Frikë, fatin e Astritit mund ta ketë edhe Grupi i Kumanovës

Kronika November 10, 2016 - 14:35

Gazetës “Lajm” të Maqedonisë i ka arritur një letër, për të cilën thuhet se është nga “familjarët e Grupit të Kumanovës”, ku paralajmërohet rreziku që këta të arrestuar në burgjet e Maqedonisë mund t’i gjejë i njëjti fat si i Astrit Deharit.

 

“Me LPK-istat në pushtet, shqiptarët po varrosin djemtë e tyre më të mirë, si në Kosovë poashtu edhe në Maqedoni. Kjo organizatë e themeluar fillimisht nga atdhetarë dhe patriotë të denjë, por e uzurpuar më vonë nga bashkëpunëtorë të UDB-së, po mbjell zi e vdekje në trojet shqiptare, njëjtë si dikur UDBA Jugosllave. Pasuesit e LPK-së së uzurpuar nga UDBA jugosllave kanë dëshmuar në shumë raste se kur janë në krizë, nuk ngurrojnë të sakrifikojnë shqiptarët për të deofkusuar opinionin. Kjo ka ndodhur edhe me Astrit Deharin në burgun e Prizrenit. Mirëpo jemi të brengosur për shkak të informacioneve që na vijnë se edhe pasuesit e LPK-UDB-së në Maqedoni ndjehen të rrezikuar si asnjëherë më parë në 15 vitet e fundit, prandaj përgatisin bëjnë ndonjë eksperiment të ngjashëm me atë që i ndodhi Astrit Deharit, djalit të Avni Deharit, njërit prej themeluesve të LPK-së së vërtetë. Tërheqim seriozisht vërejtjen se ajo që i ndodhi Astritit, mund t’i ndodhë edhe dikujt nga Grupi i Kumanovës që gjenden në burgjet në Maqedoni. Kërkojmë nga pasuesit e LPK-UDB-së që të heqin dorë nga lojërat e tilla, sepse për çdo eksperiment ogurzi që do të tentojnë të bëjnë, do të përballen me përgjigje të fuqishme prej shqiptarëve”, thuhet në letrën që e publikoi lajmpress.com.