Incidenti i mbrëmshëm në 'BeerFest', Policia jep detaje si ndodhi ngjarja

Kronika July 30, 2016 - 10:41
Burime zyrtare nga policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth ngjarjes, duke theksuar se raportimet për të lënduar me armë zjarri nuk janë të vërteta dhe se i lënduari në këmbë nuk është lënduar nga arma e zjarrit, por është gërvishtur nga ndonjë objekt i mprehtë.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha tregon për lajmi.net se ka qenë një situatë paniku pasi që ka pasur të shtëna me armë në atë pjesë dhe se grupi hetimor po vazhdon punën për kryerjen ekzaminimet e nevojshme, përderisa procedurat hetimore për të sqaruar te gjitha rrethanat e rastit janë në proces.

“Ju njoftojmë se me date 29.07.2016 rreth orës 22;55  është raportuar se në Sheshin ,’Zahir Pajaziti’ në Prishtinë ka pasur të shtëna me armë. Policia ka reaguar menjëherë dhe masa operacionale janë realizuar për ta trajtuar incidentin. Ne vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa gëzhoja. Lidhur me ketë rast kemi marr një informatë qe një person është i lënduar në këmbën e majte, i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, nuk janë konfirmuar lëndime nga arma e zjarrit përveç disa gërvishtjeve që ka marr nga ndonjë objekt i mprehtë.

Si pasoje e panikut të shkaktuar edhe disa persona tjerë gjithashtu kanë kërkuar ndihmë në QKUK, për shqetësimet apo lëndimet nga turma. Situata është vënë nën kontroll dhe njësitet relevante policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, përderisa procedurat hetimore për te sqaruar te gjitha rrethanat e rastit janë në proces. Rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”./lajmi.net