Uzurpatorët frikësojnë investitorët

Ekonomia October 26, 2018 - 08:07
Flasin zyrtarë nga AKP-ja
Image

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e fundit të likuidimit ka nxjerrë në shitje një lokal në lagjen “Dardania”, të Prishtinës, mirëpo një person po frikëson investitorët e mundshëm me arsyetimin se lokali është pronë e tij. Në xhamat e lokalit, i cili është nxjerrë në shitje, ai ka ngjitur disa njoftime të cilat më pas janë hequr nga ana e AKP-së, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në valën e 42-të të likuidimit Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mes shumë pronash ka nxjerrë në shitje një lokal afarist në lagjen “Dardania”, të Prishtinës. Mirëpo një person po pretendon se prona është e tij, madje përmes disa njoftimeve që ai ka ngjitur në xhamat e lokalit po kërcënon AKP-në se prona e nxjerr në shitje është pronë e tij. Nuk ka kaluar shumë kohë kur zyrtarët e AKP-së kanë hequr ato njoftime nga xhamat dhe kanë vendosur njoftimin e tyre duke treguar se lokali në fjalë është pronë e administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë se prona është tenderuar në bazë të dokumentacionit pronësor të ndërmarrjes, ndërsa njoftimet e ngjitura në lokalin afarist janë vendosur nga një pretendues, i cili nuk ka vendim gjykate.

LEXO EDHE: Thaçi në pritje të lejes për anashkalim të Kuvendit

“Bëhet fjalë për pronën e NSH ‘Visoko’, e tenderuar në valën e shitjes së pasurive përmes likuidimit nr. 42, me numrin rendor Njësia nr. 36. Ky lokal  - ‘Visoko Commerce’, shitorja nr. 2, gjendet në kuadër të një ndërtese shumëkatëshe të banimit në Prishtinë, në rr. ‘Robert Doll’, nr. 12, afër restorantit ‘Sach’, Prishtinë. Prona është tenderuar në bazë të dokumentacionit pronësor të ndërmarrjes, ndërsa njoftimet e ngjitura në lokalin afarist janë vendosur nga një pretendues, i cili nuk ka vendim gjykate. Çdo pretendim pronësor duhet realizuar përmes gjykatës kompetente, respektivisht përmes Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka treguar Kaloshi. 

AKP-ja i ka hequr pamfletet e vendosura

Më tej ai ka njoftuar se zyrtarët e Zyrës Rajonale në Prishtinë në AKP i kanë hequr pamfletet e vendosura ilegalisht duke rivendosur afishet e shitjes së institucionit.

“AKP-ja, përkatësisht zyrtarët e Zyrës Rajonale në Prishtinë, i kanë hequr sot këto pamflete të vendosura ilegalisht dhe kanë rivendosur afishet e shitjes së AKP-së. AKP-ja para se të tenderoj për shitje çdo pronë, tokë, lokal etj verifikon mirë dokumentacionin në lidhje me atë pronë dhe vetëm pronat në pronësi shoqërore tenderohen për privatizim. AKP-ja nuk tenderon prona private. Ndërsa pretenduesit ose palët e pakënaqura duhet të drejtohen në gjykatë, në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, e cila ka juridiksion mbi AKP-në dhe vendimet e saj janë të obligueshme për Agjencinë”, sqarohet në mes tjerash në përgjigjen zyrtare të institucionit. 

Dyshime të ngjashme për uzurpim të një lokali në qendër të Mitrovicës kanë shfaqur edhe disa banorë të këtij qyteti. Në kushte anonimiteti një mitrovicas tregon se në lokalin “Modesta” nuk zhvillohet asnjë veprimtari nga frika që posedon pronari nga “kërcënuesit” se ai është i uzurpuar. Por në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se ky lokal është privatizuar më datën 2 mars të vitit të kaluar në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. “Lokali ‘Modesta’ ka qenë pronë e ndërmarrjes shoqërore ‘Noviteti (MIT134)’. Kjo pronë, lokal është privatizuar më datë 02.03.2017 në përputhje me procedurat ligjore e përmes procesit tenderues, të rregullt e transparent. Prona, lokali ka qenë duke u shfrytëzuar nga palë të tjera përmes kontratës së qirasë. Pas privatizimit kjo kontratë e qirasë është shkëputur dhe lokali është liruar me ndihmën e Policisë një ditë para se t’i dorëzohet kontrata blerësit”, kështu bëhet e ditur në përgjigjen zyrtare të zyrës për informim në AKP.

Sipas tyre, lokali është liruar më datën 6 maj dhe kontrata i është dorëzuar blerësit më 7 prill të vitit të kaluar. “Lokali është liruar më datë 06.04.2017, ndërsa kontrata i është dorëzuar blerësit të shpallur më datë 07.04.2017, duke ia dorëzuar blerësit lokalin e lirë”

 Baraliu: Procesi i privatizimit, i dizajnuar keq

Njohësit e sistemit ligjor në vend e cilësojnë si një ndër problemet më serioze të pasluftës çështjen e pronës dhe procesin e privatizimit, për të cilin pretendojnë se është dizajnuar keq nga ndërkombëtarët. Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” deklaron se edhe institucionet kompetente nuk e kanë realizuar procesin e privatizimit si duhet.

