S’gjendet varrezë masive afër Ibrit në Mitrovicë

Kronika February 16, 2017 - 20:33

Gërmimet vlerësuese të filluara sot më 16.02.2017,  paradite rreth orës 09:30,  në lokacionin e shënjuar te Xhamia te Ura e Ibrit në Mitrovicë, kanë përfunduar rreth orës 16:00, pa gjetje të mbetjeve mortore të viktimave të luftës.

Sipas Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, gërmimet janë realizuar përmes hapjes së  ‘tri kanaleve vlerësuese', në dimensione të ndryshme duke përfshirë tërë zonën e dyshuar, apo lokacionin e shënjuar, mirëpo rezultati i të cilave ka qenë negativ, pra pa gjetje të mbetjeve mortore, njofton kumtesa, përcjell 'Zeri.info'

Gërmimet vlerësuese në zbatim të ‘Urdhëresës së Gjykatës’, janë realizuar nga ekspertët mjekoligjor vendor dhe të EULEX-it, me përkrahjen e institucioneve kompetente, si Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Policisë së Kosovës, Njësitit të Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, dhe institucioneve tjera, thuhet me tej në njoftim.
 
Të pranishëm gjatë gërmimeve, krahas përfaqësuesve të institucioneve kompetente të lartshënuara, ishin edhe përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur, përkatësisht shoqatave familjare nga Mitrovica, Kryetari i Komunës së Mitrovicës me bashkëpunëtor, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës , si dhe përfaqësuesit e Delegacionit të Serbisë përkatësisht Komisionit të Serbisë për Persona të Zhdukur dhe një numër i madh i përfaqësuesve të mediave.