeteve sociale”, thotë ai. Sipas tij, pasojat përmes kësaj loje mund të jenë çrregullimi social, sjelljet asociale, depresioni, vetëlëndimet e deri tek ato më fatale, si pasojë e modeleve dhe ngarkesës që shfaqen në këtë lojë./ZERI/.