Kthehen në rigjykim tre vëllezërit dhe xhaxhai i tyre të dënuar me 43 vite burgim

Kronika April 25, 2017 - 11:07

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të datës 14 Tetorit 2015, ndaj 4 të dënuarve me gjithsej 43 vite e gjysmë burgim, për vrasjen në bashkëkryerje të 35 vjeçarit R. Demiri në Gadime të Lipjanit.

Apeli, në vendimin e saj, ka vlerësuar se ka gjetur se aktgjykimi ndaj Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushit, i ankimuar, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sikur që është tejkalimi i aktakuzës. 

Sipas aktgjykimit të Themelores, Arian Agushi ishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, duke iu shqiptuar dënimi unik me 19 vjet burgim. 

Vëllai i tij, Mentor Agushi ishte dënua me 14 vjet e gjysmë burg për të njëjtën vrasje në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa, vëllanë tjetër, Shpend Agushi dhe xhaxhain e tyre Xhezair Agushi, Gjykata i dënoi me nga 5 vite burgim për secilin për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, derisa ishin liruar nga vepra penale armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i plotë i gjykatës së Apelit: 

Prishtinë, 25  prill 2017 - Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen kundër të akuzuarve  A.A., M.A., Sh.A., dhe Xh.A.  Të gjithë këta ishin shpallur fajtor nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë  me 14.10.2015, për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” nga neni 147 par.1  i Kodit Penal të Kosovës, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim, apo shfrytëzim të pa autorizuar të armëve” nga neni 328 i këtij kodit.  Ndërsa i akuzuari i parë edhe për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” nga neni 291 i të njëjtit ligj.

Për vrasjen e shtetasit R.D. që kishte ndodhur gjatë viti 2012  në Gadime të Lipjanit, A.A. ishte dënuar me 19 vjet burgim, M.A. me 14, Sh.A. me 5, po kaq sa edhe i akuzuari Xh.A.

Gjykata e Apelit, pasi ka vlerësuar pretendimet e avokatëve mbrojtës por edhe sipas detyrës zyrtare  ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sikur që është tejkalimi i aktakuzës nga neni 384 paragrafi 1, nën paragrafi 10 i Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu  gjykata e shkallës se parë ka shkelur dispozitat e procedurës penale edhe kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor secilin veç e veç për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim dhe shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”, ndonëse prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën në fjalë, në fjalën hyrëse.  

Prandaj aktgjykimi i shkallës se parë domosdoshmërish është dashur të anulohet.