“Njëri prej problemeve më serioze të pasluftës është çështja e pronës, përgjithësisht procesi i privatizimit në mënyrë të veçantë, proces i cili si i tillë është dizajnuar nga ndërkombëtarët keq dhe është zgjedhur modeli më i papërshtatshëm për kushtet specifike dhe për rrethanat specifike kosovare. Si i tillë ky proces është tërhequr, sepse ka dhënë mundësi e hapësirë që segmentet e caktuara, grupet e ndryshme formale dhe j formale”, është shprehur ai.

Ndërkohë pjesa tjetër e realizuar në procesin e privatizimit është cilësuar si e dështuar nga Baraliu.

“Vetë institucionet që janë kompetente për procesin e privatizimit nuk e kanë realizuar këtë proces dhe si i tillë privatizimi ka mbetur në gjysmë të rrugës. Pjesa e tjetër që është bërë është proces i dështuar duhet herët a vonë sa më parë, aq më mirë të rishikohet nga fillimi dhe të ristartohet çështja në kuptimin institucional të auditimit dhe të kontrollit shoqëror dhe gjitha privatizimet sa janë zbatuar kriteret, sa janë kryer obligimet”, ka theksuar në mes tjerash profesori universitar.

Baraliu e ka komentuar edhe pjesën e uzurpimeve, duke e lidhur me institucionet e zyrtarët e subjekteve politike që kanë zënë objektet pas lufte.

“Sa i përket uzurpimeve është një fenomen që prej pasluftës ka filluar në mënyrë të pakontrolluar të zhvillohet, segmentet institucionale nuk e kanë bërë më të mirën e mundur e ato partiake po flas për subjektet politike, disa prej tyre kanë zënë njëherë e mirë pasluftës ato objekte patundshmërie të institucioneve të caktuara shtetërore dhe sot e asaj dite janë në to pa e ditur mënyrën se si janë transformuar nëse janë transformuar ose janë ende të tilla në status të uzurpimit. Problemi i uzurpimeve është problem serioz që duhet trajtuar për t’i zgjidhur problemet e pronës, do të duhej një ligj përtej nacionalizmit. Nga 1945 e këndej ligjet kanë qenë diskriminuese për shqiptarët”, ka përfunduar ai.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në Kosovë kanë mbetur vetëm edhe tri lokale të uzurpuara, përkatësisht në veri të Mitrovicës. Që nga aksioni për lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzuesit e paligjshëm zyrtarë të AKP-së thonë se kanë marrë nën administrim rreth 600 prona në pronësi shoqërore, si dhe 60 të tjera në pjesën veriore të Mitrovicës.

Shatri: Politika, fajtore për dështimin e procesit të privatizimit

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës fajin për dështimin e procesit të privatizimit ia kanë vënë zyrtarëve të institucionit kompetent, në këtë rast AKP-së. Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, shprehet i habitur me ngadalësimin në procesin e privatizimit. Për të njëjtin deklaron se nuk ka dhënë ndonjë rezultat deri më sot.

“AKP-ja ka pak problem t’i lirojë pronat. Mund të ketë faj edhe vetë ndoshta kanë flirtuar me uzurpatorët, përndryshe është dashur të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat e shtetit. Nuk do të duhej me dekada njerëzit t’i uzurpojnë pronat e huaja. Procesi i privatizimit është ngadalësuar me intensitet, nuk e di pse po shkon kaq ngadalë. Edhe ashtu nuk po vërehet që ka dhënë ndonjë rezultat të dukshëm sidomos nuk mund të themi se jemi afër pritjeve që i kemi pasur në fillim të procesit. Shumë kanë dështuar e kanë ndërruar destinimin, kanë mundur t’i tërheqin investimet e huaja”, është shprehur Shatri.

Sipas Shatrit, ndikim negativ në këtë aspekt ka dhënë ndikimi i politikës.

“Pak problem të dalësh prej kësaj pune. AKP-ja e ka marrë prej shpalljes së pavarësisë procesin, ka një dozë të përfshirjes të politikës në dhjetë vjetët e kaluara në qeverisjet e kaluara. Vërehet se shumë prona janë privatizuar, janë rregulluar dokumentacionet, letrat, informacionet për t’i rënë në duar atij që ka pasur një mbështetje i cili ka qenë në pushtet. Ka qenë shumë e përfshirë edhe politika, andaj ka një pjesë të madhe të fajit për dështim”, ka përfunduar ai.

Aksioni i AKP-së për lirimin e pronave të uzurpuara në gjithë Kosovën kishte nisur në prill të vitit 2016 pas një hulumtimi të botuar në gazetën “Zëri”, në dhjetor të vitit 2015, me titull: “Shteti ‘gjunjëzohet’ para uzurpatorëve të lidhur me politikën”. Por shqetësues mbetet fakti i ndëshkimit të uzurpatorëve të ndërmarrjeve publike e private në Kosovë. Gjoba më e madhe e shqiptuar ndonjëherë ndaj tyre, duke iu referuar të gjeturave zyrtare, është 600 euro dhe pa raste të paraburgimit të uzurpuesve. Në aksionin për lirimin e pronave shoqërore të uzurpuara ka asistuar edhe Policia e Kosovës. Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti në Polici thonë se kanë iniciuar 80 raste për uzurpim të pronës, derisa vitin e kaluar 138 të tilla./ZERI