Gjendja e rezervës shtetërore, e mjaftueshme edhe në rast të paraqitjes së koronavirusit

Gjendja e rezervës shtetërore, e mjaftueshme edhe në rast të paraqitjes së koronavirusit

Ekonomia March 12, 2020 - 08:07
Image

Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes në përmasa të mëdha të koronavirusit në Kosovë vlerësohet se gjendja mund të përballohet për sa i përket furnizimit me gjëra esenciale për mbijetesë, si ushqim dhe barna, ngase Kosova po del të ketë rezerva shtetërore të mjaftueshme të mallrave për ta përballuar situatën, shkruan sot gazeta Zëri.

Përderisa virusi “COVID-19” është duke u përhapur shpejt nëpër botë, Kosova vazhdon të mbetet imune ndaj tij. Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes së koronavirusit në vend, Qeveria është e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve me ushqime e me barna esenciale, pasi qysh nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore. Kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Rezerva Shtetërore, i cili është miratuar në vitin 2010. Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, të mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, të veprimeve terroriste, të veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore, të mjedisit, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Me planin strategjik bëhet sigurimi i depove për vendosje dhe për ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave teksa me ligj është e përcaktuar se plani strategjik, programi vjetor, si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekrete shtetërore. Në ndërkohë nga OEK-ja është kërkuar hartimi i një plani i cili do ta paraqiste ndikimin e këtij virusi në ekonomi, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global.

Ministria: DRSH-ja e gatshme për intervenim, kemi rezerva

Plani strategjik afatmesëm është dokument strategjik përmes të cilit sigurohen rezervat shtetërore e që administrohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike. Nga ky Departament i është thënë “Zërit” se duke u bazuar në planin strategjik aktual janë të gatshëm t’u ndalin në ndihmë qytetarëve në rast nevoje. “Duke u bazuar në planin strategjik 2019 - 2021, të hartuar nga Departamenti i Rezervave Shtetërore (DRSH), në kuadër të ‘Meptinis’-it, në bashkëpunim me ministritë e linjave, buxheti është i konsiderueshëm sipas planifikimit të programit vjetor. Konsiderojmë se në rast të kërkesës për ndonjë intervenim të mundshëm emergjent DRSH-ja do t’i dalë në ndihmë gjithë popullatës së asaj zone ku kërkohet intervenimi”, thuhet në përgjigjen e lëshuar nga Divizioni për Komunikim me Publikun nga kjo Ministri.

Po ashtu është bërë e ditur se ka rezerva edhe të mallrave agroushqimore, si dhe të barnave esenciale. “Rezerva shtetërore ka: mallra agroushqimore, grurë, naftë, barna esenciale etj. DRSH-ja vazhdimisht është duke e rritur stokun me produkte të rezervës shtetërore si në sasi, ashtu edhe në lloje të produkteve, ndërsa sa u përket nevojave për rritje ato janë të mirëseardhura”, thuhet tutje në përgjigje.

Rukiqi: Koronavirusi mund të ketë pasoja në ekonomi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i ka thënë “Zërit” se përhapja e koronavirusit mund të ketë pasoja në ekonominë e vendit. “Po mund të ketë pasoja në ekonomi, veçanërisht në çrregullimin e tregut. Pikërisht pse nuk po shoh përgatitje kam kërkuar plan se si mund të veprohet në skenarë të ndryshëm, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa për sa i përket rezervës shtetërore për mallra, Rukiqi theksoi se vendi i ka ato, por nevojitet një plan emergjent në rast se situata zgjat për një kohë më të gjatë. “Kosova ka rezerva shtetërore, por nuk do të thotë se nuk duhet ta ketë një plan emergjent, në rast të krijimit të ndonjë situate që mund të zgjasë për një kohë më të gjatë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ditë më parë ai ka paralajmëruar edhe për disa nga ndryshimet që mund të sjellë përhapja e këtij virusi si në Kosovë, ashtu edhe në rajon. Ndër propozimet që ia ka bërë Qeverisë së Kosovës është hartimi i një sërë masash preventive dhe proaktive, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe recensionin në nivel global.

Kadrijaj: Kosova duhet të furnizohet për një vit me produkte esenciale

Njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadrijaj ka vlerësuar se qeveria e re duhet të angazhohet për furnizim me gjëra esenciale si ushqim e barna për të paktën një vit. “Vlerësoj se jemi keq sa i përket përgatitjes së vendit me rezerva shtetërore për faktin se edhe ato rezerva që janë shumë të varfra si në sasi, edhe në cilësi, duke mos u rifreskuar dhe duke mos bërë rritjen e rezervës e aq më shumë kur dihet se ish-kryeministri Haradinaj kishte shpenzuar rezervën shtetërore në nivel financiar për arsye banale. Me këtë rast vlerësoj se qeveria e tanishme duhet të marrë masa për furnizim me lëndë esenciale si në ushqim, lëndë djegëse dhe furnizim të spitaleve e të shtëpive të shëndetit me lëndë esenciale dhe barna së paku për një vit, duke u angazhuar dhe duke marrë përgjegjësi e jo të sillen si organizata joqeveritare duke e vajtuar koronavirusin”, ka thënë Kadrijaj për “Zërin”.

Për sa i përket destabilizimit ekonomik, Kadrijaj ka potencuar se mund të arrihet në rast se vazhdon paniku dhe në rast të rritjes së çmimeve të produkteve. “Për të qenë korrekt në raportet ndërkombëtare Kosova është ndër vendet, të cilat i kushtojnë rëndësi higjienës personale. Sidoqoftë, tani jemi shtet dhe potencialisht i kemi institucionet që duhet të marrin masa konform rrezikut që i kanoset Kosovës. Se sa do të ketë destabilitet ekonomik varet se sa do të kërcënohet dhe njëherësh edhe sa do të zgjasë paniku, sepse paniku do të ndikojë në rritjen e çmimeve duke rënduar shportën e qytetarit”, ka thënë ai. /ZERI