Latifi-Pupovci kërkon nga Ministria e Drejtësisë ta aprovojë kërkesën e familjes Dehari

Kronika February 25, 2017 - 17:41

Hatixhe Latifi-Pupovci, njëra nga ish-vëzhgueset e caktuara nga familja Dehari në autopsinë e Astrit Deharit, ka thënë se rasti nuk guxon të mbyllet pa një super ekspertizë.

Sipas saj një gjë e tillë do të thellonte mosbesimin në institucionet e drejtësisë.

Latifi-Pupovci në një prononcim për Gazetën Monitor, ka theksuar se rasti duhet edhe të tej të analizohet.

“ Mendoj se rasti nuk ka guxuar të mbyllet pa një super ekspertizë të pavarur nga institucionet e Kosovës, aty ku edhe ka ndodhur vdekja e Astritit sepse kjo do të thellon edhe më tej mosbesimin ne institucionet tona të drejtësisë”, ka thënë Latifi-Pupovci.

Ndër të tjera ajo ka theksuar se ministria e Drejtësisë duhet të aprovoj kërkesën e familjes Dehari për hetim të pavarur. Sipas saj ky hetim do të jepte një konstatim të besueshëm.

“ Megjithatë Kuvendi i Kosovës ka lënë “hapur një derë” – se Qeveria e Kosovës do te heq shpenzimet e ndonjë hetimi të pavarur. Sot në konferencën për shtyp të organizuar nga familja Dehari u pa se ata kanë gjetur institucionin te cilit i besojnë për të bërë hetimin. Prandaj, Ministrisë së drejtësisë i mbetet të aprovojë kërkesën e familjes Dehari dhe ky hetim i pavarur të jep konstatimin të cilit do t’i besonin familjarët dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Latifi-Pupovci.

Ndryshe familja e aktivistit tashmë të ndjerë Astrit Dehari, si dhe Avokati Tomë Gashi, gjatë një konference për media kanë bërë të ditur se Instituti për Mjekësi Ligjore i Qendrës Universitare në pjesën franceze të Zvicrës do ta bëjë hetimin rreth vdekjes ende të pasqaruar të aktivistit të VV-së/ Gazeta Monitor