Refugjati kosovar që u arrestua 15 herë në Francë për kontrabandë cigaresh

Kronika May 27, 2017 - 09:37

Aziri është refugjat nga Kosova. Remzija, është gruaja e tij, e cila mbërriti në Francë në bazë të bashkimit familjar.

Vetëm gjetja e një pune nuk ishte e lehtë për ata, shkruan sot mediumi francez L’Independant. Pra, Aziri kishte një ide: të shkonte në Andorë, të blente cigare dhe t’i shiste në qytetin e tij në Francë, Rodez.

Më 25 mars të këtij viti, një patrullë e punonjësve të Doganës e zuri atë duke transferuar çanta në një makinë. Në makinën e markës Renault kishte më shumë se 200 paketa cigaresh, transmeton Insajderi.

Të martën e kaluar çifti u shfaq para gjykatës.

“Ju u arrestuat 15 herë nga shërbimet tona për një total prej 261 kilogram cigaresh”, i tha inspektori doganor Azirit.

“Por sa paketa cigare keni marrë pa u kapur?”, raportohet nga L’Independant, t’i ketë thënë inspektori – kosovarit. “Shtatë ose tetë”, i përgjigjet i akuzuari me një zë që nuk është shumë i sigurt.

Aziri më në fund ka gjetur një punë, raporton L’Independant. Dyshja i detyrohet shtetit francez pagesën e gjobave për kontrabandimin e cigareve. Këto gjoba kanë vlerën prej 14.861 eurove dhe 10.500 eurove.

Çmimi i cigareve në Andora është më i lirë se sa në Francë.